Gjatë prezantimit të listës së këshilltarëve bashkiakë në Kamëz, kryetari i Partisë Socialiste të Tiranës dhe drejtuesi politik i Qarkut, Erion Veliaj, u shpreh se demokratëve po u kërkohet të votojnë listën e Ilir Metës dhe kjo është një fyerje e rëndë për ta.
“Nga i pari tek i fundit, lista e Këshillit Bashkiak të Kamzës është me emra të Partisë Socialiste, janë të Edi Ramës, janë të Rakip Sulit, janë të Linditës, të Erionit, janë anëtarë të kësaj familjeje, janë çuna dhe goca të kësaj shtëpie, janë burra dhe gra të këtij komuniteti. Po shikoja listën që kisha përballë, ishte e gjithë lista e Ilir Metës. Partisë Demokratike, të djathtëve të Kamzës dhe të Paskuqanit po u kërkohet të votojnë listën e Ilir Metës. Demokratëve të Paskuqanit dhe të Kamzës po u thuhet shkoni si ‘cjapi te kasapi’, kokën në tabaka të djathtës me ia çuar Ilir Metës. Atyre që kanë vite që militojnë në forcat e djathta, ata që kanë kohë që janë identifikuar me të djathtën këtu në Kamëz, po u thuhet shkoni si qengjat në thertore për Ilir Metën. Çfarë fyerje që krerët e këtyre forcave u bëjnë militantëve të tyre! Çfarë fyerje t’i thuash dikujt shko voto listën e njeriut që në të gjitha sondazhet del më i urryeri në Shqipëri,” u shpreh Veliaj.
Partia Socialiste, edhe këtu në Kamëz, tha Veliaj, e kërkon votën për të vijuar për të bërë punë për njerëzit.
“Kur Rakip Suli kërkon votën dhe kur unë e Lindita bashkohemi, kur Edi Rama vjen e kur të gjithë ne kërkojmë mbështetjen tuaj, kërkojmë që të bëjmë punë për njerëzit. E kërkojmë që, nga këto çerdhet e para që prodhuan një histori suksesi, ne të bëjmë më shumë çerdhe. Nga këto kopshtet e para, që kanë krijuar një liri për qindra, mijëra gra, që të shkojnë dhe të punojnë, kur fëmijët janë të sigurt në këto ambiente, ne të bëjmë më shumë kopshte. Kur këto shkollat e Kamzës që sot po fitojnë çmime ndërkombëtare, e kërkojmë votën që të bëjmë më shumë shkolla,” u shpreh Veliaj.
Nga ana tjetër, ata kërkojnë votë për sherr e përçarje, tha kreu i PS së Tiranës.
“Kur dëgjon palën tjetër, ata thonë: ‘Na jepni votën që të rrëzojmë qeverinë’. Pra, i thonë pjesës këtej të lumit: ‘Na jep votën që të hapim sherr në anën tjetër të lumit’. Ndërkohë, ne i themi jo, ne nuk duam sherr në anën tjetër të lumit, as me Edi Ramën, as me Lali Erin. Ne nuk duam ndarje, ne duam më shumë bashkim. Ne nuk duam përçarje, ne duam më shumë ura. Ne nuk duam dhunë, ne duam më shumë punë. Kamza nuk mund të jetë serbator për sherr, por është serbator për talent, për punë dhe për vepra të mira. Ata i thonë Kamzës dhe Paskuqanit: ‘Na jepni votat, se jo vetëm që me këto vota do i hapim sherr Edi Ramës, por me këto vota ne do rrëzojmë edhe Ambasadën Amerikane’. Në Kamëz, në Paskuqan, e gjithë Shqipëria, është ndoshta hapësira më pro amerikane në botë. Qarku i Tiranës është ndoshta hapësira më pro amerikane në Shqipëri. Por, Kamza dhe Paskuqani janë hapësirat më pro amerikane në Qarkun dhe vendin më pro amerikan,” deklaroi Veliaj.
Lajmi kryesor: