Prej tre ditësh disa qarqe në vend janë nën ‘pushtetin’ e ujit si pasojë e përmbytjeve nga reshjet e shiut. I ftuar në emisionin ‘Frontline’ në Report Tv, juristi Indrit Sefa ka deklaruar se Shqipëria ka nevojë për një planifikimi urban tërësor.

Sipas tij, kjo situatë reflektohet qartë në zona problematike si zona e Kënetës në Durrës, e cila nuk ka infrastrukturën e nevojshme për të përballuar përmbytjet. Sefa shtoi se duhet që të ketë një bashkëpunim mes bashkive në vend dhe pushtetit qendror.

 ‘Këta nuk kanë një planifikim urban tërësor për vendin dhe kjo nuk është vetëm mungesë e pushtetit lokal. Zona e kënetës është qytet më vete në Durrës. Ajo nga emri tregon se ka nevojë për investime infrastrukturore për të përballuar situata të tilla. Ajo do kujdes 10 herë më të madh, atje s’ka planifikim urban dhe s’ka investime. Ka kosto kjo punë, ama duhet bërë një zhvillim urban’, tha ai.

Avokati Përparim Çaça ka deklaruar se gjendja në Durrës, Vlorë dhe qarqe të tjera është shumë e vështirë. Sipas tij, përmbytjet janë fatkeqësi natyrore që kërkojnë bashkëpunim të ngushtë mes qeverisë qendrore dhe pushtetit lokal.

‘Ka konstatime vetëm në lidhje me situatën dhe nuk po shoh që po veprohet. Mbledhja e këshillit të ministrave duhet që të ishte bërë më herët. Jemi në një emergjencë pse duhet që të presim që të ndodh dhe më pas të shohim se çfarë do të bëjmë ne. Situatë në Durrës, në Vlorë dhe në vende të tjera është e shumë e vështirë. Janë fatkeqësi që duan një bashkëpunim edhe me pushtetin lokal. Ne nuk mund të bëjmë dot luftë me motin por duhet reagimi. Ka pasur ndonjë plan për parandalimin e këtyre përmbytjeve për këtë vit. Ne na mungon mënyra e reagimit’, tha ai.

Gazetari Reldar Deda ka deklaruar se përmbytjet në Shqipëri nuk janë vetëm pasojë e reshjeve të dendura, por kryesisht rezultat i keqmenaxhimit të territorit.

Deda theksoi se ndarja administrative ka krijuar probleme serioze në menaxhimin e territorit.

‘Menaxhimi i territorit kërkon që të ketë njerëz që të hapin kanalizimet dhe të shohin tokat bujqësore sepse po rrënohen edhe nga erozioni. Të menaxhosh përmbytjet, së pari kërkon një punë të instituteve që cilat kanë qanë dikur, por janë totalisht të zhdukura. Është ndarja administrative që ka krijuar një problem shumë të madh.

Ndarja administrative ka dhënë pasojat shumë mëdha, por nuk mund të anashkalojmë edhe një ndërtim pa kriter që është bërë. Shteti realisht nuk ka vepruar për t'i zhvilluar zonat. Shteti nuk e menaxhon territorin’, tha ai.

Avokatja Alesia Balliu tha se duhet një plan konkret për menaxhimin e situatave të tilla.

‘Durrësi është zonë e përsëritur që përmbytet nga reshjet. Qeveria duhet që të merrte masa konkrete shumë më para. Duke pasur një plan konkret sepse s’duhet që të reagojmë kur të ndodh gjëja. Sepse kanalet nuk bllokohen vet, ndërtimet ku janë bërë përmbytjet janë legalizuar nga shtetit. Pra qenka faji edhe i shtetit. Nëse nuk mbahet përgjegjësi do të kemi prap përmbytje në ato zona që i kemi pasur. Ka ardhur koha që gjithë fatkeqësitë që po ndodhin qytetarët të zgjedhin tek kutia e votimit atë që bënë shtet. Prandaj populli duhet që të votojnë ata që duan që të punojnë dhe duan që të bëjnë shtet’, tha ai.