Deri pak kohë më parë, Erik Holmgren ishte një diplomat amerikan karriere, që drejtonte sektorin për diplomacinë energjetike në Lindjen e Mesme, pjesë e Zyrës për Burimet Energjetike të Departamentit të Shtetit. Por muajt e fundit, të gjithë zyrtarët që punonin nën drejtimin e tij janë pushuar nga puna dhe struktura është shpërbërë. Megjithatë — siç i shpjegoi CNN-it Holmgren, ndërkohë i dorëhequr — puna e njësisë së tij do të kishte qenë e vlefshme në krizën me Iranin: “Po punonim pikërisht për mënyrat se si t’ia vështirësonim Teheranit eksportin e naftës dhe do të kishim dhënë paralajmërimet e duhura për nevojën e menaxhimit të Ngushticës së Hormuzit”, gryka strategjike tashmë e bllokuar nga Republika Islamike, me pasoja shkatërruese për gjithë botën: nga çmimet marramendëse të naftës deri te plehrat kimike që nuk arrijnë më në rajone kritike të planetit. Mirë se vini në “diplomacinë pa diplomatë”, që është tipari i ri i administratës Trump.

Të nisura në korrikun e kaluar, të ashtuquajturat Reductions in Force (RIFs), të urdhëruara nga Marco Rubio, kanë çuar në pushimin nga puna të qindra diplomatëve dhe më shumë se një mijë funksionarëve të tjerë. Zyrtarisht synimi ishte eliminimi i tepricave dhe i joefikasitetit, por në realitet, sipas American Foreign Service Association, kjo ndërhyrje po dobëson Departamentin e Shtetit, duke penguar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të ushtruar ndikimin e tyre global dhe për të ndjekur prioritetet e politikës së jashtme për shumë vite në vijim. “Historianët e së ardhmes do ta shohin këtë periudhë si një gabim të rëndë që SHBA ia ka shkaktuar vetes”, thotë John Bass, ish-ambasador në Afganistan dhe Turqi.

Por shprehja më e rëndë e “diplomacisë pa diplomatë”, të dëshiruar nga Donald Trump, është degradimi de facto i selive diplomatike jashtë vendit: aktualisht janë 119 nga 195 përfaqësi amerikane në botë ku mungon një ambasador i emëruar nga Shtëpia e Bardhë dhe i konfirmuar nga Senati, një situatë e paprecedentë në shekullin e fundit.

Ndërsa Lindja e Mesme digjet, nga Irani te Libani, Uashingtoni nuk ka një përfaqësues të plotfuqishëm në Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katar, Irak dhe Kuvajt. Nuk është më mirë as në Afrikë, ku 37 nga 51 ambasada janë pa drejtim të plotë.

Sa i përket Evropës Qendrore-Lindore, Amerika nuk ka ambasadorë me kompetenca të plota as në Moskë dhe as në Kiev, ku Trump mbështetet kryesisht te dy të dërguarit specialë për misionet e paqes, Steve Ëitkoff dhe Jared Kushner, dyshja që rusët e kanë pagëzuar “Witkoff dhe Zyatkoff”, sepse në gjuhën e Pushkinit “zyat” do të thotë dhëndër — pra Kushner.

Natyrisht, për të mbajtur në këmbë sistemin janë “të ngarkuarit me punë”, funksionarë me përvojë dhe të aftë, të cilëve megjithatë u mungon autoriteti, pesha dhe sidomos qasja te qeveritë pritëse që ka një ambasador i plotfuqishëm.

Që Trump është i ngadaltë në emërimin e tyre dhe që pakica demokrate në Senat shpesh pengon procesin e ratifikimit, nuk janë arsyet e vetme të këtij niveli të pazakontë vakancash. Edhe Rubio ka luajtur rolin e tij, duke tërhequr menjëherë në dhjetorin e kaluar 30 ambasadorë karriere nga postet e tyre.

Në thelb, megjithatë, bëhet fjalë për një zgjedhje politike: Trump dëshiron nëpër botë vetëm njerëz besnikë dhe të gatshëm të bëjnë atë që thotë ai, pa ofruar këndvështrime alternative. “Ndërkohë — shpjegon Bass — pikërisht ky lloj njohurie ka penguar në të kaluarën administrata të ndryshme të bëjnë gabime edhe më të mëdha”.

Madje, për misionet delikate Trump përdor ekskluzivisht të dërguar specialë, shumë besnikë dhe me disa role njëkohësisht: përveç Witkoff dhe Kushner, që menaxhojnë negociatat për Ukrainën, Gazën dhe Iranin, edhe Tom Barrack, ambasador në Turqi dhe i dërguar për Sirinë, apo Sergio Gor, ambasador në Indi dhe i dërguar për Azinë Qendrore. Efekti i “diplomacisë pa diplomatë”, sipas Tom Shannon, që ka shërbyer si nën Obamën ashtu edhe nën Trumpin e parë, “është kufizimi i politikës së jashtme të administratës, duke reduktuar aftësinë e saj për t’iu përgjigjur krizave dhe për të komunikuar në mënyrë efektive me nivelet më të larta të qeverive të huaja”./Corriere della Sera