Veliaj vijon fushatën në njësinë 1, prezanton projektin për transformimin e '100 lagjeve' në Tiranë

Kandidati socialist i koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane” për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, prezantoi pasditen e sotme nga shkolla “1 Maji” kandidatët e PS për Këshillin Bashkiak, si dhe diskutoi me banorët projektet transformuese që do të zbatohen në kryeqytet në mandatin e dytë.

Ndër projektet e para që do të nisin në mandatin e dytë në Tiranë është ai i pagëzuar me emrin “Projekti i 100 lagjeve”, që synon të përmirësojë drejtpërdrejt jetën në komunitet. 
“Si qeveria qendrore ka një projekt të 100 fshatrave, ashtu edhe ne do të adoptojmë një projekt të ngjashëm për 100 lagjet e Tiranës, ku duam një listë të gjatë të lagjeve të Njësisë 1 t’u hyjmë me themel, që ashtu siç kemi bërë akset kryesore, ashtu të punojmë edhe në të gjitha lagjet cep më cep, me të njëjtën cilësi, si në qendër ashtu edhe në periferi. Është shumë mirë që kemi bërë ndërhyrjet në vendet ikonë, si sheshi “Skënderbej”, Pazari i Ri, Amfiteatri te Liqeni, Parku i Liqenit, Bulevardi i Ri apo Kalaja e Tiranës, ama e dimë që njerëzit i frekuentojnë për 2 orë ose 6 orë, por projekti i 100 lagjeve do e transformojë Tiranën po aq, në mos më shumë seç u transformua me projektet madhore”, theksoi Veliaj.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:39
Veliaj: Unaza e Madhe dhe zgjerimi i Lanës do të bëhen, PS do i lërë Shqipërisë infrastrukturën më moderne

1559846752_1559838780erionveliaj.jpg

Në 4 vitet e ardhshme Tirana do ketë Unazën e Madhe dhe projektin zgjerimit të lumit të Lanës së përfunduar. Kandidati socialist për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj u shpreh i vendosur që projekti i nisur për zgjerimin e Unazës së Madhe dhe vijimin e tij dhe në pjesën veriore dhe të Tiranës do të vazhdojë. 

“Të jemi të qartë për një gjë: Unaza e Madhe do të bëhet dhe është e nevojshme për qytetin e Tiranës. Kjo do të thotë se do të bëhet edhe Unaza e Madhe tek Astiri, por do të bëhet edhe Unaza e Madhe në Shkozë, është jetike për Tiranën. Unaza do të bëhet, por edhe çdo njeri do të trajtohet nga ana sociale. Kush ka pronë, janë disa që e kanë realisht pronën, do marrin paret; kush ka nevojë, ne kemi ruajtur një kontingjent të banesave sociale që është po aty afër, do marrë një banesë sociale dhe mund të rrijë tërë jetën; kush do të marrë një kredi të butë, do t’i japim një kredi të butë. Partia Socialiste do t’i lërë Shqipërisë infrastrukturën më moderne që ka parë ndonjëherë”, tha Veliaj.

Një tjetër projekt madhor i prezantuar nga Veliaj për katër vitet e ardhshme është edhe ai i zgjerimit të Lumit të Lanës. “Ne do vazhdojmë me zgjerimin e Lanës. Ka dy akse Tirana, Bulevardi që po e mbarojmë dhe njësia 8 dhe 9 ka dalë komplet në dritë, por ka dhe një aks tjetër qëë është Lana. Si Unaza që do bëhet, edhe Lana do zgjatet nga Kashari deri në Shkozë. Ne do vazhdojmë deri larg në Lanabregas e poshtë deri në Kashar”, deklaroi Veliaj.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë