TIRANË- As ndryshimet në Kodin Penal të 27 janarit që tashmë parashikojnë dënim deri në 1 vit burg për parkimet dyshe, nuk i kanë trembur shoferët e papërgjegjshëm. Report Tv kreu një vëzhgim në Tiranë, ku dallohet qartë se shumë shoferë vijojnë të parkojnë dysh të pashqetësuar në rrugët “arterie” të kryeqytetit duke krijuar vështirësi për qarkullim për mjetet e tjera.
Në pjesën më të madhe të rasteve nuk plotësohen kushtet që të konsiderohen kundërvajtje penale, por rrisku që bllokimi të ndodh sa hap e mbyll sytë është evident në raste të caktuara. Për ekspertin e sigurisë rrugore, Islam Qibini, monitorimi i policisë duhet rritur.
“Duhen monitoruar segmentet rrugore, ato akse të cilat krijojnë trafik të rënduar në kryqëzime, nyje ku ka trafik, duhet të vëzhgohen vazhdimisht nga punonjës policie”, thekson eksperti Islam Qibini.


Makina të parkuara dysh në Tiranë
Çfarë parashikon Kodi Penal?
Por, dënimi deri me 1 vit burg për parkim dysh ende nuk ka hyrë në fuqi, pasi ndryshimet në Kodin Penal duhet të dekretohen nga Presidenti Bajram Begaj. Derisa ky ndryshim të futet në fuqi, Policia Rrugore në rastet kur konstaton shkelje si parkimi dysh prej korrikut të vitit të kaluar dhe deri më tani i referon në bazë të nenit 293 të Kodit Penal për pengimin e qarkullimit të mjeteve të transportit, i cili parashikon gjobë deri në 3 vjet burgim.
“Deri kur neni 293/1 të hyjë në fuqi, referimet do të bëhen në bazë të nenit 293 të Kodit Penal që prej korrikut të viti të kaluar. Nga statistikat që kam siguruar, deri në mes të janarit janë një numër i konsiderueshëm që janë referuar në prokurori, Tirana me 210 raste. Bie në sy Kukësi me 25 dhe Lezha me 11. Procedura është që do ndiqet hetimi për veprën në fjalë dhe në fund kur çështja të shkojë në gjykatë do ketë një vendim referuar këtij neni maksimumi deri në 3 vite burg. Bëhet fjalë për 80% të rasteve që janë pushuar nga vetë prokuroritë, prandaj mbase ligjvënësit kanë ndërhyrë në ligj për të sankonsiuar parkimin dysh”, tha gazetari Sokol Dema.
Duke qenë se Kodi aktual nuk e parashikonte qartë si vepër penale bllokimin e qarkullimit prej parkimeve dyshe, u shtua një nen i në Kod Penal, 293/1.

Neni 293/1 i Kodit Penal që pritet të futet në fuqi
Eksperti Islam Qibini shpjegoi se përmes këtij neni do të penalizohen të gjithë ata drejtues mjetesh të cilët duke parkuar dysh, do të bllokojnë lëvizjen totale të mjeteve të tjera, sidomos të automjeteve të zjarrfikësve, ambulancës, apo policisë.
“Duke parë që në vitet e fundit ka pasur problematik më rritje në Tiranë të parkimeve dyshe, policia që në verën e vitet të kaluar mendoi mos t’i referohet më vetëm kodit rrugor por edhe kodit penal për ndëshkimin e shoferëve shkelës. Iu referuan nenit 293 për të referuar rastet problematike të bllokimit të qarkullimit, kur bëhej përmes një parkim dysh. Ky është një nen që nuk e bën të plotë, çka ka bërë ndërhyrjen e kuvendit i cili ka shtuar një nen të ri që parkimin dysh e dënon deri në 1 vit burg”, shpjegoi gazetari Sokol Dema në emisionin “Sot Live në Shqipëri” në Report Tv.
“Ka patur ndikim tek përdoruesit e rrugës sa i përket ndryshimit nga kundërvajtje administrative në penale. Duke parë problematikat që janë krijuar sidomos në tiranë, apo edhe në Sarandë Vlorë, Lezhë, Shkodër ku kemi fluks të shtuar gjatë verës. Jo çdo lloj parkimi i gabuar mund të quhet kundërvajtje penale. Penalizohen ata drejtues mjetesh që pengojnë lëvizjen totale të mjeteve të tjera, sidomos të automjeteve të zjarrfikësve, ambulancës, apo policisë që shkojnë në vendngjarje. Duhet patur parasysh që punonjësi i policisë që shkon në vendngjarje dhe konstaton një rast të tillë që krijon radhë të gjata për drejtuesit e tjerë duhet ta pasqyrojë këtë shkelje përmes skicës dhe i drejtohet prokurorisë dhe gjykatës. Në fund të gjykimit ke gjobë ose heqje lire deri në 1 vit burg”, tha eksperti.
Përtej kundërvajtjes penale, e cila rrezikon shoferët e parkimeve dyshe nga gjobë deri në 1 vit burg, nga vëzhgimi i Report Tv rezultuan edhe një sërë shkeljesh të tjera në rrugë nga përdoruesit e mjeteve, kryesisht parkimet më vendet e gabuara, si mbi trotuar apo vijat e bardha. Por, tmerri i bllokimeve në Tiranë ndodh në korsitë e transportit publik.


Parkim në korsitë e dedikuara për autobusët dhe taxitë
Eksperti Qibini është i mendimit që raste të tilla duhet të konsiderohen kundërvajtje penale dhe të hetohen në prokurori.
“Ky është rasti tipik që duhet trajtuar nga Policia Rrugore si kundërvajtje penale. Kemi një kategori drejtuesish mjetesh që i shpërfillin totalisht rregullat e qarkullimit. Të bllokosh korsinë e dedikuar për mjetet e dedikuar për shërbimin publik, urgjencës dhe policisë, domethënë se je drejtues mjeti i pandërgjegjshëm”, thekson ai.
Vëzhgimi tregoi se në Tiranë ka me dhjetëra makina të parkuara keq, në korsi biçikletash, viza të bardha, në rrugë ku nuk lejohet fare parkimi, e më gjerë.
Për këtë kategori shkelësish të Kodit Rrugor, Islam Qibini është i mendimit që vlera e gjobës duhet rritur.
“Masat administrative duhet të jenë të ashpra. Duhet rishikuar Kodi Rrugor, kur kundërvajtja administrative specifikisht është në vizë të bardhë, trotuar e më gjerë, gjoba duhet jetë shumë më e ashpër”, vijon ai.
Eksperti ka një këshillë edhe për uljen e trafikut.
“Duhet rishikuar zhvendosja e terminalit tek Kthesa e Kamzës, të spostohet diku në kombinat me qëllim që rruga ndroq-plepa të jetë lehtësojë trafikun në qytetin e Tiranës”, thekson eksperti.
Policia Rrugore në Tiranë, prej korrikut 2025 kur nisi të referoj rastet e parkimeve dyshe nëpër prokurori, ka regjistruar më shumë se 210 të tilla referuar nenin 293. Më hyrjen në fuqi të ndryshimeve, neni 293/1 e specifikon më mirë parkimin dysh, i cili synon të shtojë më shumë presionin mbi drejtuesit e mjeteve.
Komente











Gjëja e parë: Të gjitha rrugët duhet të jenë me një drejtim që të çon në një bulevard kryesor. Gjëja e dytë: rregulloni semaforët. Gjëja e tretë: Kalimi për këmbësorë duhet të jetë 50 metra pas/para semaforit. Gjëja e katërt: hiqni dorë nga të gjithë autobusët. blini tramvaje... Gjëja e pestë: Vendosni një tarifë hyrjeje për çdo makinë që hyn në qytet nga Unazat. Do të shihni se nuk do të ketë trafik, do të ketë shumë parkim me çmimin më të ulët! Mire?
PërgjigjuPo pse shikoni vetëm njërën anë të problemit? Pse nuk e ngre njeri zërin që Tirana ka po rrugët e para '90, ndërkohë që popullsia është 5-fishuar e ndërtimet janë bërë pa marr fare parasysh se bllokojnë trafikun??? Pse nuk pranohet se parkimi i sheshit Skënderbej e ka përkeqsuar trafikun? Pse nuk pranohet se krijimi i korsive të dedikuara ka zvogluar ndjeshëm vendet e parkimeve?? Pse nuk thuhet se është abuzuar me ndërtimet( sidomos branda unazës), ku shpesh ambiemtet e parkimit jan kthyer në ambiente biznesi??? Dhe më kryesorja: a nuk ka ardh koha që Tirana të mendojë për të pasur një metro???
PërgjigjuI ke shkruar te gjitha ato qe mendoja. Shkurt e sakte :)
Perderisa nuk hyjne ne burg ata qe drejtojne shtetit, jo vetem kaq por jane dhe bashkepuntore me krimin, as qe i behet vone njeriu per ligjet korruptive qe dalin nga kjo mazhorance.
PërgjigjuMJAFTON TE SHIKOSH RRUGEN E DURRSIT CA BEHET
Përgjigju