SHKODER - Vija bregdetare e Velipojës ashtu si pjesa më e madhe e bregdetit shqiptar, nuk i ka shpëtuar dukurisë së zaptimit të hapësirave publike të plazhit nga subjektet private që operojnë në këtë zonë.

Gjatë vijës bregdetare prej 14 kilometrash të këtij plazhi, sheh kudo rrethime apo parcela të krijuara, të tejmbushura me shezlongje private të cilat ofrohen kundrejt një pagese të caktuar që varion nga 400 leke deri në 15 euro.

Frekuentuesit e këtij plazhi që nuk mund të paguajnë tarifat e kripura të shezlongjeve e kanë gjithnjë e më të vështirë të gjejnë hapësira publike ku të pushojnë.

Pushues të shumtë pohojnë se kjo situatë duhet të ndyshojë, pasi shumë prej tyre nuk kanë mundësi të paguajnë çmimet e kripura të shezlongjeve të cilat variojnë nga 400 deri në 500 lekë për zonat periferike, ndërsa në zonat më të frekuentuara çmimet e tyre arrijnë deri në 15 euro.

Komuna e Velipojës ka tentuar të marrë masa për parandalimin e kësaj dukurie tepër shqetësuese, por ka hasur në kundërshtimin e ashpër të drejtuesve të bizneseve të zonës.

Plazhi i Velipojës është më i madhi në veri me një vijë bregdetare prej 14 kilometrash dhe gjerësi 300 metrash. Ai është shumë më i frekuentuar nga banorë të zonave të veriut dhe veçanërisht nga pushues të ardhur nga Kosova.

Përplasjet e fundit mes subjekteve private, qeverisjes vendore dhe policisë pyjore po krijojnë një situatë të vështirë për ecurinë e turizmit në këtë rajon, i cili ka shumë për të ofruar për pushuesit e tij.

(eb/shqiptarja.com)