Zgjedhjet vendore do mbahen në 30 qershor. Nga Baldushku, ku vijoi fushatën e tij elektorale, kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj deklaroi se nuk ka asnjë dyshim që zgjedhjet vendore do mbahen në 30 qershor dhe qytetarët e Tiranës do të votojnë për vijimin e transformimit që ka pësuar kryeqyteti në këto 4 vite.
“Në 30 qershor do kemi zgjedhje në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë. Kjo nuk do as mend, as kalem. As dekret, as sekret. Nuk do as sherr, as shamata. Në datën 30 qershor, ne do të vendosim se si Baldushku, Petrela, Farka, Krraba, Bërzhita, Kashari, Ndroqi, Peza, Shën Gjergji, Zallbastari, Zall Herri do të shkojnë drejt fitores për Tiranën që duam. Pala tjetër është në pikë të hallit. Këtu ka qenë Baldushku gjithmonë, s’ka ardhur ndonjëherë as Luli, as Saliu, as Iliri, se nuk duan t’ia dinë për njerëzit. Thonë të vijnë njerëzit tek ne në Bulevard dhe njëri nga njëra anë e bulevardit në protestë, tjetri nga një anë e bulevardit, duke çuar letra për zgjedhje, si ajo kënga që këndohej atëherë: Letër më ke çuar atje në ushtri, s’më paske harruar që kur ishim fëmijë”, tha Veliaj.
Më tej, ai shtoi se shfuqizimi i dekretit të zgjedhjeve nga ana e Presidentit të Republikës është një akt i pavlefshëm juridik, ndaj, theksoi Veliaj, në 3 qershor qytetarët dhe ata të gjithë Shqipërisë do të votojnë për të zgjedhur drejtuesit e rinjë të bashkive dhe për të vijuar rrugën e nisur të zhvillimit.
“Nëse këta do e mbajnë njëri-tjetrin me gajret dhe serume dhe do çojnë letra nul që s’kanë pikë vlere juridike, do çojnë letra nul që s’kanë pikë vlere morale, letra nul si letra vetëvrasje politike, këta le t’ia çojnë njeri-tjetrit, por nuk jemi këtu për hallet e tyre, ne jemi këtu për hallet tona, për t’i zgjidhur dhe për të punuar për familjet tona dhe fëmijët tanë. Në datën 30 qershor, ata mund të çojnë letra, serume, llokume, njeri tjetrit sa të duan, por në datë 30 qershor, çdo njeri në Tiranë e Shqipëri do zgjohet në mëngjes dhe do i bëjë një pyetje vetes: Do votoj ose do merrem me pazarin që këta duan për 30 vitet që ikën apo do punoj për marrëveshjen që unë dua për 30 vitet që do vijnë?! Kjo është pyetja”, tha Veliaj.
Lajmi kryesor: