Veliaj jep porositë për zgjedhjet: Fushatë më civile, pa ndotje nga posterat dhe grafitet

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj e vlerësoi të shkëlqyer vendimin e marrë nga qeveria për t’u dhënë kohë qytetarëve për të rinovuar kartat e identitetit deri në 31 dhjetor 2019, duke ulur në këtë mënyrë edhe fluksin nëpër sportele. Në takimin e zhvilluar dje me anëtarë të Këshillit Konsultativ “Qeveri Qendrore-Vetëqeverisje vendore”, kryebashkiaku kërkoi që t’u jepet përparësi të moshuarve dhe atyre që kanë nevojë për ta përdorur më shpesh kartën.

“Lajmi nga Ministria e Brendshme ishte i shkëlqyer, pra që kartat e identitetit do të vlejnë deri në fund të vitit 2019. T’u thuhet qytetarëve nuk ka asnjë nevojë të shtyhemi nëpër rradhë, sikur nesër do jetë qameti, përsa kohë që karta, pavarësisht kur e ka datën e skadimit, do vlejë deri në datën 31 dhjetor. Do të thotë t’u japim prioritet atyre që janë të moshuar”, theksoi Veliaj.

Teksa vlerësoi bashkëpunimin me  pushtetin qendror, Veliaj theksoi rëndësinë e kalimit të disa kompetencave që kanë të bëjnë me kontrollin e territorit nga qeveria tek pushteti vendor. “Kryetarët e bashkive ende nuk kanë disa kompetenca të qeverisë qendrore që, për mendimin tim janë rudimentare, për të adresuar një lokal që bën zhurmë; një bukëpjekës që bën tym; ose një gomisteri që e derdh në rrugë vajin që u ndërron makinave; ne duhet patjetër të lidhemi me ministrinë e linjës për një leje mjedisore që e ka dhënë një inspektor i X partie, i X kohe. Por që ka disa karakteristika që një inspektor e dallon nga një kryetar bashkie”, tha ai.Kreu i Bashkisë e cilësoi pozitive reformën administrative, e cila krijoi mundësi për shpërndarjen e investimeve edhe në zonat rurale, që me ndarjen e vjetër do e kishin të pamundur financiarisht të përmirësonin kushtet e jetesës për komunitetin.

“Ne për eksperiencën tonë në Tiranë, filluam me 24 njësi vendore, me 24 kryetarë njësish, me 24 sekretarë, me 24 Këshilla të Njësive Administrative. Kur mendoj se sot kemi mundësi të ndërhyjmë në njësi, që me kushtet e tyre modeste në nivel taksimi, në nivel fuqie punëtore apo realizimi investimesh, do t’i kishin të pamundura, besoj që si socialist dhe progresist, kjo reformë është një histori suksesi”, tha ai, ndërsa e krahasoi gjendjen e mëparshme të njësive vendore me situatën që janë sot universitetet.

Me fokus në zgjedhjet e ardhshme, Veliaj kërkoi prej drejtuesve të njësive të tjera vendore që të respektojnë Kodin Zgjedhor, duke kufizuar përdorimin dhe afishimin e materialeve propagandistike zgjedhore që sjellin ndotje të ambienteve publike. “Ju e dini që jemi në situatë, ku me kodin e ri zgjedhor ka rënë volumi i ndotjes akustike, vizive, estetike në qytet dhe inkurajimi gjithmonë ka qenë, sidomos për kryetarët e bashkive është një dramë fushata, se shpërthejnë posterat, ndotja dhe grafiti, vandalizmi që ndodh prej pasionit militant, fatmirësisht për kodin e ri, edhe fushata është me e shkurtër, por edhe këto billbordet janë hequr. Në këtë sens të inkurajojmë të gjithë një fushatë më civile, më modeste, më me këmbë në tokë, edhe pa kallangjosje që i ndodh tipikisht qyteteve, ku gjithë Shqipëria bëhet për një pastrim masiv pas fushate”, tha ai.

Një tjetër kërkesë ishte edhe fillimi i punës për përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore dhe evidentimin e ambienteve që mund të përdoren si qendra votimi. “Duke qenë se është një vit i rëndësishëm, dua që t’i bëj një thirrje të gjithë kryetarëve të bashkive, për përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore, nuk ka asnjë arsye pse dikush që është sot kryetar bashkie, mos të identifikojë që tani qendrat e votimit dhe të mos kemi histori që përsëriten vit pas viti, ku qytetarët shkojnë dhe votojnë nëpër lokale. Sot vetëm numri i shkollave, kopshteve, çerdheve, bibliotekave që janë rregulluar falë kontributit të kësaj mazhorance, e bën të pafalshme që një kryetar bashkie të thotë që nuk gjeta vend tjetër, por shkoni te lokali i çunit të dajës. Kjo është pa sens”, deklaroi Veliaj.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Moti i keq, frika nga reshjet e dendura, bashkia Vlorë bën thirrje qytetarëve: Mos parkoni makinat në këto zona

Moti i keq, frika nga reshjet e dendura, bashkia Vlorë bën thirrje qytetarëve: Mos parkoni makinat në këto zona