Veliaj me operatorët turistikë: Të mos cenojmë imazhin e vendit; kur të tjerët hedhin benzinë, ne të hedhim ilaç

Veliaj me operatorët turistikë: Të mos cenojmë imazhin e vendit; kur të tjerët hedhin benzinë, ne të hedhim ilaç

Në 4 vite Tirana është kthyer në një destinacion të rëndësishëm turistik, e cila vizitohet çdo ditë nga turistë nga rajoni, Europa e mbarë bota, çka gjeneron më shumë të ardhura për qytetin dhe vende pune. Kandidati i koalicionit të majtë për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, zhvilloi një takim me operatorët turistikë të qytetit në shtëpinë muze të piktorit të njohur, Sali Shijaku, me të cilët bisedoi për çfarë mund të bëhet për rritjen e turizmit në 4 vitet në vijim.

Veliaj theksoi se në këtë periudhë ajo që u kërkohet shqiptarëve është të kontribuojnë për promovimin vendit të tyre jashtë, për të rritur numrin turistëve. Duke sjellë në vëmendje protestat e dhunshme të opozitës, Veliaj u shpreh se nuk ka një komunitet që e kupton më mirë çështjen e imazhit se sa komuniteti i atyre që merren me industrinë e turizmit. 

“Pas sulmit dhe djegies së shkollës në Shkodër, edhe pas sulmin dhe thyerjes së muzeut në Tropojë, i jam referuar duke thënë: disa hyzmeqarë që punojnë për një bashki, e cila ka edhe 9 ditë punë dhe thyen një muze, nuk mundet të prishë gjithë imazhin e Tropojës. Një nga shembujt që mora ishte Mic Sokoli, por Mic Sokolin unë e njoh vetëm nga piktura e Sali Shijakut. Falë një artisti që ka arritur të përkthejë atë moment historik të një imazhi, që askush nuk e ka fotografuar, i ka bërë ndoshta kontributin më të madh për t’i lënë këtë imazh brezave, të një akti shumë domethënës, siç ka qenë Vojo Kushi mbi tank apo Mic Sokoli mbi top, kohë kur për Shqipërinë duheshin bërë sakrifica sublime, kurse sot kërkohen për Shqipërinë sakrifica shumë më modeste. Nuk kërkohet as të hipësh mbi tank apo t’i dalësh topit përpara, kërkohet ta mbajmë pastër, të flasim mirë, të mos shajmë Shqipërinë në gjuhë të huaj; janë të gjitha elemente që janë kontribuesit kryesorë të industrisë së turizmit në Tiranë: imazhi, imazhi, imazhi”, theksoi Veliaj.

Ai tha se misioni i çdo qytetari, pavarësisht nëse është i majtë apo i djathtë, duhet të jetë vetëm një, të kontribuojë për Shqipërinë dhe Tiranën dhe jo ta nxijë tek të tjerët. “Nuk më intereson fare nëse jemi të majtë apo të djathtë, por si industri kemi një mision që Shqipërinë mos ta bëjmë leckë, mos ta bëjmë copë. Imazhet e një Shqipërie, që siç e keni vënë re tani që është rikthyer fluksi i turizmit, jeta vazhdon normalisht, kalon ekskursioni i dhunës, qyteti bëhet xixë për çerek ore. Po të shikoni jashtë atij grupi, jashtë atij sherri, jeta vazhdon normalisht, njerëzisht janë duke konsumuar, hotelet janë plot dhe është shumë e rëndësishme që këtë punën e imazhit ta kemi prioritet numër një. Mund jemi të majtë ose të djathtë, por Shqipërinë dhe Tiranën e kemi mision”, deklaroi ai, teksa shtoi se është momenti që kur të tjerët hedhin benzinë, detyra e të gjithëve është për të qenë të bashkuar.

“Aty ku të tjerët po hedhin benzinë, ne duhet të hedhim ilaç. Pra, nëse ka forcë që po mundohet të na përçajë, ne duhet të vëmë pak melhem, që të mundohemi të bashkojmë. Edhe kur shumë njerëz po thoshin: Shkodranët po djegin shkollat, u thashë: Nuk po i djegin shkodranët shkollat, është një grup i vogël njerëzish, hyzmeqarë të një bashkie që ka edhe 9 ditë punë dhe që për të justifikuar 9 ditët e fundit që kanë mbetur, po djegin një shkollë, por nuk janë shkodranë”, tha Veliaj.

B.K./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Turqia do të furnizojë me energji elektrike Sirinë, kërkon të shfrytëzojë naftën dhe gazin natyror

Turqia do të furnizojë me energji elektrike Sirinë, kërkon të shfrytëzojë naftën dhe gazin natyror