Shkolla e re “Servete Maçi” në Rrugën e “Dibrës” po merr formën e saj përfundimtare dhe shumë shpejt do të jetë një nga shkollat më të mira të Tiranës, si për nga cilësia, edhe standardet mësimore. Ajo do të jetë një konkurrente e fortë edhe për shkollën “Kosova”, e cila u ndërtua pak muaj më parë dhe sot vlerësohet si shkolla më e mirë e kryeqytetit.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u shpreh se shkolla e muzikës “Servete Maçi” do të jetë më e bukura në vend. I shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, kryebashkiaku inspektoi punimet e deritanishme dhe shtoi se parimi është që çdo shkollë që ndërtohet në Tiranë të jetë më e mirë se paraardhëset.
“Kishte ardhur koha që shkolla “Servete Maçi” të merrte një pamje dinjitoze. Është filluar nga zero. Për këdo që është cinik, dyshues, për këdo që edhe për këtë zonë këtu thoshte do bëjnë ndonjë pallat, ja ku jemi sot! Në fakt, është një pallat, por pallat arsimor, i cili ka për herë të parë palestër, një sallë koncertesh, ashensor për personat me aftësi të kufizuara dhe salla kompjuterësh. “Servete Maçi” do të jetë shkolla më e mirë në Tiranë. Parimi ka qenë: çdo shkollë e re të jetë më e mirë se ajo që bëmë përpara. Kështu që, “Servete Maçi” do jetë më e mirë se shkolla ‘Kosova’”, tha Veliaj.
Ai theksoi se modeli dhe standardi i lartë i ndërtimit të objekteve arsimore do të shoqërojë të 17 shkollat e reja që do të ndërtohen në gjithë Tiranën. “Shkolla që do ndërtojmë në “Don Bosko” do jetë me e mirë se “Servete Maçi”, kurse ajo e Kodër-Kamzës, do jetë më e mirë se të gjitha bashkë. Pse e them këtë? Sepse kush ka jetuar në Tiranë këto 4 vite dhe ka parë me sytë e tij zhvillimin, kupton se ata që sulmojnë sot shkollat janë të njëjtët ata që sulmonin deri dje sheshin, Pazarin e Ri, lodrat te Liqeni. Të njëjtat fytyra, të njëjtët personazhe; as nuk marrin mundimin të ndërrohen. Përgjigjja jonë është: shiheni punën, siç e meriton ky komunitet, e meriton dhe Kodër-Kamza”, shtoi më tej kryebashkiaku.
Duke u ndalur te projekti tjetër për ndërtimin e shkollës së integruar në Kodër-Kamëz, Veliaj tha se ajo jo vetëm që do t’i shërbejë 30 mijë banorëve të zonës, por do t’i shërbejë më së shumti fëmijëve për t’u arsimuar me të njëjtat standarde, si dhe bashkëmoshatarët e tyre në qendër të Tiranës. “Kodër-Kamza nuk mund të jetë kontigjent për protesta të dhunshme; Kodër-Kamza ka të gjithë potencialin për çuna dhe goca me talent, që nesër mund të bëhen doktoresha, kryetarë bashkie, inxhinierë, dhe nuk ka asnjë arsye pse disa komunitete t’i diskriminojmë duke i futur në një xhep, dhe duke thënë se ata i kemi për protesta dhe shkatërrim. Ndërkohë, unë besoj se Kodër-Kamza sot ka një potencial fantastik që nxënësit e atij komuniteti të nxjerrin nga varfëria dhe nga ky kurth jo vetëm veten e tyre, por edhe familjet e tyre”, shtoi Veliaj.
Kryebashkiaku theksoi se në fund edhe të këtij debati historia do t’i ndajë njerëzit në ata që e duan shkollën dhe në ata që janë kundër saj. Ndaj, ai ftoi banorët dhe çdo zë të arsyeshëm të mbështesë projektin e Bashkisë së Tiranës për ndërtimin e shkollave të reja, që do t’i japin fund mësimit me dy turne dhe do t’i japin një hov tjetër cilësor mësimdhënies në Tiranë.
“Në fund të ditës, kur të shkruhet historia, nuk ka kohë njeri të merret me detaje: do t’i ndajë kush ndërtoi shkolla, e kush pengoi shkollat. Kaq e thjeshtë është historia! U bëj ftesë të gjithëve të kalojnë në anën e atyre që ndërtojnë shkolla, jo të atyre që pengojnë shkollat. Për sa kohë qeveria i ka shpronësuar, për sa kohë bashkia po e bën në terren privat, çdo fantazi e atyre që e kishin mundësinë ta ruanin Universitetin Bujqësor, por që me 200 ndërtime pa leje, duke bërë pazar me çdo bingo, me çdo pikë bastesh, me çdo “strip club”, mejhane, dhe me çdo ndërtues që ia kaparonte pronat afër, u diskredituan 30 vite. Të pafuqishëm për të ndaluar privatin, mundohen të lënë fëmijët e vegjël që duan të shkojnë në shkolla cilësore si “Servete Maçi””, vijoi ai.