SPAK nuk e ka miratuar kërkesën e Këshillit Bashkiak që Erion Veliaj të marrë pjesë fizikisht në mbledhjen që do të mbahet ditën e nesërme ku do të diskutohet për buxhetin 2026. Burime pranë SPAK thonë se prokurori Dado nuk është shprehur për kërkesën tjetër, atë të një komunikimi online për shkak se thotë se nuk e përmend si kompetencë kodi i procedurës penale. Sipas Kodit prokurori i çështjes vendos për një të paraburgosur vetëm për lejet speciale dhe takimet e veçanta.
Në kërkesën e firmosur nga 22 anëtarë socialistë thuhej se pjesëmarrja e Kryetarit të Bashkisë është një e drejtë funksionale e garantuar me ligj, e nevojshme për prezantimin e drafteve, buxhetit, raportimeve vjetore dhe çështjeve të administrimit të njësisë së vetëqeverisjes vendore.
Kërkesa për të marrë pjesë në këtë mbledhje të rëndësishme erdhi pas vendimit të 3 nëntorit nga Gjykata Kushtetuese, e cila i dha të drejtë Veliajt dhe e la në detyrë si kryebashkiak i Tiranës. Gjykata rrëzoi vendimin e qeverisë për shkarkimin e tij dhe dekretin e presidentit për shpalljen e zgjedhjeve.
Veliaj ndodhet në paraburgimin e Durrësit prej muajit shkurt. Dosja në ngarkim të Veliajt është në seancë paraprake ndërsa akuzohet për pastrim parash, mosdeklarim pasurie, korrupsion pasiv në 9 episode, shpërdorim detyre si dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli.

Erion Veliaj gjatë shoqërimit në Kushtetuese
Prokuroria e Posaçme ka refuzuar kërkesën e kryebashkiakut të Tianës, Erion Veliaj për tu takuar me përfaqësues të Komitetit të Monitorimit të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës. Ata kanë zhvilluar një vizitë në Shqipëri në datat 17-19 nëntor.
SPAK thotë se ka refuzuar kërkesën e Veliajt, duke specifikuar se kryebashkiaku Veliaj nuk kishte specifikuar në kërkesë emrat e monitoruesve që dëshironte të takonte.
Nga ana tjetër, Prokuroria e Posaçme sqaron se nuk ka pasur asnjë kërkesë nga përfaqësuesit e Komitetit të Monitorimit të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të KiE për tu takuar me Veliajn.
Reagimi i plotë i SPAK
Në përgjigje të kërkesave tuaja- Në datën 11.11.2025, përmes një kërkesë dërguar Prokurorisë së Posaçme, i pandehuri Erion Veliaj ka kërkuar lejimin e një takimi zyrtar me përfaqësues të Komitetit të Monitorimit të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës gjatë vizitës së tyre në Shqipëri, pa specifikuar emrat e tyre.
Prokuroria e Posaçme e ka refuzuar kërkesën e tij më datë 18.11.2025, duke e mbështetur në ligjin nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve” (nenet 49 pika 1 dhe 73 pika 1 dhe 2) dhe VKM nr. 209/2022.
Sjellim në vëmendjen tuaj, përkundër raportimeve në media, se në Prokurorinë e Posaçme nuk ka mbërritur asnjë kërkesë nga përfaqësuesit e Komitetit të Monitorimit të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës.
Komente











