Dikur kanë qenë godina të cilat janë përdorur si vende hetimi dhe gjyqesh, ndërsa brenda këtij viti pritet të kthehen në vende kujtese kundër krimeve të komunizmit.
Projekti i quajtur “Muret dëshmojnë” do të vihet në zbatim nga Instituti i Krimeve Kundër Komunizmit në bashkëpunim me Bashkinë e Shkodrës dhe institucione të tjera lokale dhe është bërë publik në raportin vjetor të Institutit të dorëzuar në Kuvend.
Qëllimi i këtij projekti është evidentimi dhe kthimi në vende kujtese i godinave të përdorura si vende hetimi dhe gjyqesh gjatë vitit 1945 në Shkodër, kur me pushkatimin e 8 personave, u shënua masakra e parë nga regjimi komunist.
Gjatë këtij viti Shkodra u mbush me burgje, ndërsa shumë njerëz pushkatoheshin pa gjyq. Në 1946-ën në Shkodër numëroheshin 26 burgje, hetuesi e bodrume masakrash komuniste.
Mes rekomandimeve që evidentohen në raportin e ISKK-së, një tjetër nismë me interes është edhe ajo që ka të bëjë me pasurimin e koleksioneve të muzeve të ndryshëm në vend me botimet e ISKK.
Projekti do të zbatohet në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës në 2 faza. Së pari, evidentimi i muzeve dhe më pas dërgimi i librave me postë.
Për vitin 2026, një ndër prioritetet kryesore mbetet edukimi i brezit të ri, përmes kualifikimit të mësuesve dhe përfshirjes aktive në përditësimin e kurrikulës së historisë.
Po ashtu, instituti do të nxisë një debat kombëtar mbi trashëgiminë materiale të komunizmit, duke synuar kthimin e saj në një instrument kujtese dhe edukimi për shoqërinë. Në këtë kuadër parashikohen aktivitete si ekspozita, forume publike dhe projekte konkrete për identifikimin e vendeve të kujtesës.
Një tjetër drejtim i rëndësishëm është thellimi i studimit të institucioneve represive dhe vijimi i projekteve për dokumentimin e krimeve të gjykatave ushtarake, ekonomisë dhe veprës penale të njohur si “agjitacion e propagandë”.
Në zbatim të rezolutës së Kuvendit, instituti do të ndërmarrë gjithashtu hartimin e një udhëzuesi praktik për mësuesit, si dhe zgjerimin e aktiviteteve në universitete përmes leksioneve të hapura dhe projekteve kërkimore.
Përmes këtyre nismave, synohet jo vetëm dokumentimi i së shkuarës, por edhe forcimi i kujtesës historike dhe ndërgjegjësimit qytetar për pasojat e regjimeve totalitare.
Komente








