TIRANË - Këtë 7 Mars, në Ditën e Mësuesit, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj nderoi me certifikatë mirënjohjeje 25 mësues dhe mësuese, të cilët i kanë kushtuar jetën e tyre arsimimit dhe edukimit të fëmijëve dhe të rinjve.
Veliaj tha se do të nisë zbatimi i lotit të dytë për ndërtimin e 17 shkollave të reja në Tiranë pas marrjes së konfirmimit nga Ministria e Financave. “Dje morëm një konfirmim nga Ministria e Financave për lotin e dytë të 17 shkollave. Ka filluar loti i parë me shkollat “Kristo Frashëri”, “Vaçe Zela” në “Don Bosko”; sapo filluam shkollën e re aty ku është nënkalimi i Shqiponjës, ndërkohë loti i dytë përfshin kryesisht shkollat në zonën sipër Liceut, zona e Saukut, e Qytetit Studenti, e Freskut. Po përgatitemi për një Tiranë, e cila vërtet ka këtë ritëm rritje, por më në fund ka edhe ritëm investimesh për të përballuar rritjen e jashtëzakonshme”, deklaroi ai, teksa sqaroi se pjesë e rindërtimit do të jenë edhe shkollat e vjetra, si “Sami Frashëri”, që nuk i rezistuan dot tërmetit. “Kjo është arsyeja pse kemi vendosur që ta bëjmë të re shkollën “Sami Frashëri”, siç bëmë të re shkollën “Kosova”, “Servete Maçi” dhe shumë shkolla të tjera në Tiranë, ku të rejat janë dita me natën krahasuar me ndërtesat e vjetra. Edhe shkolla “Sami Frashëri” do të jetë një shkollë fantastike”, sqaroi Veliaj.
Si tregues i mbajtjes së fjalës, kryebashkiaku solli rindërtimin e shkollës “Kosova”, e cila dikur u dogj për t’i hapur rrugën ndërtimit të një pallati. Veliaj shprehu zotimin e tij për të çliruar territoret e institucioneve arsimore nga ndërtimet pa leje, e për t’ia kthyer ato nxënësve. “Mbaj mend kur u dogj shkolla “Kosova” për t’u bërë pallat. Prandaj, duhet të reflektojmë pak se çfarë nxënësish kemi rritur: Nxënës që sa morën pushtetin harruan dhe nuk ruajtën as integritetin e shkollave. Unë jam i vendosur që të vazhdoj pastrimin e territorit të shkollave. Kjo vjen me një faturë miqtë e mi. Duhen shpronësuar sepse janë legalizuar, kanë marrë hipotekat. Por, do të vazhdojmë deri në fund, sa të kem fuqi dhe takat, si i zgjedhur në këtë qytet, do çlirojmë çdo centimetër katror që i është marrë një shkolle”, tha Veliaj, teksa solli në vëmendje edhe djegien e shkollës në Shkodër për qëllime politike.
Veliaj shprehu mirënjohjen për devotshmërinë e treguar nga mësuesit dhe i cilësoi ata si bashkëpunëtorët më të mirë të qytetit.
Kryebashkiaku tha se 100 mijë nxënësit që ulen çdo ditë në bankat e shkollave të Tiranës janë aseti më i rëndësishëm i këtij qyteti. “Një komb
që investon te dija dhe jo te pasuria, ka të ardhme. Ju, mësues, ju shoh si bashkëpunëtorë të këtij qyteti, që investon më shumë te dija. Të gjithë duan të vijnë në vendin e mundësive, ndaj për sa kohë që e pranojmë se fati i qyteteve të mëdha, i një metropoli, është që vetëm të rritet, atëherë më mirë ta pranojmë si sfidë, se sa të bëhemi populistë e racistë ndaj të tjerëve, që do na bashkohen sigurisht edhe këtë vit e sa të jetë jeta në Tiranë”, tha ai.
Krahas përmirësimit të infrastrukturës së shkollave, Bashkia e Tiranës njofton se në bashkëpunim me qeverinë, do të nisin edhe transformimin e Piramidës, në qendrën më të madhe të teknologjisë, ndërsa do të hapen edhe akademi kodimi, duke i përgatitur të rinjtë për të ardhmen.
Në mënyrë simbolike për Ditën e Mësuesit, kryebashkiaku Veliaj dhe disa mësues të shkollave të Tiranës, mbollën pemë në Parkun e Liqenit Artificial.
O Lali Demagogu,po ti merr cdo muaj nga 1500 Leke" takse per Shkollat,te fattura e Ujit...e le pastaj Taksa e Parkingje
PërgjigjuKUR TE KESH PRISHUR 5 MILION SHTEPI E NDERTESA NE TE GJITHE SHQIPERINE ,,,ATEHERE KJO ESHTE PUNE E MBARUAR,, ERION,,,MALOKERIA KA SHKATARRUAR QYTETET,,,,ASNJE MESHIRE MOS KI PER KETA KAFSHE PREHISTORIKE.....
Përgjigju