Angazhimi i marrë nga Pakti për Universitetin për pajisjen e studentëve me Kartën e Studentit është bërë realitet edhe për Universitetin e Arteve. Në çdo fakultet të këtij universiteti, atë të Muzikës, Arteve të Bukura dhe Artit Skenik janë pozicionuar gjashtë operatorë, të cilët lehtësojnë procesin e emërtimit të kartës, duke nisur nga informacioni përgjithshëm, plotësimi i të dhënave, e deri te lëshimi i kartës.
Kryebashkiaku Tiranës, njëherësh edhe kandidat për një mandat të dytë për këtë bashki, Erion Veliaj, i shoqëruar nga Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, si dhe rektori i universitetit, Kastriot Çaushi, ndoqën nga afër procesin e aplikimit dhe marrjes së kartës nga studentët e arteve, falë së cilës do të përfitojnë një numër të madh shërbimesh falas ose me kosto të reduktuar, në institucionet shtetërore dhe ato private.
“Jam shumë i lumtur që kemi një stacion tjetër te Universiteti i Arteve për Kartat e Studentit. Para se të shkëputemi për pushimet e verës do të ezaurojmë të gjithë dhënien e kartave dhe më pas, kush mbetet a vjen në vjeshtë, do të kemi zyra qendrore, për shembull te Sheshi “Nënë Tereza”, pak a shumë siç funksionojmë me kartat e identitetit apo pasaportat; të gjithë do të kenë mundësi të marrin kartat e tyre”, theksoi Veliaj.
Karta lëshohet pa pagesë dhe është e rinovueshme për një cikël studimi, ku në pjesën e pasme ka një barcode të caktuar, i cili mundëson akses në të gjitha institucionet apo subjekte, të cilat në ambientet e tyre kanë të afishuara stikerat me logon “Karta e Studentit”. Veliaj bëri të ditur se pasi të pajisen të gjithë studentët me karta, do bëhet edhe porositja e aboneve të udhëtimit me autobusët urbanë në Tiranë.
“Po presim sa të shpërndahen të gjitha kartat, ne pretendojmë të shkojmë deri në 80 mijë, e më pas do të shohim se ka disa shërbime që duhen moderuar. Duke qenë se tani studentet janë më të informuar për kartën, pasi të kemi të gjitha kartat e shpërndara dhe të shohim se sa është realisht kërkesa, atëherë do të parablejmë abonetë për Bashkinë e Tiranës nga Ministria e Financës, e cila është pronarja e letrave me vlerë”, shtoi më tej Veliaj.
“Ajo që më inkurajon shumë është se studentët kanë nisur ta përdorin kartën për shërbime të ndryshme dhe private, do të thotë se ka qenë e nevojshme. Po presim sa të shpërndahen të gjitha kartat e do të shohim sa janë shërbimet që duhen moderuar. Vetëm në Tiranë, falë bashkëpunimit me Ministrinë e Kulturës, shumë muzeume publike apo private, nga Shtëpia e Gjetheve, Shtëpia Kadare, të gjitha pikat ikonike, teatrot, muzetë e galeritë, janë me ulje; është koha ideale për ta maksimizuar kartën. Edhe nga Shkodra në Butrint e Ksamil, nga Veriu në Jug, kemi një shpërndarje të vendeve ku përdoret karta e studentit. Mezi pres të vazhdojmë ritmin”, u shpreh Veliaj.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti tha se Karta e Studentit do të pasurohet edhe me shërbime të tjera dhe për këtë ftoi edhe studentët që të bëjnë sugjerimet e tyre. “Jam vërtet e kënaqur që fillojmë procesin edhe me Universitetin e Arteve. E kishim thënë edhe më përpara, që në të gjitha Muzetë, Teatrot, vendet e kulturës, uljet për studentët janë vërtet domethënëse, por mbi të gjitha unë shikoj trendin që kishim parashikuar që në fillim, që shumë më tepër privatë do na bashkoheshin, si banka, dyqane, institucione të tjera. Me aplikacionin e ri që po lind, i cili i bashkangjitet kartës, do fillojmë të studiojmë trendin dhe ju do jeni ata që do na sugjeroni edhe institucione të tjera që keni nevojë”, tha ministrja e Kulturës, Elva Maragariti në takimin me studentët.
Rektori i Universitetit të Arteve, Kastriot Çaushi u shpreh se tashmë që Bashkia e Tiranës dhe qeveria ka bërë punën e vet, i takon universiteteve dhe pedagogëve që të nxisin studentët të aplikojnë për të përfituar nga lehtësirat që u ofrohen. “Më vjen mirë që, një nga kërkesat e studentëve si Karta e Studentit u plotësua. Ne të Arteve ndihemi paksa më të privilegjuar se kur bëhet fjalë për Muze, Teatro, koncerte, besoj se jemi më nevojtarë. Tani na bie detyrë me anëtarët e Këshilit Studentor, të Senatit, dhe pedagogët të mund t’i bëj ata të përgjegjshëm për t’i tërhequr sa më shpejt”, deklaroi Çaushi.