TIRANE- Sistemi i sigurimeve shoqërore dhe pensioneve duhet të reformohet. Këtë e ka shprehur ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, gjatë prezantimit të analizës vjetore të punës së Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe prezantimit të Arkivit Qendror të këtij institucioni. Ministri Veliaj i ka bërë thirrje opozitës që të japë konsensusin për miratimin e projektligjit të pensioneve, ndërsa tha se nuk do të ketë rritje të moshës së pensionet për ata që janë në prag pensioni.

"Nuk do të ketë rritje të moshës së daljes në pension për ata që janë në prag pensioni. Reforma në sistemin e sigurimeve shoqërore dhe pensioneve duhet të ishte realizuar  më përpara. Ne i kemi votat për të kaluar reformën dhe do bëjmë atë që është e arsyeshme, por ftojmë opozitën të miratojmë me konsensus projektligjin për pensionet. Një nga detyrat urgjente është reformimi i sistemit të Sigurimeve Shoqërore, modernizimi i tij me synim formulimin e një sistemi pensionesh të konsoliduar, bashkëkohor, të qëndrueshëm financiarisht, të drejtë dhe që ofron mbrojtje sociale të qëndrueshme për të gjitha shtresat”, tha ministri Veliaj.

Duke paraqitur problematikat që has sistemi i sigurimeve në vend, ministri Veliaj tha se duhet rritje e performancës së sistemin ndaj kontribuuesve dhe përfituesve. Sipas Veliajt shpesh rritja e pensioneve është bërë mbi mundësinë ekonomike të vendit, dhe kjo ka rritur barrën fiskale.
 
““Fillimisht më duhet të evidentoj se Sistemi i Sigurimeve Shoqërore aktualisht gjendet në udhëkryqin e zhvillimit të tij. Nga njëra anë ky sistem nuk arrin të japë përfitime të kënaqshme për të gjithë, ndërkohë që financimet e buxhetit të shtetit zënë një peshë mjaft të lartë të mbulimit të shpenzimeve. Sistemi tregohet i pabarabartë në lidhje me kontributet e paguara dhe aktualisht nuk prodhon elementë nxitës si për rritjen e nivelit të financimit të tij nëpërmjet kontributeve, ashtu edhe për pensione më të larta e të merituara. Është e qartë se shpeshherë rritja e pensioneve është bërë mbi mundësitë ekonomike, e pa mbuluar nga mbledhja e kontributeve, duke u përdorur në funksion të politikës, gjë që e ka rënduar qëndrueshmërinë fiskale të sistemit. Një tjetër shqetësim është edhe fakti se financimet nga buxheti për sistemin e përgjithshëm të sigurimeve shoqërore janë shumë të larta duke u bërë pengesë për zhvillimin ekonomik. Ndërkohë, difiçiti financiar i degës së pensioneve ka arritur në rreth 1.6% të PBB dhe me tendencë të dukshme drejt përkeqësimit”, tha ministri Veliaj.
 
Për ato kompani që nuk deklarojnë pagesat reale të punonjësve, ministri tha se do të shtohen penalitetet, duke u shprehur se si shkak i mosdeklarimeve reale, sistemi i sigurimeve has vështirë të mëdha.
 
“Numri i kontribuuesve në sistem është ende mjaft i ulët ndërkohë që shmangia nga pagesat reale të kontributeve llogaritet të jetë ende i lartë. Edhe pse të ardhurat e programuara nga personat e vetëpunësuar në bujqësi janë realizuar, numri i personave që kontribuojnë në skemë është mjaft i ulët, ndaj rritja e tij mbetet sfidë e hapur si në qytet ashtu edhe në fshat. Nevojitet deklarim e pagave reale, pasi sistemi i sigurimeve po has vështirësi. Do të shtohen penalitetet për ato kompani që nuk deklarojnë pagesat reale të punonjësve”, u shpreh Veliaj.
 
Duke u ndalur tek bashkëpunimi me vendet e rajonit për njohjen e viteve të punës për emigrantët në vendet ku jetojnë dhe punojnë, ministri Veliaj tha se po punohet në këtë drejtim.
 
“Në marrëdhënie me shtetet e tjera, ka përfunduar marrëveshja në fushën e sigurimeve shoqërore me Belgjikën, si dhe janë përgatitur e diskutuar materialet për marrëveshje bilaterale, me një sërë vendesh të tjera si Rumani, Hungari, Maqedoni, Çeki, Luksemburg, etj.”, tha Veliaj.

Më tej, ministri i Mirëqenies Sociale tha se problematike mbetet situata edhe sa i takon çështjes së komisioneve mjekësore, ndërsa kërkoi më shumë rigorozitet në dhënien e kempit.

Ministri Veliaj vizitoi ambientet e reja moderne të Arkivës Qendrore të ISSH-së, i shoqëruar nga Drejtoresha e ISSH-së, Vjollca Braho. Veliaj theksoi se Arkiva Qendrore e Sigurimeve Shoqërore është shembulli më i mirë i punës së këtij institucioni për përmirësimin e administrimit dhe dixhitalizimin e regjistrave.

Në Arkivën Qëndrore të Sigurimeve Shoqërore janë mbledhur shumica e dokumentave të vjetërsisë në punë, nga të gjitha Drejtoritë Rajonale dhe njëkohësisht është duke u punuar për të dixhitalizuar vjetërsinë në punë që nga viti 1945 dhe deri në ditët e sotme. Aktualisht, ka përfunduar dixhitalizimi i regjistrave të gjithë ish-koperativave bujqësore, dhe po punohet për hedhjen e të dhënave të vjetërsisë në punë për ndërmarrjet shtetërore.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)