TIRANE - Në mbledhjen e sotme të Komisionit të Ekonomisë ku po diskutohet ligji për sigurimet shoqërore, Ministri i Mirëqënies Sociale Erion Veliaj tha se mosha e pensioneve për gratë do të rritet me nga 2 muaj çdo vit.

Siç thekson ministri Veliaj në raportimin e tij mbi ligjin në fjalë, ai do të ketë efekt të plotë në vitin 2032, çka do të thotë se mosha e pensioneve është parashikuar nga qevera të rritet me 3 vjet për gratë, pra nga 60 në 63 vjeç. Sipas Ministrit të Mirëqënies, kjo është një reformë e vonuar por e nevojshme.

Ndër të tjera Veliaj nënvizoi se ndër masat e qeverisë është edhe rritja e pensionit minimal i cili sipas ministrit nga 1 janari i vitit të ardhshëm do të bëhet 14350 nga 14174 që është aktualisht. Veliaj shtoi se rritja e pensioneve nuk do të ndikohet nga skema e rritjes së moshës së pensioneve.

I të njëjtit mendim ka qenë edhe deputeti i PS Anastas Angjeli i cili në fjalën e tij theksoi se skema aktuale ka problematika dhe padrejtësi. Sipas Vangjelit, kjo skemë aktuale është drejt falimentimit.

Mbledhja e sotme Komisionit të Ekonomisë zhvillohet pa praninë e opozitës, e cila siç është bërë e ditur nga kreu i tyre Lulzim Basha, do të bojkotojë të gjitha komisionet dhe Parlamentin deri në një vendim të dytë. 

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)