TIRANE - Diplomim të dyfishtë për të gjithë të riinjtë që vazhdojnë arsimin profesional, një cerifikim shqiptar nga shkolla ku kryejnë edukimin dhe një certifikim nga një agjenci ndërkombëtare më të cilën shkolla ka nënshkruar bashkëpunimin. Këtë ka deklaruar ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë Erion Veliaj në Këshillin Kombëtar të Punës.

"Pse po i çiftojmë shkollat me një agjensi ndërkombëtare, fjala vjen kjo shkollë ku jemi këtu sot do ti diplomojë nxënësit me dy diploma diplomën shqiptare dhe diplomë austriake që automatikisht do të jetë një diplomë e Bashkimit Europian. Krahu i punës, fuqia intelektuale që del nga këto shkolla të jetë ekuivalente ose të jetë e vlerësuar njësoj me Bashkimin Europian." tha Veliaj

Po për të siguruar një certifikatë të nivelit ndërkombëtar, nënkryetari i Këshillit Kombëtar të punës Luan Bregasi , tha se duhet të krijohet një legjislacion sipas standarteve europiane, që punonjësit e certifikuar në arsimin profesional në vendin tonë të përballojnë tregun e punës kudo që të shkojnë.

Ndërsa për të përshtatur vendet e punës që kërkohen në treg me degët që studiohen, Veliaj deklaroi se për këtë shkollat e arsimit profesional do të kenë bashkëmenaxhim nga bizneset, agjencia e formimit profesional dhe Këshillit Kombëtar të punës.

"Pra biznesi i thotë zyrës së punës çfarë nevojash ka dhe ne aty marrim le të themi një feedback fillestar për të thënë që ky treg ka nevojë për këto lloje profesionesh." u shpreh ministri

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)