Veliaj në Njësinë 7: Të mos kesh diplomën e gjimnazit është e rëndë, por më e rëndë është të bëhesh sapun për fytyrat e Berishës dhe Metës

Kandidati i PS-së për Tiranën, Erion Veliaj, gjatë takimit me banorët e Njësisë 7 në kryeqytet, tha se është turp të jesh detergjenti për të larë fytyrën që nuk mund të lahet e Sali Berishës dhe Ilir Metës. Sipas Veliajt, mos pasja e diplomës së shkollës së mesme për një nga kandidatët është e rëndë, por më e rëndë është të shërbesh si sapun për Berishën dhe Metën.

“Disa prej tyre nxjerrin edhe gishtin e mesit, kur kërkojnë të votohen nga populli. Turp i madh! Por, Etilda ka të drejtë kur tha se duhet diploma e gjimnazit… prandaj duhet diplomë e maturës, e pjekjes sepse një njeri i pjekur në 2023 nuk nxjerr gishtin e mesit për të kërkuar vota dhe për të lidhur kontratë që t’i shërbejë dikujt. E merrni ju dikë në punë që ju nxjerr gishtin e mesit? Turp! Por, nuk është ky problemi më i madh. Problemi më i madh është që ata janë sapun dhe detergjentë për fytyrën që nuk lahet dot të Saliut e të Ilirit. Ky është problem më i madh se gishtat e se diplomat”, tha Veliaj.

Ai shtoi se opozita mungoi 4 vjet në punë, që përkuan me tërmetin dhe pandeminë, kohët më të vështira për njerëzit.

“Një nxënës, i cili nuk shkon 4 vjet në shkollë, mund të marrë diplomë? Përveç atij kandidatit tonë, e kam fjalën për të tjerët, a mund të marrin diplomë? Jo! As 4 vjet, as 4 muaj, as 4 javë, as 4 ditë, por 4 minuta të vonohet një fëmijë, një nxënës në orë të pare, e merr mungesë dhe duhet ta negociojmë nëse e kapi apo s’e kapi orën e parë. Ne një kalama që nxjerr gishtin e mesit e nxjerrim nga klasa, një kalama një nuk vjen 4 minuta merr mungesë. Por në datën 14 maj ne do braktisim ata që na çuan mbrapa e ne ecim vetëm përpara”, tha Veliaj. 

Kryebashkiaku nënvizoi se ata që shkatërrojnë shtëpinë e tyre, nuk mund të rregullojnë shtëpitë tona, ndërsa shtoi se njëri është non-grata, i izoluar, që nuk del dot askund, ndërsa tjetri, Ilir Meta, njeriu që ka degjeneruar më shumë Saliun, sot është aleati i tij. 

“E patë çfarë i bënë shtëpisë së tyre? Ju kujtohet 8 janari? Ju kujtohet se çfarë i bënë selisë së tyre? Dolën tek sheshi “Skënderbej” me bishta lopatash, me shkopa bejsbolli, me shkallë dhe thashë se do bëjnë ndonjë punë për Tiranën. Por, kur hap televizorin, shkopi i bejsbollit ishte për të çarë kafkën e shokut; vareja ishte për të shqyer dyert e shtëpisë; bishtat e lopatës ishin për ta bërë kurrizin më të butë se barku, të anëtarëve të familjes së tyre; njerëz që djegin, shkatërrojnë, dhunojnë familjen e tyre, nuk ndihmojnë dot familjet tona. Nëse propozimi ynë është që të ecim përpara, propozimi i tyre është që të ecim mbrapa. Sot, Saliu është ‘non grata’. Nëse e ke emrin Sali, nuk shkon dot në Rinas, ti je sot njeriu më i izoluar. Ai thotë: Meqë kam unë hall, u bëftë halli im halli i të gjithëve! Kurse ne themi: Nëse dikush ka halle, t’i gjejmë zgjidhje hallit. Por Saliu nuk ka ngelur vetëm në këtë hall. Nuk është vetëm ai non grata. E ka edhe një shok të vet, Ilir Metën, që deri dje e fuste në burg, deri dje sabotonte çdo qeveri, ka rrëzuar gjithë qeveritë e PD. Por Saliu ka sindromën e Stokholmit. Ka rënë në dashuri me atë që e dhunonte, ka rënë në dashuri me atë që e ka dhunuar më shumë, atë dhe të birin. Se ju kujtohet Ilir Meta! Tha: E dhashë njëherë dorëheqjen për Zenin. Unë nuk do jap dorëheqjen tërë kohën. Pra, njeriu që ka degjeneruar më shumë Saliun dhe Zenin dhe gjithë PD është sot aleati i tij”, nënvizoi Veliaj.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:40
Veliaj: Saliu e nisi 30 vjeç me Partinë e Punës, tani 80 vjeç është bërë anëtar i LSI-së

 

Drejtuesi politik i PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj iu drejtua të gjithë demokratëve, duke u thënë të mos i besojnë më një njeriu si Sali Berisha, që deri tani ka ndërruar 3 tesera partie. Ai iu referua lëvizjes më të fundit të Berishës, që po i detyron demokratët t’i japin vota Partisë së Lirisë së Ilir Metës.  

“Saliu e filloi 30 vjeç si anëtar i Partisë së Punës, e vazhdoi 50 vjeç si anëtar i Partisë Demokratike, tani që është 80 vjeç është bërë anëtar i LSI-së. Tek fleta e votimit kësaj here, tek koalicioni lexon Ilir Meta. Gjykata vendosi sepse vetëm ai drejton një parti. Pra, demokratët do detyrohen të shkojnë si “cjapi tek kasapi”, me kokën në sini tek Ilir Meta për të vërtetuar atë që ka qenë gjithmonë aleanca e dy njerëzve që i kanë bërë më shumë dëm Shqipërisë. Një ish-komunist që është bërë antikomunist dhe sot është “non grata”, e pasi bëri Gërdecin dhe 21 Janarin, sot do të rikthehet prapë, po tani me logo tjetër. Qartazi paska pasur një pakt që të gjithë demokratët t’i çojë si ‘cjapi te kasapi’”, tha Veliaj në një takim me banorët e Njësisë 8 në kryeqytet.

Ora 13:15
Veliaj vijon turin e gjelbër në Njësinë 7: Votoni skuadrën që shkon përpara; Këta e bëjnë gropë në çdo gjë që prekin, prandaj janë sot 'no name no face no number'

 

Nga Pallati i Sportit “Asllan Rusi”, i cili bashkë me stadiumin “Selman Stërmasi”, do të transformohen nga Bashkia e Tiranës, Erion Veliaj ftoi qytetarët e Njësisë 7, të votojnë për atë forcë politike që punon për familjen dhe fëmijët e tyre.

“Ftesa ime për çdo demokrat dhe për çdo anëtar të fundit që i ka ngelur Monikës dhe Ilirit është: Mos e bëj për ne, por mendo për fëmijën tënd! E nëse nëpërmjet familjes tonë politike çerdhja është bërë më e mirë, mos pyet për të majtë e për të djathtë, pyet kush e rregulloi çerdhen! Nëse kopshti është bërë më i mirë, mos pyet për teserë, po shiko kush rregulloi kopshtin! Nëse sot Tirana ka 40 e ca shkolla, mos pyet i kujt partie ishte, por pyet cila skuadër dhe kush ma bëri shkollën më të mirë për fëmijën! Nëse Fusha e Aviacionit, Njësia 7, ka më shumë gjelbërim, mos u shqetëso fare për mbiemrat e tyre, por shiko kush ta bëri këtë gjelbërim dhe të solli oksigjen! Nëse kompleksi “Dajti” sot iu kthye publikut, mos na e shiko fare logon e partisë, mjafton të shohësh se cila është skuadra që shkon përpara! Nëse “Asllan Rusi” e “Selman Stermasi” do të transformohen ashtu si “Arena Kombëtare”, mos e lejo veten të të përdorë Saliu duke thënë fillimisht ‘Arena e korrupsionit’ dhe pastaj ‘e demokracisë’. Bashkohu me ne, që sot që t’i bëjmë këto punë bashkë,” u shpreh Veliaj.

Ai tha se Sali Berisha poshtëroi demokratët në shfaqjen e në stadium.

“Ju kujtohet kur thanë: Stadiumi i krimit, stadiumi i korrupsionit, stadiumi i mafias, i Ndraghetas, i Cosa Nostras?! Pastaj, kur vajtën tek stadiumi thanë: Stadiumi i Lirisë, stadiumi i demokracisë, stadiumi i fitores, stadiumi i shpresës! Me kë tallen këta? As me demokratët nuk tallen dot, se prandaj demokratët e braktisën dhe e lanë tek-pullë në stadium, duke e bërë gazin e botës. 80 vjeç burri aty duke iu folur karrigeve bosh. U kënaqën karriget me fjalim. Një njeri që mund të rrijë dy orë, t’i flasë stadiumit bosh dhe t’i shohë karriget si njerëz me të cilët do fitojë, është gajasja më e madhe! Bravo u qoftë demokratëve që e lanë tek pullë vetëm, ashtu si ai i ka tallur ata, duke i ndërsyer kundër nesh,” shtoi ai.

Veliaj tha se Tirana nuk gënjehet më: “Pse duhet të gënjesh edhe për shkollat, - se nuk ka asnjë problem, ka shkollë nate e mund ta bësh shkollën, po pse duhet të gënjesh për gjithçka? E kanë Bashkinë e Shkodrës. Pse nuk e bëjnë falas autobusin në Shkodër? Një linjë autobusi është atje. Pse nuk e bëjnë Shkodrën me nënkalime? Këta kanë dy programe: Një program e kanë për ata që tashmë i kanë rrejt dhe nuk i rrejnë dot më, një program tjetër e kanë për ata që nuk i kanë rrejt akoma. Por unë di t’ju them këtë: Tirana nuk gënjehet më!”.

Ata janë si kënga “no face no name no number”, tha Veliaj, duke ironizuar mungesën e emrit të Berishës në fletën e votimit. “Ku janë në fletë votimi? Ku është logo e partisë? Ku është emri i udhëheqësit? Ka pas qenë një këngë për brezin tim, kur ishim ne të rinj, “no name, no face, no number”. Demokratët kanë dy zgjedhje: Ose të poshtërohen nga Saliu dhe të shkojnë tek Ilir Meta si “cjapi tek kasapi”, se vetëm ai është në fletë votimi, njeriun që i ka abuzuar dhe dhunuar më shumë, ose të bashkohen me ne, me Partinë Socialiste dhe të shkojnë përpara.”

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Banorët: 26/04/2023 13:02

    Ore Demagog,po aty te re.Frosina Plaku,si nuk prishe ato muret abusivë të pallateve e vilave pa leje,e të bëje një trotuar a rrugë ??!!apo ndonjë kënd lojrash për fëmijë?!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

2024 viti i ‘superlekut’, BSH bleu 313 mln euro për stabilizimin e monedhës europiane, planifikon më shumë vitin tjetër

2024 viti i ‘superlekut’, BSH bleu 313 mln euro për stabilizimin e monedhës europiane, planifikon më shumë vitin tjetër