Firence, Veliaj: Në 1 Qershor nisim projektin e 4 mijë biçikletave në Tiranë

Në 1 Qershor Tirana do të pushtohet nga 4 mijë biçikleta. Projekti inovator i Bashkisë së Tiranës do ta shndërrojë kryeqytetin në një qytet miqësor ndaj kësaj alternative të re transporti për qytetarët.

Kryebashkiaku Erion Veliaj dhe homologu nga Firence, Dario Nardella, nënshkruan sot marrëveshjen e bashkëpunimit për këtë projekt, si dhe diskutuan për projekte të reja në çështjet e kulturës, ndriçimit dhe transportit.

Kryebashkiaku Veliaj theksoi se Tirana është gati të zbatojë projektin e biçikletave, i cili ka rezultuar tepër i suksesshëm në Firence, ndërkohë që puna do të vijojë edhe me projekte të tjera sipas modelit të Smart City.

Duam të punojmë shumë për Smart City, si ta bëjmë Tiranën një qytet inteligjent. Në njëfarë mënyre kopjuam projektin nga Firence dhe jemi gati të fillojmë me biçikletat me qira në Tiranë, një sistem inovator, të cilin e kemi parë se si ka funksionuar perfekt në Firence. Projekti do të nisë në 1 qershor dhe mandej, do të vijojmë me të gjitha projektet e tjera Smart City gjatë gjithë vitit.

Kryebashkiaku, Erion Veliaj

Kryetari i Bashkisë së Firences, Dario Nardella, vlerësoi projektet e përbashkëta me Bashkinë e Tiranës si ai për ndriçimin publik dhe projektin ambicioz për shtimin e sipërfaqeve të gjelbra në Tiranë. Ai theksoi se nisma për mbjelljen e pemëve në Tiranë është sot projekti më ambicioz në të gjithë Evropën.

Po bashkëpunojmë me Tiranën për një projekt për ndriçimin publik dhe smart-city, të cilin e kemi shumë për zemër dhe jemi gati, së bashku me sipërmarrësit tanë, ndërmarrjet tona, për të investuar në këtë vend, pasi Italia dhe Shqipëria janë dy anë të së njëjtës medalje. Projekti i pemëve në Tiranë është një projekt që ka avancuar shumë. Unë kam vizituar shumë vende të Evropës dhe besoj se është sot projekti më ambicioz, sa i përket numrit të pemëve të mbjella në gjithë Evropën. Forca! Shikoj se ky qytet po rritet me ritme shumë të shpejta.

Kryetari i Bashkisë së Firences, Dario Nardella

Dy homologët vlerësuan se komuniteti i madh shqiptar që jeton në Firence si dhe ai italian në Tiranë, janë një urë komunikimi mes dy vendeve, për ndërtimin e një raporti edhe më dinamik në të ardhmen. Së bashku me kryebashkiakun Nardella, në Tiranë ka ardhur edhe një delegacion i sipërmarrësve italianë, të cilët gjithnjë e më shumë e shohin kryeqytetin shqiptar një terren ideal për të bërë biznes. Veliaj deklaroi se numri i turistëve italianë po vjen gjithnjë e në rritje, ndërkohë që po shikohen edhe mundësitë për rritjen e kapaciteteve akomoduese të tyre.

Jemi duke parë edhe mundësi për turizmin, për të shtuar hotelerinë në Tiranë. Sot kemi jo vetëm një qytet më të bukur, zona pedonale, muze për të parë, por kjo na ka sjellë një rritje të turizmit, që do të duhet të akomodohet diku. Kështu, shumë prej eksperiencave të Firences që është ndoshta qyteti më i vizituar në Europë, me 14 milionë vizitorë dhe me një sistem hotelerie që funksionon perfekt. Është një shembull ideal për Tiranën. Unë gjithmonë kam besuar se binjakëzimet më të mira janë midis qyteteve që bëjnë biznes dhe që shkëmbejnë, se sa mes qyteteve që bëjnë vetëm fotografi dhe që nuk kanë asnjëherë një produkt konkret.

Kryebashkiaku, Erion Veliaj

Një tjetër çështje në të cilën u ndalën dy homologët ishte dhe ajo për zhvillimin e agroturizmit, ku Tirana pas ndarjes së re administrative, ka tashmë potenciale të reja.

Sot kemi nisur bisedimet se çfarë mund të bëjmë gjithashtu, për agroturizmin. Shqipëria me ndarjen e re territoriale, u ka dhënë bashkive më shumë konferenca rurale dhe shembulli fantastik i Firencës në mënyrën se si edhe rrethinat janë pjesë e ekonomisë së qytetit, është një shembull fantastik. Mezi pres që të bëjmë më shumë, dhe besoj se kemi dhënë një shembull se si ndonjëherë qytetet lëvizin pak më shpejt se burokracitë e tjera shtetërore.

Kryebashkiaku, Erion Veliaj

Pjesë e diskutimit mes kryebashkiakut Veliaj dhe Nardellës ishte edhe mundësia për të hapur një shkollë të modës në Tiranë, e cila do të nxisë më tej edhe shkëmbimet tregtare mes dy vendeve sidomos në fushën e tekstilit.

Ora 15:16
Veliaj: Në 1 Qershor nisim projektin e 4 mijë biçikletave në Tiranë
  • Komento

    KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

    • Sondazhi i ditës:
      27 Nëntor, 11:43

      Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



    ×

    Lajmi i fundit

    Mos harroni çadrat! Reshje shiu dhe temperatura deri në 14 gradë

    Mos harroni çadrat! Reshje shiu dhe temperatura deri në 14 gradë