Gjykata Administrative do të shqyrtojë ditën e sotme në orën 13:00 kërkesën e bërë nga kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj për shpalljen të pavlefshëm të emërimit prokuror të Olsi Dados. Vetë Veliaj do të jetë i pranishëm në sallë, e njoftuar kjo nga avokatët mbrojtës.

Kryebashkiaku i Tiranës ka paditur institucionin e Presidentit të Republikës dhe prokurorin e posaçëm Ols Dado duke kërkuar konstatimin e pavlefshmërisë absolute të dekretit të vitit 2008, të firmosur nga presidenti i kohës, Bamir Topi. Sipas kërkesë-padisë, emërimi i prokurorit është kryer në kundërshtim flagrant me ligjin, pasi në momentin e dekretimit ai nuk plotësonte kriteret ligjore të detyrueshme për ushtrimin e funksionit të prokurorit sepse nuk kishte kryer shkollën e Magjistraturës.

Në padi theksohet se të gjitha veprimet penale të kryera ndaj Erion Veliajt, përfshirë masat e sigurisë dhe kufizimin e ushtrimit të mandatit të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, mbështeten mbi një akt emërimi ‘nul ab initio’, duke sjellë pasoja të rënda ndaj Bashkisë së Tiranës, Republikës së Shqipërisë, rendit kushtetues, institucioneve, familjes dhe personit.

Ols Dado i është propozuar Presidencës në vitin 2008 nga Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama dhe më pas Presidenca ka dekretuar noterin në prokuror.

Përplaset e ashpra mes Veliajt dhe prokurorit të SPAK Ols Dados, vijën pasi ky i fundit firmosi urdhër-arrestin për të parin e Tiranës, vendim i ekzekutuar në shkurt të vitit të kaluar. Që prej datës 10 shkurt, Veliaj ndodhet në paraburgim.

Njoftimi i Mbrojtjes së Veliajt:

Ditën e nesërme është konfirmuar prania personale e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, z. Erion Veliaj, në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, ku do të zhvillohet seanca e parë gjyqësore mbi kërkesëpadinë e tij për konstatimin e pavlefshmërisë absolute të Dekretit të Presidentit të Republikës nr. 5936, datë 17.11.2008, për emërimin e z. Ols Dado në detyrën e prokurorit të Republikës së Shqipërisë.

Padia ngre një çështje thelbësore për funksionimin e shtetit të së drejtës:

a mund të ushtrohet pushteti penal nga një subjekt që nuk i ka përmbushur kurrë kushtet ligjore për të qenë prokuror?

Sipas kërkesëpadisë, emërimi është kryer në kundërshtim flagrant me ligjin nr. 8737/2001, pasi subjekti i emëruar nuk plotësonte as kriteret e përgjithshme dhe as ato të posaçme të përcaktuara nga ligji për ushtrimin e funksionit të prokurorit. Për rrjedhojë, akti konsiderohet nul ab initio (që nga fillimi), pra juridikisht i paekzistent dhe i paaftë për të prodhuar pasoja të vlefshme.

Në një rast të fundit në Shtetet e Bashkuara, një gjykatë federale konstatoi se prokurorja Lindsey Halligan, e emëruar në kundërshtim me ligjin, nuk kishte autoritet për të ushtruar funksionet e prokurorit, duke çuar në rrëzimin e aktakuzës së ngritur prej saj dhe më pas edhe në largimin e saj nga detyra.

Kjo çështje nuk ka të bëjë vetëm me një emërim individual. Ajo prek një parim themelor: ligjshmërinë e burimit të pushtetit publik.

Nëse një funksion kaq i rëndësishëm si ai i prokurorit mund të ushtrohet jashtë kritereve ligjore, atëherë vihet në kërcënim të drejtpërdrejtë vetë shteti i së drejtës dhe garantimi i të drejtave themelore të qytetarëve.

Padia argumenton se të gjitha veprimet e ndërmarra nga një subjekt i emëruar në kundërshtim me ligjin janë të ekspozuara ndaj pavlefshmërisë, përfshirë edhe ato që kanë prodhuar pasoja të drejtpërdrejta mbi lirinë personale dhe funksionimin e institucioneve publike, në këtë rast edhe të Bashkisë së Tiranës.

Në këtë kuadër, gjykata është thirrur të shprehet mbi një çështje që tejkalon natyrën individuale dhe lidhet drejtpërdrejt me standardet kushtetuese të ushtrimit të pushtetit të akuzës në Republikën e Shqipërisë.

Ky proces përbën një moment të rëndësishëm për të përcaktuar nëse ligji është i barabartë për të gjithë, përfshirë edhe prokurorët, dhe nëse ai është një kriter real për ushtrimin e funksioneve publike, apo një formalitet që mund të anashkalohet në mënyrë selektive.

Lajmi në përditësim...

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë