Vendi ynë po përfshihet nga temperatura ekstreme, duke u cilësuar nga sinoptikanët edhe si vala e tretë e të nxehtit afrikan. Në një lidhje për Report Tv, meteorologia Lajda Porja zbuloi se temperaturat me të larta janë shënuar në zonën e Fierit dhe Beratit, Gjirokastër, si edhe në zonat malore Kukës e Has.
"Temperaturat e nxehta janë ndjerë që në orët e para të mëngjesit, ka pasur rritje temperaturash gjatë natës. Sidomos duke filluar që nga ora 10 e deri më tani që flasim janë shënuar temperatura shumë të larta ku e gjithë zona perëndimore është mbi 40 gradë. Temperaturat më të larta janë shënuar në Fier dhe Berat, ku termometri e ka kaluar vlerën, duke arritur afërsisht 42 gardë. Kjo ka qenë zona më e nxehtë që kemi pasur përgjatë gjithë valës së të nxehtit edhe gjatë muajit korrik. Zonat bregdetare kanë shënuar 40-41 gradë, zona më e nxehtë ka qenë brezi i dytë pas vijës bregdetare dhe zona më freskët ajo malore. Zonat më të nxehta si Fieri. Berati e Gjirokastra, kryeqyteti arrijnë temperaturë deri në 40 gradë, ndërsa në zonat malore, Kukës dhe Has kanë shënuar vlerën 40 gradë edhe përse janë një zona relativisht të freskëta dhe vlerës rreth 37 gradë është regjistruar në zonën e Korçës dhe Pogradecit, zona edhe me e freskët aktualisht", tha Porja.
Sipas meteorologes, fundjava pritet të ketë një ulje të ndjeshme të temperaturave me 4-5 gradë, por pas fundjavës do të ketë sërisht një rritje të tyre. Deri me datë 15 gusht vendi do karakterizohet nga temperatura deri në 40 gradë, për të pësuar një ulje të ndjeshme në dy javët e fundit të gushtit, përkatësisht deri në 33-34 gradë.
"Pritet që orët në vijim të mbeten nën ndikimin e motit të kthjellët dhe të nxehtë. Deri nga mesi i javës, pra ditën e mërkurë ose të enjte pritet që të kemi një ulje të lehtë të temperaturave. Po flasim për një rënie 1-2 gradë, nga vlera 42 zbresim në 39-40 gardë. Flitet që sërish janë temperatura të larta. Freskimin e motit ne do ta presim vetëm në fundjavë, ku do zbresim me të paktën 4-5 gradë temperatura dhe do jemi në vlerën 35-36 gradë. Do të kemi një rikthim të valëve pas fundjavës. Deri nga data 15 do të mbetemi me temperatura të larta të paktën deri në 40 gradë. Pjesën e dytë të gushtit do kemi një freskim të motit ku temperaturat do t'i afrohen shumë afër normalitetit të tyre, rreth temperatura 33-34 gradë. Në përgjithësi gushti paraqitet i thatë, reshjet do të jenë të pakta, do jenë kryesisht zona të izoluara dhe jo reshje që do përfshijnë gjithë vendin. Temperaturat më të nxehta do jenë në pjesën e parë të gushtit, pjesa e dytë e gushtit pak më e freskët", u shpreh Porja.