Hazizi dhe Fatima, çifti nga Afganistani, që mbërriti bashkë me refugjatët e parë që lanë vendin e tyre për shkak të luftës, po integrohen ditë pas dite në Tiranë, madje kanë vendosur të bëhen edhe pjesë e Maratonës së 17 Tetorit. Gjatë një pritjeje në zyrën e tij, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka përgëzuar dy të rinjtë për angazhimin në jetën publike e posaçërisht pjesëmarrjen e tyre, bashkë me qindra vrapues të tjerë të huaj në Maratonën e cila do ta kthejë të dielën kryeqytetin në arenën më të madhe sportive të vitit.
“Jam shumë i lumtur sot që jam këtu me Hazizin dhe Fatimen, dy miqtë tanë nga Afganistani të cilët kanë vendosur të bëhen pjesë e Maratonës së Tiranës. Unë e di që për ta ka qenë një tranzicion shumë i gjatë dhe i vështirë. Erdhën nga Afganistani, por duan të integrohen në Shqipëri, të hapin edhe një restorant në vendin tonë dhe të fillojnë një jetë të re dhe të krijojnë një familje. I mezipres dhe ngaqë janë dy miq specialë në Maratonën e Tiranës, doja një pritje të veçantë dhe tu uroj atyre shumë sukses. Sigurisht që kjo garë është e rëndësishme por jo aq e rëndësishme sa gara e madhe që kemi përpara, për të krijuar një familje në vendin tonë dhe për t’ia filluar jetës nga e para, ashtu si shumë prej nesh filluan jetën nga e para kur kanë qenë në emigracion dhe është dashur të përballen me shumë sfida,” u shpreh ndër të tjera kryebashkiaku Veliaj.
Të rinjtë afganë falenderuan kreun e Bashkisë, sidomos për mikpritjen e veçantë që u bëri Tirana bashkëkombësve të tyre. “Jemi pafund të lumtur dhe shumë faleminderit për pritjen. Falënderoj qeverinë dhe qytetarët shqiptarë për mikpritjen shumë të ngrohtë që na dhanë në kohën kur ne kishim nevojë më shumë dhe kur shumë vende të tjera na kthyen shpinën, ishte Shqipëria që na mirëpriti. Ju falënderoj dhe jam shumë entuziast, unë edhe bashkëshortja ime që do i bashkohemi Maratonës së Tiranës,” u shpreh Hazizi. “Unë dua të falënderoj të gjithë shqiptarët dhe veçanërisht zotin kryebashkiak,” tha Fatima.
Lajmi kryesor: