TIRANE- Ministria e Arsimit me anë të një udhëzimi ka zbardhur të gjitha detajet se si do të zhvillohet provimi për mësuesit sipas profileve të ndryshme. Kështu, në udhëzimin 55 të dalë në datën 19 nëntor, Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla u ka kërkuar të gjitha drejtorive Arsimore të marrin masat për zhvillimin e testimeve të cilat do të kryhen në çdo rreth.

Sipas udhëzimit, mënyra e zhvillimit dhe e administrimit të këtyre provimeve do të jete pothuajse e njëjtë me ato të Maturës Shtetërore, ku kandidatëve do iu vendosen bar-kode gjatë testimit.

Sa i përket pjesëmarrjes në testimin është përcaktuar që në të të marrin pjesë të gjithë ata persona që kanë një diplomë mësuesie, ata që nuk janë në marrëdhënie pune në sistemin arsimor, si dhe ata që nuk janë të dënuar me vendim të formës së prerë.