Vendet e BE-së kundër propozimit për çmimin tavan të gazit

 

Ministrat e Energjisë të vendeve të Bashkimit Evropian kundërshtuan të enjten propozimin për vendosjen e një çmimi tavan për gazin prej 275 eurosh për megavat orë. Zyrtarët argumentuan efikasitetin në atë nivel dhe ndikimin tek furnizimet dhe stimujt për të ulur konsumin.

Mosmarrëveshjet e gjata po pengojnë politika të tjera për të zbutur krizën e thellë energjitike, si fillimi i blerjeve të përbashkëta të gazit nga BE-ja dhe një proces më i shpejtë për dhënien e lejeve për burime të rinovueshme.

Diplomatët thanë se 27 vendet e BE-së ranë dakord në parim për dy objektivat e fundit, por shtynë miratimin deri në takimin e radhës më 13 dhjetor. Vendet që mbështesin vendosjen e çmimit tavan për gazin kërkojnë miratimin e të tre propozimeve.

Ministrja polake për klimën, Anna Moskwa, e quajti propozimin për çmimin tavan të paraqitur nga Komisioni Evropian si "tallje".

Ministrja belge e Energjisë, Tinne Van der Straeten, tha për shtypin se: “Teksti i paraqitur është zhgënjyes dhe nuk qartëson nëse do të ketë ndikim tek çmimet”.

Ministri grek, Konstantinos Skrekas tha se një kufi prej 150-200 euro për megavat orë do të ishte më realist. “Kjo mund të na ndihmojë të ulim çmimet e gazit dhe rrjedhimisht të ulim çmimet e energjisë elektrike, që është një sfidë e madhe në Evropë këtë dimër”,tha ai.

Edhe Malta shprehu pakënaqësi lidhur me propozimin. Ministrja e Energjisë, Miriam Dalli tha se kushtet e rrepta që nevojiteshin për aktivizimin e mekanizmit e bëjnë atë "të pamundur"

Rreth 15 shtete të BE-së duan të caktojnë një çmim tavan për të kontrolluar kostot e energjisë pasi çmimet e gazit u rritën në nivele rekord gushtin e kaluar, nxitur nga ndërprerja e furnizimeve nga Rusia në Evropë pas sanksioneve perëndimore lidhur me agresionin e Moskës mbi Ukrainë.

Kundërshtimi i rreptë vjen nga një kamp më i vogël por i fuqishëm i udhëhequr nga Gjermania, ekonomia më e madhe e BE-së. Së bashku me Holandën, Suedinë, Austrinë dhe Finlandën, ata thonë se një kufi mund të zhvendosë furnizimet diku tjetër dhe të shkurtojë stimujt për uljen e konsumit.

Gjatë muajve të fundit BE-ja ka miratuar një sërë masash për të zbutur krizën, duke filluar nga kursimet e konsumit deri tek taksat për prodhuesit e energjisë. Por çështja nëse dhe si të kufizohen çmimet e gazit e ka përçarë bllokun./VOA.


Lajmi kryesor:

Lufta në Ukrainë/ Bombardime në Kherson, ushtria ruse sulmon dhe një park lojërash! Kiev, 70% e shtëpive pa energji elektrike dhe pa ngrohje


S.S/r.k./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Itali/ Zbulohet 'streha e kokainës', gjenden 76 kg drogë, pakot dorëzoheshin me furgon! Mes 2 të arrestuarve 1 shqiptar

Itali/ Zbulohet 'streha e kokainës', gjenden 76 kg drogë, pakot dorëzoheshin me furgon! Mes 2 të arrestuarve 1 shqiptar