Vëllai i pengut 300 mijë USD:
Gjoba s’është e sajua

Vëllai i pengut 300 mijë USD:<br />Gjoba s’është e sajua
TIRANË - Familja e personit, që dyshohet se u mor peng në Angli për 300 mijë euro, por që grupi hetimor deklaroi se kjo është një sajesë e “pengut”, shprehet se nuk e beson se të jetë kryer një veprim e tillë dhe që ka arritur të lidhet në telefon me të. Diko Hazizaj, nga Peshtani i Fierit, tregon për bisedën telefonike me vëllain e tij, Ilir Hazizaj, ku shprehet se një frikë e madhe ka mbërthyer familjen e tij.

“Peng, apo jo, unë nuk e di, por mbrëmjen e së enjtes, kam folur tre minuta në telefon me vëllain”, shprehet Diko Hazizaj, i cili nuk është i qetë, pasi nuk i harron telefonatat kërcënuese dhe përjashton mundësinë që i vëllai të ketë sajuar pengmarrjen për t’i kërkuar para. Gjithashtu, ai nuk i beson informacionet e publikuara në media së fundmi, ku janë ngritur dyshimet se i vëllai mund ta ketë sajuar së bashku me disa shokë pengmarrjen me qëllim që t’i detyronte tu jepnin para.

“Nuk e di ende sesi është, nuk jam ende i qartë. Unë nuk mund t’i harroj telefonatat kërcënuese të ditëve të fundit, ndërsa e përjashtoj totalisht mundësinë që vëllai im të ketë sajuar pengmarrjen për të na kërkuar para. Ai e di që ne nuk kemi para. Ai e di që ne kemi si pasuri vetëm rreth 14 dynymë tokë bujqësore që i kemi përfituar nga ligji 7501, disa lopë e pak bagëti me të cilat nxjerrim të ardhura sa për të jetuar. Duke qenë se ai e di mjaft mirë gjendjen tonë ekonomike, nuk ka mundësi që ta ketë bërë këtë gjë”, ka shtuar Diko Hazizaj. Ndërkohë, ai nuk arrin të shpjegojë nëse i vëllai i tij është marrë peng vërtetë apo jo, por shpreson që ai t’i ketë shpëtuar pengmarrësve.

Edhe pse kanë kaluar disa ditë, gjithë anëtarët e familjes Hazizaj nga fshati Peshtan i rrethit të Fierit vazhdojnë të jenë të tmerruar për atë që u ka ndodhur dhe që kanë dëgjuar. Ata shprehen se ngjarja nuk është zbardhur ende plotësisht prandaj shpresojnë që gjithçka të qartësohet në të ardhmen e të mund të jetojnë të qetë. Ndërkohë, policia e Fierit vazhdon të jetë në mbrojtje të familjes së Hazizajve në Peshtan te Fierit në shtëpinë e tyre vijnë çdo ditë për vizitë të afërm e dashamirës, të cilët janë shqetësuar për fatin e djalit të marrë peng në Angli.

Javën e kaluar, Policia njoftoi arrestimin e 27-vjeçarit Aleks Lala nga Shkodra e me banim në Tiranë, pasi dyshohej se kishte bashkëpunuar në gjobëvënien prej 300 mijë dollarëve Diko Hazizajt nga Peshtani i Fierit. Ndërkohë, u mësua se dy shqiptarë të tjerë kishin marrë peng vëllain e Dikos që jetonte në Londër prej rreth 15 vitesh dhe i kërkonin shumën e parave të sipërcituara në këmbim të lirisë së tij.

Gjykata e Krimeve të rënda vendosi masën e sigurisë arrest në burg pa afat për 27-vjeçarin Aleks Lala, i cili ishte personi, i cili u kërkoi shumën prej rreth 300 mijë dollarësh vëllezërve të pengut. Pasi vëllezërit Hazizaj denoncuan në polici faktin se një person i panjohur u kishte kërkuar një shumë të konsiderueshme parash në këmbim të jetës së vëllait të tyre të vogël që jetonte në Angli, prej rreth dy javë e gjysmë u survejuan gjithë lëvizjet e 27-vjeçarit Lala.

Gjatë kësaj kohe, ai u kishte dhënë vëllezërve Hazizaj telefonin e tij që të flisnin me “pengun” në Angli, i cili dukej mjaft i terrorizuar. Në këto kushte u vendos që të pranohej kërkesa e gjobëvënësit dhe të jepej një pjesë e shumës së kërkuar. Ndërkohë që 27-vjeçari Lala ka shkuar në vendtakimin e lënë më parë me Diko Hazizajn për të marrë paratë është prangosur menjëherë nga forcat speciale.

Shkrimi u publikua sot (28.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet të lejohet mjeku të punojë njëkohësisht në spital publik e privat?



×

Lajmi i fundit

'Kam lexuar çdo gjë nga Kadare', Preç Zogaj në 'Frontline Interview': Nobelin e meritonte! Ka pasur ëndërr Shqipërinë e Madhe, e vetmja opozitë në diktaturë

'Kam lexuar çdo gjë nga Kadare', Preç Zogaj në 'Frontline Interview': Nobelin e meritonte! Ka pasur ëndërr Shqipërinë e Madhe, e vetmja opozitë në diktaturë