Kandidati i PS-së për Tiranën, Erion Veliaj në vijim të turit të gjelbër drejt 14 Majit, zhvilloi një takim me banorët e njësisë 3, me të cilët diskutoi për misionin dhe motivin e Partisë Socialiste që është bashkimi dhe paqja, jo përçarja dhe sherri.
“Këto kohët e fundit i kemi parë edhe ata me lopatë në dorë. Pastaj, pashë disa të tjerë me shkopa bejsbolli. Pastaj, pashë disa të tjerë me shkallë duke ecur nëpër shesh ‘Skënderbej’. Dhe thashë: mos tani, do e kem më të vështirë të bëj diferencën sepse po impenjohen. Pastaj, kur hapa televizorin dhe pashë që këta kishin marrë bishta lopatash për të qëlluar njeri-tjetrin, kishin marrë spraj për t'i nxjerrë sytë njeri-tjetrit, kishin marrë qysqi dhe kokë dashi për të shpartalluar dyert e njeri-tjetrit, dhe kishin marrë shkopa bejsbolli për të bërë kurrizin më të butë se barkun të njeri-tjetrit, thashë: Ata që nuk rregullojnë dot shtëpinë e tyre nuk e rregullojnë dot lagjen tonë, komunitetin tonë, qytetin tonë, vendin tonë, kombin tonë”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku bëri një paralelizëm kur tha se të gjithë po hapin gropa, por teksa Partia Socialiste po mbjell pemë, jetë dhe dashuri, kundërshtarët hapin gropa për të t’i bere gropen tjetrit.
“E vërteta është që të gjithë po hapin gropa. Edhe ne, edhe ata që kemi përballë. Por pyetja është, ç’a gropash po hapim? Gropat që po hapim ne sjellin jetë se mbjellim pemë. Ai që hapi 4 gropa në 21 janar nuk besoj që sjell jetë dhe na e ka provuar gjithmonë që sa herë ka pasur në dorë ka hapur gropa për të marrë jetë. Shoh fëmijët këtu dhe më kujtohet familja Durda në Gërdec, ishte mosha e këtyre fëmijëve. Babëzia e Saliut e Zenit i çoi në një tjetër gropë, 26 veta. Në një vend normal do kishin turp të dilnin nga shtëpia. Në një vend normal do ishin te viti 15 ose i 16 i burgut. Ky është vendi që kemi, jo çdo gjë e kemi në dorë. Kemi një drejtësi të re, kemi shpresa, por edhe ata po hapin gropa. Pyetja është, po i bën gropën tjetrit apo po hap një gropë për të mbjellë një pemë e për të mbjellë një jetë?! Kjo është diferenca në këto zgjedhje, kjo është vendimmarrja që kemi përpara”, tha Veliaj.
Mandej Veliaj tha se ata e braktisën Shqipërinë dhe Tiranën për 4 vite dhe tani pretendojnë të rikthehen sikur nuk ka ndodhur asgjë. Ndërkohë që, vendi ka ecur përpara dhe është krijuar një standard i lartë.
“Ne kemi një standard shumë të lartë për çdo polic, për çdo zjarrfikës që duhet të jetë aty për pak minuta. Bëhet nami nëse urgjenca nuk vjen brenda minutit. Kemi një standard të lartë për kalamajtë që të mos humbasin jo 4 vjet që s’marrin diplomë, as 4 muaj, as 4 javë, as 4 ditë. 4 orë, ose 4 minutat që vonohen nga ora e parë fëmija merr mungesë. Nëse për 4 vjet ikën nga parlamenti, ikën nga këshilli bashkiak, ikën nga gjithë funksionet e tua; shkon e rri në ‘Gji të Lalzit’; e zbulon që Tirana ekziston e ndërkohë është rritur, e pastaj kërkon që të votohesh prapë?! Duhet t’i japim politikës të njëjtin respekt, dinjitet e standard që i japim fëmijëve tanë. E nëse për fëmijët tanë standardin e kemi të lartë, edhe për politikën do ta kemi të lartë, ndaj në Këshill Bashkiak ne do të çojmë çunat e gocat e lagjes sonë që nuk ikin nga detyra, që nuk e braktisin funksionin që kanë”, u shpreh Veliaj.