TIRANË - Taksa e hapësirës publike është pezulluar nga bashkia Tiranë deri në përfundim të luftës me COVID-19, ndërsa taksat lokale të cilat afatin e këstit të parë e kanë deri në 20 prill janë shtyrë për në qershor.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka shpjeguar se bashkia ka ndërhyrë duke hequr të gjitha kamatëvonesat edhe tek fatura e ujit, duke i bërë apel pensionistëve të qëndrojnë në shtëpi për ta paguar në një moment të dytë faturën.

Për të gjitha ata që kanë dhënë një ambient me qira për biznes Veliaj bëri apel të tregohen bujar duke mos e kërkuar qiranë këtë periudhë tek ato biznese që janë të mbyllura.

Por cilat janë zonat ku banojnë të prekurit me COVID-19 dhe aktualisht ndodhen në karantinë? Sipas Veliajt të infektuarit janë në të 11 njësitë administrative në Tiranë.

Tek rezervat ushqimore të Tiranës, Veliaj sqaroi se me të gjitha kompanitë ai ka komunikim ditorë dhe rezulton se kanë siguruar bazën për tre muaj dhe nuk ka asnjë arsye të bëhet pazari sikur nesër tregu do jetë bosh. Kreybashkiaku i cili drejton qytetin me numrin më të madh të popullsisë në apelin e tij drejtuar qytetarëve rikërkoi respektimin e karantinës dhe rregullave.