Duke shfrytëzuar kohën e pushimeve të verës, Bashkia e Tiranës po riparon plotësisht palestrën e kësaj shkolle, si dhe po riparon sistemin e ngrohjes. Punimet u inspektuan nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili theksoi se palestra do t’i shërbejë jo vetëm nxënësve gjatë orëve të mësimit, por pasditeve do të qëndrojë e hapur edhe për banorët e njësisë 5.
“Tirana sot është shumë më e madhe, çka do të thotë se kemi shkolla në fshat të cilat, për herë të parë pas 25 vitesh, po shohin investime nga bashkia, por besoj që, në hapësira të tilla, ku kemi investuar një palestër moderne, e cila mbas orëve të mësimit do t'i shërbejë edhe komunitetit të njësisë 5, një zonë me një dendësi shumë të madhe ndërtimi dhe pa hapësira të mjaftueshme, është një lajm i mirë për komunitetin, qoftë për ata që i shpien fëmijët e tyrë në këtë shkollë, por edhe për ata që do t'i përdorin këto ambiente pas mësimit, kur projekti i shkollave komunitare të hapet për gjithë Njësinë 5”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj.
Duke theksuar se Bashkia e Tiranës e ka marrë seriozisht riparimin dhe rikonstruksionin e çerdheve, kopshteve dhe shkollave, ai theksoi se rehabilitimi i një kati shkolle dhe i hapësirave shtesë i vjen në ndihmë, por nuk e zgjidh përfundimisht problemin e dyndjes së nxënësve. Për të zbutur këtë problematikë deri në zgjidhjen përfundimtare të saj, Veliaj tha se në bashkëpunim me Drejtorinë Arsimore të Tiranës është parë e arsyeshme të bëhet një shpërndarje më e mirë e nxënësve dhe e mësuesve nëpër shkolla, duke siguruar cilësi dhe standarde të njëjta.
“Bashkë me Drejtorinë Arsimore Rajonale, kemi marrë përsipër të bëjmë një shpërndarje proporcionale të nxënësve. E di që disa shkolla, përfshirë edhe shkollën “Emin Duraku”, kanë një reputacion të shkollave të mira, por kemi punuar me DAR-in që cilësia e mësim-dhënies të jetë njësoj në gjithë Tiranën. Pra, çdo shkollë të ofrojë të njëjtin standard dhe diploma të vlejë njësoj”, shprehet Veliaj. Ai bëri të ditur se nxënësit do të shkojnë pranë shkollës më të afërt me vendin e banimit të tyre, si një masë tjetër për të shmangur fluksin dhe mbingarkesën në disa shkolla.
“Do t’u lutesha prindërve të Tiranës që të kenë parasysh se në çdo shkollë ofrohet shërbim cilësor dhe të mos këmbëngulin për t'i përqendruar nxënësit vetëm në ato pak shkolla në qendër të Tiranës. Nxënësit do të shkojnë në shkollën më të afërt të zonës së tyre të banimit, pra aty ku janë rezidentë. Kësisoj na mundësojnë një shpërndarje sa më proporcionale në të gjithë Tiranën”, u shpreh Veliaj.
Sa i përket Bashkisë së Tiranës, Veliaj theksoi se ajo gjatë gjithë këtyre javëve, deri në nisjen e sezonit të ri shkollor, do të kujdeset që të bëhen të gjitha riparimet e nevojshme për të siguruar kushtet normale të mësimit. Ai bëri të ditur se për zgjidhjen përfundimtare të problemit të mbingarkesës së shkollave në Tiranë këtë vit do fillojë edhe ndërtimi i objekteve arsimore krejtësisht të reja. Kjo falë një skeme bashkëpunimi me sektorin privat.
“Këtë vit bashkia do të fillojë ndërtimin e 20 shkollave. Është projekti ynë ambicioz që në partneritet publik-privat, shkollat të ndërtohen të gjitha brenda 1 viti, por ama bashkia të mos detyrohet prej çështjeve financiare të paguajë të gjitha shpenzimet njëherësh, por t'i shtrijë ato ndër vite, duke përdorur formën e kësteve. Kjo është një mënyrë që na siguron menjëherë shkollat, por ama nuk na rëndon financiarisht”, shprehet Veliaj.
Në shkollën “Emin Duraku” po bëhet rindërtimi i palestrës, si dhe vendosja e sistemit të aspirimit. Gjithashtu, është bërë funksional sistemi i ngrohjes, si dhe është riparuar i gjithë sistemi elektrik. Pjesë e investimeve në këtë shkollë kanë qenë edhe pjesët hidraulike, përfshi të gjitha tualetet në të gjitha katet e ndërtesës.
Redaksia Online
(M.Ç/shqiptarja.com)