Veliaj: Dorëhiqem nëse provohen
akuzat për censurë ndaj mediave

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, mohon të ketë gisht në censurën ndaj disa mediave.
 
Një speciale e planifikuar për t'u transmetuar në një televizion informativ u anulua papritur, ndërsa gati dy muaj më vonë, u ndërpre transmetimi i emisionit “Publicus”, që trajtonte vdekjen e 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës.
 
I ftuar në emisionin” Top Story”, kryebashkiaku Veliaj hodhi poshtë akuzat në adresë të tij, ndërsa theksoi se nuk ka marrëdhënie të mira me Koço Kokëdhimën e A1 News dhe Artan Dulakun e Vizion Plus.
 
"Prej kohësh nuk kam kontakte me ata", u shpreh ai.
 
Veliaj deklaroi se nëse akuzat në adresë të tij provohen, ai do të japë dorëheqjen.
 
“Nëse sot provohet që unë kam marrë Kokëdhimën apo Dulakun për këtë çështje dhe njerëzit i dinë marrëdhëniet e mia me këta, nëse provohet, unë e lë këtë punë”- u shpreh Veliaj. 

Ndërkohë, Veliaj e cilësoi të dhimbshme ngjarjen në landfillin e Sharrës, ku humbi jetën një 17-vjeçar. Ai theksoi se përgjegjësit duhen të përgjigjen para drejtësisë. 

“Ajo që ka ndodhur është e dhimbshme. Kompania që u paraqit, nëse provohet, nëse është e vërtetë, që e kanë shkelur Kodin e Punës le të përgjigjen para drejtësisë. Ky shtet ka inspektorë për çdo gjë, ka Inspektoriat të punës, inspektorët e rregullave të punës të vepronin”, u shpreh Veliaj.

Veliaj më pas u fokusua edhe te krijimi i kompanisë publike Eco Tirana, e cila do të bëjë një punë më të mirë për pastrimin e Tiranës, por edhe te Plani i ri Urbanistik i Tiranës, që sjell disa risi, siç është krjimi i pyllit Orbital me mbjelljen e 2 milion pemëve në qytet.
 
Intervista e Veliajt në Top Story:
Zoti Veliaj, pamë ish-kryeministrin që arriti të krahasonte vdekjen e Ardit Gjoklajt në Landfillin e Sharrës, pak kohë më parë, me Gërdecin. Arriti deri aty sa të pranonte që edhe Gërdeci është vrasje shtetërore, por edhe vdekja e Arditit duhet të konsiderohet e tillë. Asnjëherë nuk keni dhënë një shpjegim të saktë lidhur me sa realisht është e përfshirë Bashkia e Tiranës në këtë situatë? Nëse keni patur dijeni që ky adoleshent punonte aty pa rregulla, pa letra dhe a ka njëfarë përgjegjësie bashkia që drejtoni lidhur me këtë ngjarje të rëndë?
Ajo që dimë sot është që, në 8 gusht, teksa kemi patur shira të rrëmbyer në Tiranë, kemi pasur një raportim nga Policia e Shtetit, jo për zonën ku bëhet ndarja e plehrave, pra veçimi i plastikës nga plehrat e tjera, por në mes të Landfillit. Së pari, në dallim nga Gërdeci që u prodhua nga qeveria, Landfillin e Sharrës unë e gjeta aty dhe më rezulton se të paktën që në vitet '70-'80 ka qenë aty. Bëhet fjalë për një territor që është disa hektarë dhe për një landfill që duhet të ishte mbyllur në vitin 2011. Në vitin 2011, zotëria në fjalë e kishte mendjen se si do t'i vidhte zgjedhjet e Tiranës dhe jo si do bënte punë për Tiranën. Pra, landfilli i Sharrës ka 5 vjet që duhet të ishte mbyllur sepse ka tejkaluar kapacitetin dhe Tirana nuk ka një landfill të ri.
Kjo është arsyeja pse unë kam dalë publikisht në nëntor të vitit të kaluar, kur ricikluesit protestonin në Bashkinë e Tiranës sepse nuk mund ta kthenim secilën prej katër mijë koshave të Tiranës në një pikë riciklimi dhe kam dalë publikisht dhe kam thënë: "Kush do që të vijë dhe ta bëj këtë në Sharrë, por jo në çdo rrugë të Tiranës, duke infektuar të gjithë fëmijët e qytetit, le të vijë të bëjë marrëveshje me bashkinë”. Pse? Sepse çdo plehrë që hiqet nga Sharra, në fakt është një terren i fituar. Ju kujtoj që në kujtesën tonë të freskët historia e Beirutit, historia e Napolit, janë qytetet që ekzaktësisht degraduan sepse landfillat u mbushën dhe plehrat po rrinin rrugëve të qytetit.
Ajo që ka ndodhur është jashtëzakonisht e dhimbshme. Kompania dhe pronari i saj është në kërkim, por dua t'ju them që sot Tirana ka 100 kantiere të hapura. Në këtë moment teksa flasim, mund të aksidentohet dikush te Pazari i Ri, teksa po vë në lartësi elet, teksa po flasim po hidhet kati i dytë me beton në terren shumë të vështirë, te Stacioni i Trenit, teksa po flasim po shkulen të gjitha pemët me një makineri të veçantë nga sheshi "Skënderbej". Në secilën prej 100 kantierëve mund të ndodhin aksidente. Ajo që dimë deri tani, nga njoftimi i policisë, është që nuk ka ndodhur në pjesën e konvenierit, pra në pjesën ku bëhet ndarja e mbetjeve dhe ende presim të marrim vesh nëse vërtet ka ndodhur aty, nëse ka ndodhur diku tjetër më përpara.
Ajo që unë kam preferuar të bëj është që të pres organet kompetente të shprehen për këtë. Kështu bëra edhe me lodrat, kështu bëra edhe me shumë sulme të tjera dhe dua t'ju them që kjo nuk është hera e parë. Unë kam qenë ministër i Punës, dikush kishte kryer një vetvrasje në Korçë, i njëjti grup, i sinkronizuar me portalet e zotërisë që foli, më zëdhënësit e vet në Parlament, e vrau ministri. E njëjta gjë që kur dy inspektorë në Pogradec zihen me njëri-tjetrin. Pra, kjo historia e të bërit politikë si hienë, ku një parti politike, që është PD-ja, është kthyer si një agjenci funerale që sapo shikon një viktimë vrapon kush do marrë benefitet e saj; kjo është një histori shumë e poshtër, kjo vjen shumë erë. Ajo që unë kam preferuar të bëj është të pres derisa hetimi të mbarojë dhe të na thotë ekzatësisht se çfarë ka ndodhur në një sipërfaqe që është disa hektarë.
Dua t'ju them që kur bie nata në Sharrë, në një territor disa hektarë, të pakontrolluar, imagjinoni 7-8 fusha futbolli bashkë, aq e madhe është vetëm pjesa e landfillit, pastaj edhe pjesët e tjera të hyrjes dhe të daljes. Është e rrethuar me ndërtesa informale nga kudo, çahet dhe pritet gardhi nga të gjitha anët dhe të dëgjosh njerëz që kanë pasur drejtimin e kësaj bashkie, të këtij shteti dhe të këtij vendi, në 25 vitet e fundit dhe flasin sikur sapo e kanë zbuluar që plehrat që ata hedhin çdo ditë në rrugë, se për pastrim këta që flasin si ambientalistë për aksione pastrimi nuk i shikon ndonjëherë të mos dinë se ku shkojnë këto dhe të sillen sikur sa e zbuluan edhe varfërinë, edhe mbetjet në Sharrë, edhe faktin që kryeministri për 8 vjet nuk vuri një firmë për landfillin e Sharrës. Sot të paktën situata është ndryshe. Ministri i Mjedisit, me porosi të Kryeministrit ka përgatitur fizibilitetin e një landfilli të ri modern, që ne të kalojmë nga mesjeta ku jemi sot në Sharrë, në një situatë moderne.
Unë kam 450 ditë në detyrë, 1 vit e pak, kam pasur deri më sot 150 protesta. Vetëm në 100 ditët e këndit të lodrave, 78 organizime, edhe të dhunshme. Unë jam përgatitur ta paguaj çmimin. Nuk më rezulton që funksionon politika e hienës. Njerëzit në fund të ditës vlerësojnë sa punë bëjmë dhe sa përpjekje të sinqerta bëjmë për këtë qytet dhe për këtë vend dhe në fund të ditës ngelet puna, jo fjala. Kjo sigurisht që është pengesë për Bashkinë e Tiranës, pra të qënurit në një sulm konstant.
Unë e di formulën. Formula është mos bëj asgjë, nuk të sulmon askush. Po bëre gjë, ju kujtoj ditët e para, kur njerëzit urinonin poshtë Lanës, thoshin pse urinojnë; kur i vendos banjo, pse nuk janë banjo luksi; kur heq zaptuesit nga Liqeni, pse i hoqi; kur mbjell pemë, pse i mbolli; kur bën kënd lodrash; pra hip se të vrava, zbrit se të vrava, është një çmim që unë do ta paguaj. Por, për raste të tilla nuk do flas përpara se të kemi një hetim, se më ka rezultuar që shumë herë, ata që mbushin gjithë statuset dhe bëjnë si gjithologë për gjithçka ja fusin kot dhe e vërteta del krejt ndryshe. 
 
Cili është raporti zyrtar që ka Bashkia e Tiranës me firmën në fjalë?
Mbaj mend ka qenë java e parë e nëntorit vjet kur ricikluesit nuk e kishin këtë ligj të mbetjeve dhe ku në fakt kishin punësuar një ushtri të tërë. Tirana ka sot 4 mijë kazanë, nga ata që hedhin plehrat familjarët dhe ka rreth 2500 nga ata të vegjlit që i pastron vet bashkia. Ajo që ne po na ndodhte, morëm disa raporte nga ISHP është që Tirana është në prag të një epidemie, në momentin që nuk kufizon dot hyrjen në çdo kazan. S'ka asnjë dyshim që bashkia ka bërë një punë më të mirë me pastrimin, por e gjitha kjo është një hiç me zero, ku pasi e ke klorizuar, pasi e ke pastruar, e gjitha zbraset për të marrë një kanaçe.
Kam dalë publikisht dhe për sa kohë që ky nuk është një tender, bashkia nuk paguan gjë, pra nuk e paguan këtë si shërbim, nuk shpenzon para publike. Ne na duhet një mënyrë sesi të pakësojmë tonazhin që shkon në Sharrë. Tani, çdo ditë qyteti i Tiranës, tani edhe Tirana e madhe, prodhon 1 mijë ton mbetje, në një vit janë 350 mijë ton. Por, kush ka punuar dhe di sa janë këto sasi, po flasim këtu për male të tëra me mbetje. Ajo që i kemi kërkuar dhe ftesa publike që bëra, hajde bëni marrëveshje me bashkinë, më mirë merreni në vend aty, sesa ta merrni nga çdo kazan, kjo s'ka sens. Të kthejmë 4 mijë pika riciklimi në mes të Tiranës, plehrat që hidhen pastaj vinë qentë që i hanë dhe kjo është një histori që nuk mbaron kurrë.
Ka qenë një përpjekje për të pasur një qytet më të pastër, më të civilizuar. Në këtë përpjekje kompania që u paraqit për këtë marrëveshje, nëse është e vërtetë dhe nëse provohet dhe hetuesia thotë që këta e kanë shkelur Kodin e Punës duhet të mbajnë përgjegjësi dhe sot janë në kërkim. Por siç thashë, sot Bashkia e Tiranës ka 100 kantierë të hapura, nëse ju mendoni se Kryetari i Bashkisë e ka fizikisht të mundur të jetë prezent në çdo kantier për t'u siguruar, ky shtet ka inspektorë për çdo gjë, edhe për inspektoriatin e punës, edhe për kontrollin e rregullave dhe të sigurisë në punë, por sot është e pamundur me kaq shumë kantierë që kemi hapur dhe s'ka në asnjë vend të botës.
 
Ndër të tjera jeni akuzuar për bllokimin e dy emisioneve, 2 televizione të ndryshme. Në A1, në mos gaboj dhe javën e kaluar për një emision tjetër, në Vizion Plus. Ok, hera e parë, por hera e dytë mund të quhet rastësi dhe të lidhen të dyja më të njëjtën ngjarje? Cili është versioni juaj?
Siç e dëgjuat nga ish-kryeministri, sigurisht që shkon gjuha atje ku dhemb dhëmbi dhe është më e thjesht të akuzosh të tjerët, për gjërat që i ke bërë vetë. Kush më njeh nga kolegët dhe sot, fatmirësisht, më njohin shumë veta, e di që është gjëja e fundit që unë kam merak se çfarë do të thonë njerëzit, se çfarë do shkruajnë, se çfarë do të jetë shpifja e radhës. Siç thashë, kam pasur 150 protesta deri më sot, nëse do e humbisja fokusin në drejtimin e Tiranës për të bërë shkolla, për të bërë kopshte, për të bërë çerdhe, për të bërë këndet e lodrave, për të rehabilituar blloqet e pallateve, po ta kisha humbur këtë fokus sigurisht do më kishit parë duke u përleshur me secilin prej shpifësve të radhës.
Nuk e bëj këtë gjë! Është një sport që nuk e praktikoj dhe në qoftë se sot provohet që unë të kem marrë Koço Kokëdhimën, ose Dulakët për një gjë të tillë (shumica e publikut i di debatet e mia me këta zotërinj dhe mund t'ju them që sot jemi në marrëdhenie konfliktuale, jo marrëdhënie miqësore); pra, jo t'ju kërkoj, por as s'kam komunikim. Dihet fare mirë çfarë janë marrëdhëniet e mia me ndërtuesit dhe sidomos me ish-drejtorin e Ujësjellësit, që sot është drejtor i televizionit të Koços. Kështu që, absurditet më të madh, pra as nuk e kam zakon, as nuk e kam politikë dhe për më tepër me njerëz që nuk kam asnjë pikë komunikimi.
Nëse provohet që unë të kem bërë një telefonatë, një sms, një influencë të çfarëdoshme, unë e lë këtë punë, le të vijë ta bëjë dikush tjetër që është më i mirë se unë, por që të aludohet, për një njeri që është mësuar dhe që tashmë e paguan çmimin e linçimit dhe e kryqëzimit publik për çfarëdo lloj gjëje, nga një banjo plastike, deri tek një pemë e mbjellë, unë këtë çmim e paguaj me kënaqësi dhe fakti që nuk e kam humbur fokusin deri më sot besoj që është përkthyer me më shumë punë në Tiranë. Kështu që, as sot s'kam për ta humbur fokusin, mund të shkruajnë dhe të flasin çfarë të duan, për sa kohë që Tiranës i shkojnë punët mirë, unë po bëj detyrën time. Nëse gjen një njeri që e bën me më shumë përkushtim, është më i aftë se unë në këtë punë, bujrum le të vijë ta bëjë dhe le të provojë që unë e kam bërë këtë gjë, por nuk ka ndodhur.
Vendimi ideal sot do ishte që Tirana të kishte 60 milionë euro dhe të bënte një landfill të ri, të bënte rikthimin e mbetjeve në energji, që sot nuk i ka këto mundësi. Kjo është arsyeja se pse në një kohë rekord po ecim me Ministrinë e Mjedisit dhe me qeverinë shqiptare që të akordohet të paktën një proces disa-vjeçar ku ndër vite të kemi mundësi të paguajmë. Ne taksat s'i rrisim dot, sot ajo që njerëzit paguajnë, 400-lekëshi i mbetjeve, vetëm nga familjet me marrëdhënie pune se ata me ndihmë ekonomike, pensionistë nuk paguajnë, mezi del dhe për t' i mbledhur, jo më për t'i përpunuar. Kështu që, sot jemi në një situatë totalisht emergjente.
Menaxhimi i Sharrës bëhet vetëm që Napoli dhe Beiruti mos të kthehet në Tiranë. Më vjen mirë që njerëzit thonë, Tirana është më e pastër dhe, sa mirë që nuk e dinë se çfarë heq bashkia për t' u siguruar që qyteti është i pastër, por le të pranojmë, diku shkojnë. Nuk kemi sot një fabrikë, as riciklimi, nuk kemi sot as një fabrikë incenerimi, nuk kemi sot as një rikthim në energji, as të gazit metal, as të biogazit, të gjithë këto teknologji që bota e avancuar ka. Unë e kuptoj, 4 vjet, mënyra më e mirë për të mos u atakuar është futja e gjumit dhe mos bëj asgjë. Unë kam vendosur që të bëj gjëra, por po bëre gjëra edhe do sulmohesh.
Historia hyp se të vrava, zbrit se të vrava, nuk ka për të mbaruar ndonjëherë dhe arsyeja pse them, unë jam i pari që, edhe nga koha në opozitë, që e kam shumë të qartë që sot, në qoftë se ke diçka për të thënë, sot nuk të ndalon asnjë dhe më duket një alibi qesharake kur thuhet që dikush ka ndërhyrë dhe sidomos dhe kë kanë gjetur, persona, me të cilët nuk kam sot të bëj fare, as fizikisht, as moralisht, as shoqërisht, dhe prandaj nuk ngjit. Për më tepër që shumë prej këtyre personazhe i njoh, edhe nga karriera e tyre politike. Ndaj, organizimi i një lloj histerie kolektive me politikanë të opozitës, me ish-stafin e tyre që sot dublohen si gazetarë të pavarur, nuk ngjit. Thuaje ç'ke për të thënë, thuaji të gjitha mallkimet, bëje të gjithë politikën e hienës, por mos sajo gjëra që nuk ngjisin.
 
Pyetja që ju më keni drejtuar është, nëse do të zgjidheni kryetar, si do e përballoni krizën në Tiranë me një bashki të falimentuar. Atëherë isha shumë optimist, ende jam optimist, jam optimist kronik nga natyra, por atëherë thoja, të fitojmë njëherë pastaj si do e zgjidhim. Mu kujtua fjala juaj në momentin që hyra në detyrë dhe pashë financat e bashkisë, totalisht e falimentuar. Dhe, kur erdha herën e dytë në emision, prapë me ju, pyetja është tani që u përplasët me realitetin dhe tu përplas realiteti në fytyrë, një bashkie të shpartalluar, tani çfarë do bësh?
Përgjigja ime ishte, do gjej mënyra kreative. Për sa kohë që çdo donacion i Bashkisë së Tiranës, i të 23 kopshteve që sapo mbarova, i të 31 çerdheve që bëra vjet, është i reflektuar. Pra, sipas mundësisë, kompani bankare, kompani celulare, kanë adoptuar një shkollë, një kopsht, një çerdhe, një kënd lodrash, një sasi të caktuar pemësh dhe secila është sot e kuantifikuar në bashki. Nuk e kam fare problem t'i kërkoj çdo lloj privati për të dalë nga një krizë. Për rrugën "Dritan Hoxha" u sulmova pa fund në fillim, por Tirana duhet të kishte një hyrje dinjitoze. Ishte si një pistë avionash në Kubë, pa ndriçim, një tmerr. Sot është më dinjitoze. Ama, secila kompani, nga kompania celulare, që dha kangjellat, tek ai që dha trotuaret, tek ai që bëri ndriçimin, është në bashki.
 
Mund të ketë një konflikt interesi, këto janë kompani që nesër potencialisht mund të kenë punë në bashki...
Së pari, prokurimet nuk bëhen fare në bashki, prokurimet bëhen në një sajt të qeverisë, që është APP. Së dyti, shumica e kompanive, sidomos që janë degë e kompanive të huaja e kanë zë në buxhet atë që quhet përgjegjshmëria sociale e kooporatave. E vetmja gjë që ne po bëjmë është t'ju themi, me ligjet e shteti shqiptar ju keni detyrim të jepni diçka mbrapsht në komunitet. Bashkia e Tiranës iu jep maket, si e duam kopshtin, si e duam çerdhen. Kështu që në pjesën më të madhe e kanë në buxhete që s'i shpenzojnë kurrë. Deri dje me këto buxhete financoheshin miset, më mirë të bëhen kopshte edhe çerdhe. Po, kjo bashki ka qenë hiperefiçente në maksimizimin e fondeve të koorpotave, por nëse ju më gjeni që bashkia ka ndërruar kompani celularë, ose mud të ketë ndërruar vendet ku merren rrogat prej këtyre donacioneve aty pastaj tërhiqem.
 
Nëqoftëse çështja e djalit që ka humbur jetën nuk do ishte ngacmuar nga media, nga ato pak media që e ngacmuan, a nuk do kishte rrezik që ajo çështje të mbulohej fare, mos fliste asnjeri?
Nuk është fare ashtu sepse hetimi ka nisur që të nesërmen. Që të nesërmen i kemi mbyllur të gjitha operacionet në Sharrë. Kjo sigurisht që përbën problem se tani po bëhen plehrat kapicë në Sharrë. S'është zgjidhje, por nuk kemi zgjidhje tjetër. Kemi bllokuar ndërhyrjen, praktikisht çdo gjë bëhet vetëm mullar aty, pa asnjë ndërhyrje, pse? Sepse duam të presim të mbarojë ky hetim. Sa s'ka mbaruar ky hetim, aty do bëhen plehrat mullar. Kjo s'ka asnjë diskutim. Hetimi filloi që të nesërmen.
Bashkia ka qenë jashtëzakonisht bashkëpunuese. Kam komunikuar me prokurorinë, i kam thënë çfarë këkese doni? Hartuan të gjitha kërkesat, kemi çuar materiale më tepër se ç’kanë kërkuar, pikërisht për t'i shkuar kësaj historie deri në fund. Ajo që na rezultoi është që në fakt, ngjarja ka ndodhur shumë larg vendit ku ka qenë vendi i punës, në një orar që nuk ka qenë orari i asaj pune, megjithatë, kush jam unë këtu sot që të nxjerr histori hetime. Le të dalë hetimi deri në fund dhe në vazhdim në qoftë se prokuroria ka një pretendim, një gjysmë gishti, ta thotë publikisht dhe unë mbaj përgjegjësi për pretendimin që ka prokuroria, por më rezulton që kemi respektuar çdo afat.
Sigurisht, çdo institucion i rrethuar nga një histeri publike dhe në momentin që ka pasur kaq shumë spekulime patjetër që secili bën aludimin e vet. Unë besoj që në fund të ditës, kur të mbarojë gjithë kjo histori, si çdo histori tjetër, kam qenë në të njejtën bankë e të akuzuarish publikisht, për këndin e lodrave, për betonizimin, për çdo lloj projekti. Kam duruar të gjitha, kam gëlltitur dhe s'kam thënë gjithçka kam ditur, por ama do t'i shkojmë deri në fund. Në fund fare pastaj do të kem edhe unë mundësi të flas fjalën time të fundit.
 
Ka një pikë që është fakt. Fakt është ai djali që është nën moshë dhe sigurisht kjo për mua, se incidente në punë ndodhin kudo, vetëm fakti që ai ka qenë nën moshë jep një dimension human shumë më të thellë. Unë mendoj se nga pikëpamja njerëzore, një sy i qetë, civil që nuk ngarkohet as nga ata që ju shajnë dhe as nga ata që ju lavdërojnë, thotë ok, po ky djali, në çdo rast, ishte nën moshë...
Kjo është ekzaktësisht arsyeja pse duhet t'i shkojmë hetimit deri në fund. Arsyeja pse e përsëris disa herë, që duhet t'i shkojmë hetimit deri në fund, për të gjitha këto pyetje që ju ngrini. T'i shkojmë hetimit deri në fund dhe pastaj ndoshta do flasim të gjithë shumë të qetë, shumë të qartë dhe pa emocione për këtë histori. Është shumë e rëndë, është shumë e dhimbshme, por besomë që duhet t'i shkojmë hetimit deri në fund. Kam parë shumë gjëra në këtë vend që përdoren politikisht, kam parë shumë hijena politike që vrapojnë mbas çdo viktime si nekrofil, si agjenci funerale për të kapur fitimin e asaj humbje, megjithatë i kam gëlltitur të gjitha këto sepse jam shumë i duruar për t'i shkuar deri në fund kësaj historie.
 
Në kulmin e debatit për mbetjet ju kaluat në Këshillin Bashkiak krijimin e një kompanie, Eco Tirana, në bashkëpunim me Bashkinë e Veronës. Edhe këtu në fakt kjo gjë u prit me shumë skepticizëm. Pra në kulm të këtij debati për mbetjet që gjithë sondazhet, edhe ne që i kemi bërë këtu në Top Channel, tregojnë që shumica e njerëzve në rastin më të mirë janë skeptikë, në rastin më të keq shumica janë kundër, ndodh një gjë e tillë. Pra duhet një guxim të shkosh kaq shumë kundër rrymës, sidomos kur drejton një institucion publik, pasi shkoni kundër opinionit publik në përgjithësi skeptik ndaj kësaj çështje.
Unë nuk jam këtu që t’i shkoj nga pas opinionit publik, jam këtu që ta drejtoj Bashkinë e Tiranës dhe sigurisht të drejtosh dhe të marrësh vendime do të thotë që marrësh informacione të saktë, të shohësh të gjitha opsionet dhe të zgjedhësh opsionin më të mirë. Edhe këndi i lodrave nuk ishte popullor 100 ditët e protestës, u bë popullor pasi mbaroi. Detyra e një lidershipi është të shohë një vizion tjetër që ndoshta njerëzit nuk e shohin, por që t’i për shkak të detyrës, të informacionit që ke por edhe të vendimmarrjes, të kërkohet që t’i çosh njerëzit drejt atij vizioni. Ajo që ne kemi bërë nuk është shtesë në problem, është zgjidhje e problemit. Pra praktikisht që jo 99.9 % e plehrave të shkojnë të gjitha në Sharrë, por të shkojnë vetëm 60%, ndodh ndarja në burim.
Së dyti, adreson pikërisht të gjitha këto shqetësime, por ju keni thënë 1/100 e shqetësimit që unë kam me privatët. Por ky është vendi, kjo është Shqipëria, këta kanë qenë kontraktorët që merren me këtë punë dhe që kanë licencat për këtë punë. Pra bashkësia e njerëzve që merren me këtë lloj biznesi janë këta dhe kjo është arsyeja pse thashë, e di çfarë? Në djall kjo histori, më mirë e bën vetë Bashkia. Ajo që kemi bërë është një kompani publike. Pra Bashkia tani po e merr vetë këtë përgjegjësi se sa t’ia lërë kontraktorëve që duhet t’u rrish si qen roje nga mbrapa. Pra ne kemi ofruar zgjidhje.
 
Pra ajo që ndodhi në Sharrë ka ndikuar te kjo vendimmarrje e Bashkisë?
Aspak. Kjo ka filluar në tetor, vjet. Ka qenë kryetari i Bashkisë së Veronës këtu, kam vajtur e kam parë në Veronë dhe e kemi vendosur që se sa këto para t’ia japim privatëve (flas për pastrimin brenda kryeqytetit, jo Sharrën), më mirë e bëjmë këtë pastrim vetë, më me cilësi dhe me njerëz që i kontrollojmë. Nuk më bëre punën, të heq nga puna. Sot një privati nuk ke fare çfarë i bën se ai thotë: “Unë e kam fituar kontratën me kryetarin e vjetër të Bashkisë, ti nuk ke çfarë më bën, unë të çoj në gjykatë, më sill paratë këtu”, pavarësisht se ti nga cilësia je komplet i pakënaqur. E vetmja mënyrë për t’iu shmangur kësaj, të mos shkonim në një skenar Napoli ku fillimisht ata konkurojnë, meqë sistemi është elektronik, konkurojnë kush e ka më të ulëtin, pastaj dhe çfarë fitimi do të nxjerrin vetë, pastaj nuk iu ngelet fare para për punëtorët dhe për gjithë pastrimin dhe Tirana ishte ajo që gjetëm në 2015.
Është më e mirë sot sepse sigurisht ne bëhemi qepaze duke i ndenjur te koka, por kjo nuk mund të vazhdojë kështu. Në qoftë se kryetari duhet të merret personalisht vetë më 100 kantieret, një shtet modern nuk funksionon kështu. Kështu që thamë, nuk jeni të aftë për këtë punë, po e bëjmë vetë. Flitet për një ndërmarrje publike, 50 me 50. Bashkia e Veronës është bashkia më e pastër sot, e cilësuar në Itali dhe me koston më të ulët të pastrimit. Pra ka treguar një sistem eficence. Pra, jo vetëm që s’i kemi shtuar problemet, jo vetëm që s’i kemi adresuar, jo vetëm që në këtë rast s’kemi shkuar kundër rrymës së opinionit publik, përkundrazi, kemi bërë pikërisht këtë, nuk bëhet me këto kompani, do ta bëjmë vetë. Vetëm duke pasur kontrollin vetë ne mund të sigurohemi që nuk kemi shkelje si të gjitha këto që kemi përmendur dhe shumë të tjera që jam shumë herë më i shqetësuar se kushdo analist në këtë vend, për çfarë kanë bërë privatët.
Nga muaji tjetër poshtë pallateve do të kemi dy lloj kazanësh; njëri blu, i cili është për mbetje që nuk riciklohen, pra që janë organike, dhe një i gjelbër, i cili është për çdo mbetje që mund të riciklohet, si letër, plastikë, karton. Pse? Sepse duke i diferencuar atëherë në landfill shkojnë sa më pak plehra.
Pra në situatën e emergjencës që kemi sot duhet të çojmë sa më pak plehra në Sharrë deri sa të kemi aprovuar një landfill të ri që pastaj mund të bëjë një përpunim teknologjik shumë më të sofistikuar dhe të na shpëtojë nga një kataklizmë që na pret me situatën që kemi sot në Sharrë. E kemi nisur që tani edukimin në kopshte. Pse? Fëmijët i kuptojnë më shpejt këto gjëra. Një i rritur që gjithmonë i ka hedhur plehrat në një vend, ndoshta është i pa predispozuar. Fëmijët janë shumë më të gatshëm. Fëmijët janë shumë më të prirur të përqafojnë iniciativa të reja. Ndoshta në vend që prindërit të mësojnë fëmijët për ndarjen e mbetjeve, me shumë gjasë do të përfundojë që fëmijët do të mësojnë prindërit se si gjithë bota e civilizuar e bën. Kështu që kjo jo vetëm nuk e shton problemin, por them se ky është një kontribut konkret për zgjidhjen e kësaj drame që kemi në qytet.
Jam jashtëzakonisht i keqardhur me këtë që ka ndodhur, por kam një arsye pse them: Duhet të presim të mbarojë hetimi zyrtar dhe sigurisht, sipas vendimeve të hetimit, do të marrim dhe veprimet e tjera. Por kam një arsye që insistoj dhe them, të presim të mbarojë sepse çfarë nuk kam dëgjuar, si gjithmonë fundja. Ky është një cikël që përsëritet. Nuk është hera e parë që sulmon me këtë metodë të ndyrë dhe me këtë përdorim të këtyre rasteve, nuk është hera e parë. E kam parë këtë film edhe më përpara dhe duke qenë se e kam parë këtë film dhe ia di fundin, po them le të presim si do të mbarojë kjo histori.
 
Po lidhur me konsultimet publike dhe privatizimin e UKT?
Për ligjin e konsultimit publik, Plani Urbanistik është ndoshta Plani Urbanistik më i konsultuar ndonjëherë në Shqipëri. Nuk më rezulton që në bashkitë e tjera keni parë konsultime të kësaj natyre ku tre herë kemi bërë vetëm tryeza ditore, pra jo vetëm 1 orë për të kaluar, por ditore me të gjithë ekspertët, 24 në çdo njësi dhe në total pastaj në nivele të fushave specifike, mbi 100 konsultime vetëm për planin urbanistik që arkitekt Boeri prezantoi versionin final të hënën dhe që është sot në një uebsite; pra ka një faqe të dedikuar dhe në çdo moment mund të shkosh ta konsultosh, Tirana 030. Të gjitha materialet e planit janë aty dhe të gjitha vërejtjet dhe konsultimet janë aty.
Nuk besoj ka pasur një kryetar tjetër bashkie që të ketë bërë konsulta jo vetëm me Bashkinë dhe Këshillin Bashkiak, por deri në nivel lagjeje se çfarë do të bëjmë ne te kjo lagje, cila shkollë, cili ujësjellës e kështu me radhë. Unë besoj si për çdo gjë, jam i sigurt që po të të vihet sot e gjithë kjo lukuni, me bukë në trajse dhe të thotë që ti je një burrë i poshtër, që ti ushtron dhunë në familje, për një pjesë të njerëzve, sigurisht balta do të ngjisë sepse ti teksa je duke bërë punën tënde dhe duke qëndruar i fokusuar në misionin që ti ke në jetën tënde dhe në shërbimin tënd publik apo në angazhimin tënd publik, sigurisht është një lukuni e papunë që me statuse që sigurisht mund të cënojë.
Por në fund fare dy vendime ke: unë kam parë që qeni i leh njeriut, por që njeriu t’i lehë qenit nuk kam parë dhe unë nuk i leh dot qenit mbrapa. Do të thotë që dy vendime ke: o i leh qenit dhe degjeneron edhe ti në atë; ose vazhdon misionin tënd, i mban sytë te finishi dhe kur e arrin atë qëllim thua, ja produkti me të cilën kam punuar teksa të tjerët shanin.
Faktet tregojnë se ne kemi konsultim publik, faktet janë që kanë qenë publike vizita ime në Verona, vizita e Tosi-t këtu, rikthimi prap i Tosi-t këtu. Në Këshill Bashkiak Eco Tirana e kemi kaluar 3 herë, kohë përpara se të fillonte ngjarja në Sharrë. Në këtë aspekt është ezauruar dhe në momentin që ia ke dhënë të gjithë Këshillit Bashkiak të gjithë themelimin e dy agjencive tona. Shumë shpejt do t’ia shohim dukun se si Tirana është sot më e pastër, por do të jetë edhe më e pastër. Besoj që kemi marrë vendimin e duhur.
Për çështjen e ujësjellësit kam qenë shumë i qartë, kemi pasur një shprehje interesi të njëanshme. Sot në fakt janë bërë katër kompani që kanë pasur interes, dy europiane dhe dy aziatike. Së pari, le të pranojmë që ky është një lajm i mirë, që një kompani publike bëhet atraktive në treg sepse deri dje kemi pasur kompani të falimentuara që mbaheshin me injeksion, që vidheshin. Sot fakti që kompania e Ujësjellësit të Tiranës është bërë atraktive dhe po del me fitim është lajm i mirë.
E dyta, këtu nuk bëhet fjalë për të shitur 100 % të aksioneve dhe për të humbur kontrollin apo çfarë është më e rëndësishmja, për të humbur menaxhimin. Këtu bëhet fjalë për një paketë, nëse do të vinim në një ofertë që sigurisht do të ishte e kënaqëshme, e cila do të përkthehej në investime për Tiranën. Pra nuk do të humbisnim fuqinë dhe kjo është arsyeja pse për industri të tilla ka një ent dhe enti i ujit, siç është enti i energjisë, janë në fakt ata që bëjnë rolin rregullator.
Detyra ime është që ta furnizoj Tiranën me ujë. Po si bëhet ky furnizim me ujë, me gypat e gizës që kemi nga koha e xhaxhit? Ku gjenden sot 200 milionë euro për ta bërë Tiranën me ujë 24 orë? Në qoftë se do të kënaqemi që Erioni e ka çuar nga 7 orët e Lulit, në 13 orë, dakord, këto janë mjaftueshëm për të fituar zgjedhjet, por jo për të fituar gjëneratën tjetër.
Pra gjenerata tjetër fitohet duke marrë një vendim të guximshëm dhe themi, në qoftë se kjo kompani sot është shëndoshur financiarisht, sot është konsoliduar dhe sot ka tërhequr disa nga kompanitë kryesore në botë që merren me këtë çështje dhe që mund ta bëjnë akoma më eficente. Këtu nuk bëhet fjalë për të rritur çmimin e ujit. Jo, këtu bëhet fjalë, siç e kemi një hidrocentral i quajtur Hidrocentali i Lanabregasit, i cili para se uji të hyjë në tubacione, në depo, prodhon menjëherë 5 mega energji që fitojmë, a mund të bëjmë dhe dy-tre të tjerë. Pra këtu bëhet fjalë për ta shtuar fuqinë fianciare të ujësjellës-kanalizimeve të Tiranës dhe ato para që ne marrim nga paketa, t’i çojmë në investime për Tiranën. Ku do të shkojnë ato para? Më shumë asfalt, më shumë shkolla, më shumë kopshte dhe sigurisht më shumë rrjet ujësjellësi.
Pra, sot me fuqinë financiare që kemi nuk aksesojmë dot tregun e kredive. A e dini këtë? Sot qeveria ka kapur tavanin e borxhit, jo për faj të saj sepse duhet të lajë ende borxhet e qeverisë së kaluar, por e vërteta është që kur qeveria e madhe nuk merr dot borxh, harroji bashkitë të marrin më borxh. Dy mundësi ka: partneritet publik-privat, ajo që po bëjmë me 20 shkollat ku ne po i themi, eja, ndërto shkollën, por ama paratë do t’i jap për 10 vjet, siç e kanë bërë në Kroaci, në Izrael, në Turqi. Pse? Unë si kryetar bashkie kam mision të marr shkollat dhe të shpëtoj Tiranën nga mësimi me dy turne dhe për sa kohë që buxheti im nuk ndryshon dhe në vend që të bëj 1-2 shkolla në vit, këtë fond e përdor për këste për të 20 shkollat, në 10 i vjet i kam paguar të gjitha, por ama i marr për 1 vit shkollat dhe ikën mësimi me dy turne.
Kjo është një mundësi, pra të futesh në një partneritet të tillë ku pagesat, dhe shkojnë ata në bankë e marrin kredinë dhe jo unë sepse banka nuk më qas në derë, sepse qeveria nuk më jep garanci sovrane, me të drejtë, prej tavanit të borxhit. Dhe e dyta, mundësia tjetër është që disa asete publike, fjala vjen, duke futur Tosi-n aksioner, praktikisht kam dyfishuar buxhetin tim që kisha vjetor, për pastrimin. Sigurisht, kjo ndërmarrje do të shkojë dhe tek privatët që mund të kenë mbetje industriale, që mund të prodhojnë me shumicë. Ne themi, shiko, të bëjmë një kontratë? Ti nuk i hedh më në kazan sepse normal nuk mundet një fabrikë të hedhë gjithë copat e lëkurës në kazanin e familjarëve, ashtu siç ndodh sot. Kështu që e vetmja mundësi që kam është partneriteti publik-privat apo ndërmarrje publike si rasti konkret, në pamundësi për të aksesuar.
 
Kalojmë te plani rregullues...
Për çështjen e planit propozojmë që kjo Tirana e mbingjeshur duhet të ketë një valvul shkarkimi dhe propozimi ynë është që të shkojmë në një Tiranë policentrike, por kësaj here edhe me paketën e investime. Do të thotë, Lapraka duhet të funksionojë si një qendër e pavarur, Kombinati si një qendër e pavarur, Kinostudio si një qendër e pavarur, Farka, Qyteti Studenti si një qendër e pavarur, Bulevardi i Ri si një pol tjetër. Vetëm duke e ndarë në këto pole dhe duke çuar dhe investimet përkatëse, do të thotë piaza-t, shkollat e reja, shërbimet spitalore-shendetësore, duke inkurajuar degët e bankave, vetëm atëherë mund të kemi një çlirim nga kjo dyndje që kemi në Tiranë. Ky është një propozim shumë i guximshëm.
Propozimi i dytë shumë i guximshëm ka të bëjë me atë quhet pylli obital. Agjencia e Mjedisit të Ministrisë së Mjedisit ka bërë matjet elektronike që janë çertifikuar nga BE, në Tiranë sot është 15% ajri më i pastër, trendi i parë që shkon mbrapsht në 25 vjet, pra gjithmonë ka qenë në rritje, hera e parë që sprapset. Do të thotë që disa nga politikat tona për të kufizuar trafikun në disa zona të qendrës, për të shpallur disa zona pedonale, për të bërë më shumë ditë pa makina, për të inkurajuar parkingun me pagesë, kanë qenë të suksesshme. Ajo që zbuluam është që e paskemi vetë në dorë punën e ajrit, mjafton më shumë politika të tilla që sigurisht, fillimisht përballen me një histeri, por siç iu thashë, fëmijët i kuptojnë gjërat ndonjëherë më shpejt se të rriturit dhe përqafimi që kemi pasur nga publiku, të këtyre formave të reja të mobilitetit, ka prodhur këtë rezultat.
Tani çfarë ndodh? Ndodh që Tirana, nuk ka qenë kjo që është sot. Së pari, s’ka pasur asnjë kompetencë të bashkisë mbi ato që sot janë komunat që i janë bashkuar Tiranës, shihni Kasharin, Farkën. Nuk ka pasur gjë në dorë bashkia nga mbytja që i është bërë. Propozimi i planit tonë është që Tirana duhet të ketë një kufi, midis urbanes dhe rurales. Kemi bërë një propozim shumë të guximshëm për të mbjellë 2 milionë pemë në 15 vitet e ardhshme. Është i guximshëm sepse ne tashmë kemi thyer një rekord me 1000 pemë në muaj, por nuk del për nevojën. Jemi aq mbrapa, se 1000 pemë mund të jenë shumë më mirë se ç’kishim katër vitet e fundit, por sot që jemi në vitin e dytë duhet të krahasohemi me veten, nuk krahasohemi dot me gërhimën. Kjo është arsyeja pse plani propozon që një pjesë e madhe e fokusit të Tiranës duhet të jetë në një që quhet pyll orbital që të kufizojë qytetin dhe të thuhet, ky është qytet.
 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet në Kosovë/ Deputeti i LDK-së: Kurti ka blerë 582 milionë € energji në bashkëpunim me kompani serbe! Në dialogun me Serbinë sillet si ‘one man show'

Zgjedhjet në Kosovë/ Deputeti i LDK-së: Kurti ka blerë 582 milionë € energji në bashkëpunim me kompani serbe! Në dialogun me Serbinë sillet si ‘one man show'