Mbreti Charles ka njoftuar nëpërmjet Pallatit Buckingham se është “gati të bashkëpunojë” me Policinë e Luginës së Thames, ndërsa ata hetojnë mbi akuzat në lidhje me Princin Andrew.

Sipas mediave të huaja, në një deklaratë, Pallati Mbretëror i Mbretërisë së Bashkuar theksoi se Mbreti Charles ka shprehur “me fjalë të pashembullta dhe përmes veprimeve të papara” “shqetësimin e tij të thellë” për akuzat e vazhdueshme në lidhje me sjelljen e Andrew Mountbatten-Windsor.

Më herët gjatë ditës, deklarata bënë edhe Princi dhe Princesha e Uellsit, William dhe Kate, të cilët thanë se ishin "thellësisht të shqetësuar nga zbulimet e vazhdueshme" në lidhje me Dosjet Epstein.

"Mendimet e tyre mbeten me viktimat", tha një zëdhënës. Deklaratat e tyre thyen heshtjen e familjes Windsor, në dritën e skandaleve të vazhdueshme që rrethojnë ish-Princin Andrew, i cili u shfaq së fundmi në Dosjet Epstein duke përkëdhelur një grua të shtrirë në dysheme, ndër të tjera.

Zëdhënësi i Pallatit Kensington foli ndërsa William mbërriti në Riad për një vizitë tre-ditore në Arabinë Saudite, e kërkuar posaçërisht nga qeveria Starmer. Princi do të takohet gjithashtu me udhëheqësin saudit Mohammed bin Salman dhe do të forcojë lidhjet midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Arabisë Saudite, duke përfshirë tregtinë, inteligjencën dhe luftën kundër terrorizmit.

William dhe Kate dolën hapur pasi Princi Edward, vëllai i Mbretit Charles dhe Andrew, theu akullin në një aktivitet në Dubai javën e kaluar kur u pyet për skandalin Epstein. Duka i Edinburgut u përgjigj: "Ne duhet të mendojmë së pari për viktimat", duke e shpërfillur në mënyrë implicite vëllain e tij famëkeq.