TIRANË- Socialistët i thonë kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj që të mos e përfshijë partinë në betejën e tij me drejtësinë, pas kërkesës së tij për të marrë pjesë në punimet e Asamblesë që mbahet të shtunën në një resort në Gjirin e Lalzit. Qëndrimi në emër të PS, u mbajt nga kreu i grupit Taulant Balla i cili tha për Report Tv se vendimi për një kërkesë të tillë u takon organeve të drejtësisë.

“Këto vendimmarrje nuk janë vendimmarrje të PS-së, por të organeve të drejtësisë”, tha Balla për gazetarin Isa Myzyraj.

Edhe pyetjes nëse PS do t’i kërkojë SPAK-ut leje që kryetari i Tiranës të flasë në Asamble, Balla ia adresoi sekretarit të përgjithshëm Blendi Klosi. Ky i fundit, deri në publikimin e këtij shkrimi nuk i është përgjigjur interesit të Report Tv nëse do të kërkojnë leje që Veliaj të flasë në asamble, qoftë edhe online.

Por, socialistët janë të qartë për ‘vijën e kuqe’ me drejtësinë. Balla i tha Veliajt se Partia Socialiste nuk bëhet mburojë e askujt dhe se përballjen me drejtësinë, kryebashkiaku duhet ta bëjë i vetëm, pa përfshirë “trëndafilin e PS”.  

“Përballjen me drejtësinë çdo përfaqësues i PS-së e ka më vete. S’bëhemi mburojë. Çdo përfaqësues të mos përfshijë organet e PS-së”, tha Balla, duke kritikuar paraburgimin e tejzgjatur të Veliajt, ndonëse tashmë çështja e tij është dërguar për gjykim.

"Për sa kohë që një çështje ka shkuar në gjykim, mbajtja në paraburgim është në shkelje të parimeve themelore dhe të vendimit të Gjykatës Europiane", tha Balla. 

Nga paraburgimi i Fierit, Kryebashkiaku i Tiranës Erjon Veliaj i dërgoi kërkesë zyrtare SPAK-ut dhe sekretarit të Përgjithshëm të PS-së, Blendi Klosi, të marrë pjesë në Asamblenë e PS-së të shtunën në Gjirin e Lalzit: Të jetë aty dhe t’i jepet e drejta e fjalës, të bëhet pjesë me video-konferencë, apo në të kundërt, fjala e tij me propozime për funksionimin e PS-së, të lexohet në mbledhje.  Kërkesa e tij për tu bërë pjesë e forumit të lartë socialistë, që ende nuk ka një përgjigje nga SPAK, vjen në një kohë, kur Veliaj nga burgu i ka shpallur luftë të hapur kryeministrit Edi Rama, pas transferimit nga Durrësi në Fier.

Kërkesat e Veliajt për të marrë pjesë në mbledhjet e Këshillit Bashkiak të Tiranës, apo dhe në takime të parlamentit, si në rastin e dëgjesave për reformën territoriale, deri më tani janë refuzuar.

Gazetari i Report Tv, Isa Myzyraj: Veliaj ka bërë kërkesë në PS dhe në SPAK për të marrë pjesë në Asamble. A do t’i kërkoni SPAK-ut leje që kryetari i Tiranës të flasë?

Taulant Balla: Kjo është një pyetje që i duhet bërë sekretarit të përgjithshëm. Unë mendoj, dhe e kam thënë, që çështjet e çdo përfaqësuesi të zgjedhur të PS-së, në të gjitha nivelet, me drejtësinë janë çështje individuale. As PS-ja, as Asambleja, as Kryesia, as organizatat socialiste nuk janë mburojë e askujt në përballjen me drejtësinë. Në këtë këndvështrim, Veliajn e kam mik, por përballjen me drejtësinë duhet ta bëjë vetë, pa përfshirë grushtin dhe trëndafilin e PS-së.

Gazetari i Report Tv, Isa Myzyraj: Veliaj s’ka kërkuar mbrojtje për akuzat. Ka kërkuar të marrë pjesë si kryetar i partisë në Tiranë, drejtues politik në qark dhe kryebashkiak. Po kërkon të ushtrojë të drejtën e tij politike për të folur para jush.

Taulant Balla: Sa i përket kohëzgjatjes së paraburgimit, jemi në këto kushte për shkak të një nonsensi të krijuar, në shkelje të parimeve bazë të të drejtave të njeriut. Për sa kohë që një çështje ka shkuar në gjykim, mbajtja në paraburgim është në shkelje të parimeve themelore dhe të vendimit të Gjykatës Europiane. Përballjen me drejtësinë çdo përfaqësues i PS-së e ka më vete. S’bëhemi mburojë. Çdo përfaqësues të mos përfshijë organet e PS-së. Këto vendime i marrin organet e drejtësisë.