Komisionarja e Bashkimit Europian për Zgjerim, Marta Kos, do të shkojë në Mal të Zi në atë që e quajti “misioni i parë” në Ballkanin Perëndimor.
Ajo tha se po shkon atje për të festuar “hapat e mëdhenj” që e bëjnë Malin e Zi vendin më të përparuar në negociatat e pranimit në BE.
“Unë jam duke udhëtuar drejt Malit të Zi në misionin tim të parë në Ballkanin Perëndimor. Do të qëndroj këtu për të festuar hapat e mëdhenj të Malit të Zi, të cilat e bëjnë atë vendin më të përparuar në negociatat e pranimit dhe për të inkurajuar malazezët që të vazhdojnë me këtë ritëm”, shkroi Kos në X.
Ndërkohë pritet që Kos të vizitojë Shqipërinë gjatë muajit shkurt. Gjatë fjalës së saj në Komisionin për politikë të jashtme të Parlamentit Evropian në Bruksel, Kos nënvizoi se ashtu si Mali i Zi edhe Shqipëria ka të gjitha kapacitetet që të përfundojë procesin e shqyrtimit të grupkapitujve deri në vitin 2027.