Familjarët e Saimir Gjokës , i cili vdiq natën e 18 tetorit të vitit 2023 në autostradën A1 në Itali, kërkojnë që rasti të mos humbasë në arkiva dhe që të zbardhet e vërteta e plotë e aksidentit që i mori jetën 38 vjeçarit.
Gjoka ndërroi jetë pas një përplasjeje të rëndë në kilometrin 158 të A1, në zonën e Cognentos. Sipas familjes, personi që ishte në timon u largua nga vendi i ngjarjes pa i dhënë ndihmë dhe pa u përballur me drejtësinë.
Të afërmit kanë paraqitur zyrtarisht kundërshtimin e tyre ndaj kërkesës së prokurorisë për arkivimin e çështjes. Dosja është regjistruar ndaj personave të panjohur dhe vepra penale është “vrasje rrugore e rënduar nga largimi nga vendi i aksidentit”. Gjykata ende nuk ka marrë vendim përfundimtar.
Familjarët thonë se ekziston një dëshmitar okular, i cili mund të tregojë se çfarë ka ndodhur atë natë. Sipas tyre, pavarësisht se autoritetet janë informuar për emrin e këtij personi, nuk e kanë marrë ende në pyetje atë.
“Ne duam vetëm të dimë të vërtetën. Vëllai im vdiq në një aksident të tmerrshëm dhe ai që ishte në timon iku, pa thirrur ndihmë, pa u ndalur, pa u ndëshkuar”, tha motra e viktimës.
Ajo shton se, pavarësisht së kaluarës problematike të vëllait, ai e kishte shlyer dënimin dhe kishte nisur një jetë të re. “Ishte në pritje të lejes së qëndrimit dhe kishte kontratë të rregullt pune. Nuk arrij të jetoj normalisht duke ditur se askush nuk u përpoq ta shpëtonte”, tha ajo.
Sipas rindërtimit të ngjarjes, makina humbi kontrollin, u përplas me barrierën ndarëse dhe u përmbys. Gjoka u hodh jashtë automjetit dhe u gjet i pajetë në asfalt nga ekipet e ndihmës. Personi tjetër që ndodhej në makinë, i dyshuar si drejtues, u largua nga vendi i aksidentit duke u fshehur në fusha.
Në vendngjarje mbërritën patrulla të policisë rrugore të Modenës së Veriut, zjarrfikësit dhe ambulancat. Kërkimet për personin e larguar nisën menjëherë. Sipas mediave italiane, automjeti rezultonte i vjedhur dhe brenda kishte sende të dyshuara si të vjedhura.
Familja thekson se, pavarësisht rrethanave, fakti mbetet se 38-vjeçari humbi jetën dhe meriton drejtësi. “Vëllai im u la i vdekur në rrugë. Prej dy vitesh kërkojmë vetëm të dimë çfarë ndodhi atë natë. Këtë ia kemi borxh atij dhe djalit të tij”, tha motra.
Komente








