TIRANË, 3 Tetor/ATSH-Z.Tosku/- Zyrat e punës janë kthyer sot në ndërmjetëset kryesore të punësimit në vend. Kështu ka deklaruar sot në çeljen e Panairit 3 ditor "Work and Study", Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj.
Sipas tij , 10 zyrat e reja moderne të punës që janë hapur në të gjithë Shqipërinë u kanë shërbyer 52 mijë qytetarëve, nga të cilat janë bërë 12 mijë ndërmjetësime për punësim konkret dhe janë afishuar 20 mijë vende të reja pune.
Sipas Veliaj, panairi i punës dhe i studimit, i organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, është një mundësi e mirë jo vetëm për ata që kërkojnë punë, por edhe për dikë që kërkon të krijojë një biznes nëpërmjet shkollimit. "
Ai theksoi se këtë vit numri rekord prej 6 mijë regjistrimesh në sistemin e arsimit profesional, tregon edhe njëherë se interesi i publikut për këto shkolla po rritet. "Sa më shumë sipërmarrës dhe njerëz të punësuar, aq më i zhdërvjellët do të bëhet tregu dhe aq më shumë rritet ekonomia", nënvizoi Veliaj.
Duke përmendur reformën e pensioneve, e cila hyn në fuqi në 1 janar 2015, ai shtoi se brezi i ri duhet të kuptojë se vetëm me një punë të ligjshme dhe të ndershme mund të sigurojnë një pension dinjitoz në të ardhmen./m.m/