Nga Njësia 7 ku vijoi fushatën e tij elektorale, kandidati i koalicionit të majtë, “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, Erion Veliaj e ka konsideruar debatin politik dhe zhdekretimin e datës së zgjedhjeve si një lojë të organizuar nga opozita. Për këtë ai iu referua pikërisht paracaktimit të datës së re të zgjedhjeve nga ana e Presidentit të Republikës dhe të bërë publike nga kryetari aktual i Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu. Sipas Veliajt zbulimi i datës së re të zgjedhjeve nga kryebashkiaku i Kamzës, ndërkohë që Presidenti i Republikës po bën konsultime me disa nga partitë e vogla dhe pa asnjë peshë politike për përcaktimin e një date të re, tregon më së miri se axhenda e Kreut të Shtetit përcaktohet nga opozita.
“Pjesa që më bëri për të qeshur është që Kamza thoshte është aq e suksesshme dhe zgjedhjet për inatin tuaj nuk do jenë në datën 30 qershor, zgjedhjet tha do jenë në datë 20 tetor. E kisha dëgjuar si thashethem, nga ata njerëz që rrinë vërdallë, Presidencës e SHQUP, por ta shihja të shkruar që axhendën e Presidentit të Republikës e paracakton Xhelal Mziu, ky është fundi i botës zyrtarisht. Kur mendon që budallallëku nuk ka fund, kur mendon që çdo idiotësi ka një limit, kur mendon që çudia e ka kap ekstremin e vet, jetojmë në Tiranë çdo gjë mund të ndodhë, ndodh çudia e gjithë çudirave. Xhelal sapo dekonspirove presidentin. U munduan ata të shkretët të bëjnë sikur konsultojnë partitë, edhe çfarë partish, partinë e Koços, që s’ka as deputet dhe as këshilltar, parti vulë humbura, pemëthyera që nuk kanë asnjë mandat të fituar me logon e tyre. Po konsultohen?! Dhe Xhelali ngaqë si rrihet derisa të bëjë budallallëkun e radhës sapo e dekonspiroi që ata e paskan caktuar edhe datën dhe gjithë kjo qenka një lojë”, tha Veliaj në fjalën e tij.
Por ai theksoi se socialistët dhe gjithë qytetarët e ndershëm nuk do ta lejojnë kurrsesi që një grupim i caktuar politikë dhe zgjatime të tij në institucionet e vendit të mund të bëjnë lojëra me fatin e Shqipërisë dhe shqiptarëve.
“Nëse mendoni se mund të bëni lojë me shqiptarët kjo s’ka për të ndodhur. Nëse mendoni se mund të bëni lojë me familjet tona, kjo s’ka për të ndodhur. Në qoftë se mendoni se do bëni lojë me qytete tona kjo s’ka për të ndodhur. Nëse mendoni se do të vini në lojë të ardhmen e fëmijëve tanë kjo s’ka për të ndodhur. Nëse mendoni se do vini në lojë të ardhmen e Shqipërisë, kjo nuk ka për të ndodhur. Ata mund të vënë në lojë njëri-tjetrin. Ata mund të luajnë demokraciash, shpiash, zgjedhjesh, doktorash, ata mund të luajnë me njëri-tjetrin, por nuk mund të luajnë me fatet e shqiptarëve, kjo nuk ka për të ndodhur. Sa mirë që u dekonspiruar dhe treguar se sa qesharakë jeni. Sa mirë që u dekonspirua dhe u tregua se kjo është gjitha një pantomimë. Sa mirë që u diskreditua duke nxjerrë vetë datat që i keni paracaktuar nga një grusht i vogël njerëzish që nuk menaxhon dot një qytezë të vogël le më të menaxhojë fatet e Shqipërisë. Sa mirë që ju doli boja. Sa mirë që të gjithë të ligjtë e këtyre 30 viteve fatkeqësi janë bërë bashkë sepse më në fund 30 qershori nuk është vetëm zgjedhje bashkie, por janë një referendum për tu ndarë nga kjo kope zullumqarësh”, u shpreh Veliaj.
Gjithashtu ai theksoi se për të bërë dallimin mes atyre që punojnë për vendin dhe qytetin dhe atyre që punojnë për interesat e tyre dhe të partisë duhet parë ajo që përfaqëson sot Tirana dhe Kamza.
“Teksa po vija këtu, lexova një nga gjërat më qesharake që kisha lexuar ndonjëherë, replika e Bashkisë së Kamzës me Bashkinë e Tiranës, ku i thuhej Bashkisë së Tiranës që duhej të marrë shembull Kamzën, si modeli më i mirë i menaxhimit dhe pyetja që më lindi është: Çfarë ekzaktësisht duhet të marrim shembull? Faktin që nuk mblidhen plehrat shtatë ditë, mblidhen plehrat vetëm 4 herë në muaj; duhet të marrim shembull që ana e tyre e lumit është e gjitha me plehra dhe ana jonë e lumit është e gjitha xixë; duhet të marrim shembull në fakt që në fakt therret viçi, pula, glasat, puplat te dera e Bashkisë së Kamzës. Fakti që shërbehet ushqimi i fëmijëve në treg, te kanali i ujrave të zeza, fakti që është ndërtuar pa leje kudo, më thuaj ekzaktësisht apo të marrim atë kiçin që çdo quhet Manhatan , Miami e Las Vegas për tu bërë gaz i botës. Çfarë ekzaktësisht duhet të marrim shembull ne nga Kamza, se nuk jam i qartë?! Si ka mundësi që e gjithë Kamza vjen punon në Tiranë? Del shëtitje në Tiranë, shkon në park në Tiranë, në kënde të lojrave në Tiranë, në kinema në Tiranë, në jetë kulturore në Tiranë, koncert, teatër, shfaqje në Tiranë? Si ka mundësi që e gjithë Kamza është në Tiranë? Ende nuk kam takuar një njeri që të thotë që Xhelali e ka bërë lule Kamzën, po shkoj ta pij kafen në Kamzë?! Në fakt është e anasjellta, të gjithë vijnë në Tiranë për çdo moment të bukur që kanë. Tani kemi filluar marrim edhe kërkesa për celebrime në Tiranë dhe u them: E kuptoj që keni dëshirë por nuk celebrojmë dot një të Bashkisë tjetër, duhet të jesh rezident i Tiranës. Ne përditë marrim petiçione nga Paskuqani, Bathorja, thonë: Aman na aneksoni në Tiranë se nuk jetohet më! Çfarë ekzaktësisht duhet të marrim shembull?”, tha Veliaj.