TIRANË - "Shqipëria mund të jetë gdhirë më e qetë, por nuk është gdhirë më e pastër, sepse 31 hot spot-et e rrezikshme, që shkaktojnë sëmundje e vrasin çdo ditë njerëz, janë ende aty", tha në një konferencë për shtyp, ministri i MMSR, Erion Veliaj. Ai u bëri thirrje sot të gjithë qytetarëve shqiptarë, që t’i bashkohen nismës: “Ta pastrojmë Shqipërinë në një ditë” në 22 nëntor si mënyra më e mirë për treguar përgjegjësi ndaj mjedisit ku jetojmë.
 
“Duke qenë se pastrimi i hot spot-eve është një operacion i kushtueshëm dhe Shqipëria nuk i ka mjetet financiare për ta përballuar atë, pastrimi i mbetjeve të rëndomta, të cilat i kemi shkaktuar dhe vazhdojmë t’i shkaktojmë vetë ne, është një mision i mundur. Prandaj, dua të ftoj çdo qytetar shqiptar, ata që prisnin me ankth vendimin e djeshëm, ata që protestuan këto ditë, por edhe prindërit e atyre fëmijëve që për herë të parë vendosën një standard të ri proteste në një vend, ku qeveria nuk e dhunon popullin e vet, por pajtohet me ta, të bashkohen në datën 22 nëntor në fushatën: ‘Ta pastrojmë Shqipërinë në një ditë’”, nënvizoi ministri Veliaj.
 
Ai vuri në dukje se kjo fushatë e organizuar nga “Greenline Albania”, si pjesë e një nisme botërore e zbatuar me sukses në Slloveni dhe në shumë vende të tjera të botës, mbështetet fort edhe nga qeveria shqiptare, e cila tashmë është bërë pjesë e nismës që do të pastrojë Shqipërinë nga mbetjet me gjithë fuqinë vullnetare që ka qytetaria shqiptare në datën 22 nëntor.
 
“Tani duhet të kalojmë nga fjalët tek veprat! Ashtu siç Shqipëria ishte në vëmendjen ndërkombëtare gjatë kësaj jave, tani kemi shansin që këtë vëmendje ta përdorim në datën 22 nëntor për të treguar se 100 mijë shqiptarë mund ta pastrojnë shtëpinë e tyre me forca vullnetare, duke rrokur energjinë dhe ndërgjegjësimin që shkaktoi debati për çështjen e lëndëve kimike”, tha Veliaj.
 
Nga ana tjetër, ai ftoi të gjitha institucionet e shtetit që në 22 nëntor të bëhen pjesë e kësaj fushate pastrimi, përfshirë edhe ato në varësi të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Në këtë aksion do të angazhohen edhe Ministria e Mjedisit, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministria e Arsimit dhe Sportit, si dhe të gjitha Prefekturat apo Bashkitë e Komunat e vendit.
 
Veliaj zbuloi edhe qytetin ku ai vetë do t’i bashkohet vullnetarëve për të pastruar mjedisin: “Në 22 nëntor do të jem në Gjirokastër, në aksionin për të pastruar pjesët turistike të qytetit si Kalaja, apo pjesët kufitare siç është dogana e Kakavijës”, shtoi ai. Me aksionin e 22 nëntorit synohen të mblidhen mbi 20 mijë ton mbeturina nga grumbullimet ilegale në 12 qarqet e vendit.

Lëvizja civile “Ta Pastrojmë Shqipërinë në një Ditë” dhe organizata Greenline Albania janë pjesë të lëvizjes “Let’s Do it World”, e cila është kandidate për çmimin “UN Prize” në fushën e të drejtave të njeriut për promovimin e një mjedisi të pastër në të gjithë botën. Këtë nismë e mbështesin 107 shtete, janë organizuar 139 aksione pastrimi dhe janë angazhuar rreth 8 milion vullnetarë, të cilët kanë mbledhur mijëra ton mbeturina në të gjithë botën.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)