Programi i Partisë Socialiste janë punët, ndërsa alternativa tjetër që iu ofrohet qytetarëve shqiptarë është dhuna. Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun e Tiranës, Erion Veliaj tha se alternativa tjetër është dhuna, urrejtja dhe përçarja.

“Nëse ata e kanë mbështetur fuqinë e tyre tek dhuna, ne e kemi mbështetur tek puna; nëse ata janë në gjuhën e urrejtjes, ne jemi me dashurinë; nëse ata mendojnë që përçarja funksionon, ne jemi partia e bashkimit,” u shpreh ai.

Veliaj tha se qëllimi i vetëm i Lulzim Bashës është pasurimi i familjes së tij, shtimi i vilave dhe bizneseve, duke e përdorur partinë për gjoba ndaj atyre që ai i quan oligarkë.

Si ka mundësi që në kohë pandemie rrisin pasurinë e tyre ekonomike?! Shtojnë vilat e tyre në vitin që shqiptarëve iu dëmtuan shtëpitë dhe jo vetëm kaq, por edhe gënjejnë: një panik i tërë tek pallati që është kufi me ju, iu thanë të gjithëve, pallati është dëmtuar, prandaj ikëm të shqetësuar dhe patjetër duhet t’i merrnim dy vila nga një njeri që është oligark. Tani ai oligarku është bërë një engjëll, se ai quhet oligark vetëm kur nuk paguan gjobën, se kur paguan gjobën ai bëhet një rob Zoti,” u shpreh Veliaj.

Ai thumboi edhe presidentin Ilir Meta, i cili sipas Veliajt i është bashkuar koalicionit antishtet dhe po u jep dekorata njerëzve që nuk përfaqësojnë asgjë për këtë vend.

“Presidenti i kishte dhënë dekoratë pasardhësve të Vojo Kushit, që në fakt ishte një i rremë, sepse mbesa doli dje dhe tha “jam unë pasardhësja e Vojo Kushit, kujt po ia jep këtë dekoratë?” Normal, ai mavria nuk fliste dot për Vojo Kushin, se nuk e kishte fis fare. Ku ka degraduar sot alternativa e tyre, se tani janë bërë bashkë, i gjithë koalicioni antishtet, janë bërë bashkë. 5 lekë tufa, si majdanoz dekoratat,” u shpreh ai.