Në turin e tij në Hanover dhe Bremen të Gjermanisë, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka promovuar Zonën e Lirë Ekonomike, si një mundësi fantastike për ardhjen e kompanive gjermane në Shqipëri. Pas vendosjes në Tiranë e kompanisë prestigjoze gjermane Lufthansa Industry Solutions, duket se ka nisur një trend i ri i zhvendosjes së kompanive gjermane në vendin tonë, të cilat gjejnë një terren të favorshëm për të zhvilluar biznesin e tyre.
Në Bremen Veliaj u prit nga kryebashkiaku, Andreas Bovenschulte, si dhe deputeti i Parlamentit Europian, Joachim Schuster. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Veliaj shkruan: “E mbylla udhëtimin tim të shkurtër në Gjermani me Joachim Schuster, deputetin e Parlamentit Europian dhe Bremenit, i cili theksoi lidhjen e fortë që ekziston mes popujve tanë. Faleminderit ish-kryebashkiakut të Bremenit, Carsten Sieling, për mbështetjen e tij të palodhshme”.
Më herët, Veliaj u takua edhe me zyrtarë të lartë të Rajonit të Hanoverit dhe anëtarë të Landtag-ut. Pas takimeve me Maximilian Schmidt, anëtar i Landtagut të Hanoverit, dhe Presidentin e Rajonit të Hanoverit, Steffen Krach, Veliaj thekson se qëndrimi i tyre është i qartë për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit në BE.
“Faleminderit për mikpritjen miku im, Max Schmidt – anëtar i Landtagut të Hanoverit dhe një europian i palëkundur! Qëndrimi i tij është i qartë: BE-ja do të jetë e plotë vetëm me anëtarësimin e vendeve të Ballkanit”.
“Një vizitë e shkurtër në Gjermani, për t’u takuar me miq të mirë dhe për të kërkuar bashkëpunime të reja në Hanover dhe Bremen. Shumë i lumtur që takova edhe Presidentin e Rajonit të Hanoverit, Steffen Krach, dhe skuadrën e tij të mrekullueshme. Ju drejtoni me kreativitet dhe pasion!”, shkruan Veliaj.
Gjetja e bashkëpunimeve të reja ishte fokusi i vizitës së fundit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj në Hannover dhe Bremen të Gjermanisë.