TIRANË - Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj vizitoi në Vaqarr biznesin e materialeve elektrike për ndriçimin e qyteteve përfitues të fondit të nxitjes të zhvillimit. Në këtë biznes janë punësuar 60 persona mes tyre dhe 20 të rinj pas aplikimeve në zyrën e punës. Ngritjen e biznesit të materialeve elektrike Veliaj e cilësoi model suksesi.
 
“Nëpërmjet strategjisë tonë për zyrat e punës dhe Fondit të Nxitjes së Punësimit, kemi investuar në biznese të tilla si ky, ku punësohen të rinj dhe sjellin risi në përdorimin efiçent të energjisë. Më vjen mirë që Fondi i Punësimit ka rezultuar i suksesshëm dhe që 24 të rinjtë e punësuar këtu u shprehën të kënaqur”,- tha Veliaj.
 
Ministri Veliaj njëkohësisht kandidat i koalicionit të majtë për kryebashkiak në Tiranë, tha se bizneset për punësimin e të rinjve duhet të mbështeten financiarisht jo vetëm nga qeveria, por edhe Bashkia e Tiranës dhe njësitë vendore.
 
“Ka ardhur koha që, jo vetëm qeveria qendrore, por edhe ajo vendore, duhet të promovojë dhe investojë në ato kompani që punësojnë të rinj dhe sjellin risi në menaxhimin e qyteteve tona.”
 
Ndër të tjera Veliaj u shpreh se këto biznese jo vetëm sjellin të ardhura, por ndikojnë edhe në mbrojtjen e ambientit.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)