"Duhet të pranojmë se buxheti i bashkive ende lë për të dëshiruar. Nëse kemi bashki të mëdha si Tirana që gjeneron 50 % të ekonomisë së vendit, nuk mund të marrë vetëm 10% të grantit të kushtëzuar. Jam i ndërgjegjshëm, kam punuar në qeveri qendrore, e di që detyra e qeverisë është mendojë edhe për provincat më të largëta, por kërkesa që i kemi bërë edhe USAID-it që ka prodhuar formulën është që duhet të ketë pak proporcionalitet. Aty ku jeton dhe ofrohen shërbime për 1/3 e popullsisë, nuk them të jetë 1/3 e grantit, por nuk mund të jetë as 1/10, sepse trysnia e Tiranës për të ofruar shërbime nuk është vetëm lokale. Ky qytet është i të gjithë atyre që vijnë nga rrethe të tjera dhe marrin shërbime në Tiranë, përdorin rrugën, infrastrukturën e Tiranës, sa herë vijnë e mbarojnë punë me qeverinë apo institucione qendrore. Jemi ende në biseda se si për secilën prej zonave, ne të përdorim një sistem proporcionaliteti. Tirana vetë, si bashki, kur ndan buxhetin e ndan duke pasur parasysh se sa banorë dhe si performon secila prej 24 njësive. Ne presim që një standard që kemi vendosur në Tiranë, të vendoset nga qeveria qendrore për 61 bashkitë ku të vlerësohemi sipas popullsisë dhe aftësisë që kemi për të performuar. Ata që vrapojnë më shpejt, le të vrapojnë më shpejt, nuk ka nevojë të tërhiqen pas prej ngadalësisë që mund të ketë dikush tjetër ose mungesës së performancës që mund të ketë një bashki e caktuar.Nëse paratë janë të njerëzve, le të vendosin njerëzit të thonë se ku duan t’i shpenzojnë paratë. Kjo është në praktikë që duam ta inkurajojmë", u shpreh Veliaj.
Kur buxheti ndahet keq - tha qytetari i parë i Tiranës - është koha për bashkim, duke iu referuar këtu të majtëve dhe të djathtëve në bashki.
"Dua të përsëris ftesën time edhe për kolegë të bashkive, por që ndoshta përfaqësojnë partitë e opozitës, që ka ardhur koha për bashkim. Në këto teza që përmendëm sot nuk jemi të ndarë të majtë e të djathtë, kur buxheti ndahet keq si për Shkodrën apo Tiranën, të njëjtin impakt ka. Kur trashëgojmë pyjet në vend që të trashëgojmë kontrollin mbi lokalet dhe tymin, ka të njëjtin impakt. Për të gjithë këto 99 gjëra që na bashkojnë dhe vetë për një gjë që na ndan dhe që është tesera e partisë, unë besoj se janë 99 arsye për t’u bashkuar në një shoqatë të vetme. Ripërsëris ftesën, edhe pse ne kemi shumicën, kemi sot ¾ e bashkive të vendit, nuk duam ta shfrytëzojmë këtë shumicë për të pasur një shoqatë me shumicë absolute, por për të pasur një konsensus mes 61 bashkive që njëzëri të avokojnë këto interesa pranë qeverisë qendrore dhe besoj se kjo është mënyra më e mirë për të ecur përpara",- shtoi Veliaj.
Me ndarjen e re territoriale, pritet që në janar të 2016-ës Bashkitë të marrin në kompetencën e tyre administrimin e pyjeve. Gjatë një tryeze të organizuar nga OSBE dhe Ministria e Çështjeve Vendore, kryebashkiaku Veliaj e quajti anomali faktin që bashkia trashëgon pyjet në vend që të ketë kontrollin e lokaleve në Tiranë në rastet kur qytetarët ankohen për muzikën e lartë pas orarit të lejuar, apo restorantet që ndosin me tym.
"“Kam edhe disa këshilla dhe ide se si decentralizimi mund të funksionojë më mirë. Është shumë e vështirë për një kryetar bashkie të sqarosh një qytetar që me ligjet e këtij shteti në fakt është Agjencia apo Inspektoriati i Mjedisit, i varur nga Ministria e Mjedisit, në qeverinë qendrore të Shqipërisë që zgjidh zhurmën e lokaleve meqenëse ajo konsiderohet ndotje akustike dhe çdo gjë me ndotje është në këtë ministri. Unë nuk besoj se është normale që administrata qendrore të merret edhe me një lokal në Delvinë, Kukës, Tropojë, edhe me një në qendër të Tiranës. Këto janë disa gjëra që duhen decentralizuar dhe duhet të jenë kompetenca të qeverisë lokale. Nëse ne do kishim të drejtë zgjedhje, e dimë që në janar na transferohen pyjet. Po ta kishim zgjedhje, i thoshim: Më mirë mbani pyjet edhe ca, por të marrim gjërat që kanë një impakt urban, sesa pyjet ku as ekspertizë nuk kanë shumë bashkitë. Nëse ne do zgjidhnim se çfarë na vjen nga Ministria e Mjedisit do kishim zgjedhur më mirë menaxhimin e lokaleve edhe tymit sesa menaxhimin e pyjeve. Janë disa anomali që besoj se edhe në vitin e ardhshëm do të karakterizohemi nga një bonsens, sens praktik i të bërit të gjërave që kanë më shumë impakt në publik sesa një transferim mekanik problemesh pa zgjidhje”, - u shpreh Veliaj.
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)