Kryeministri Edi Rama ka firmosur sot një tjetër vendim në kuadër të masave urgjente për parandalimin e përhapjes së infeksionit së shkarkuar nga virusi covid-2019. Vendimi përcakton institucionet që mund të zhvillojnë tendera me procedurë të drejtpërdrejtë si dhe pa të drejtë ankese për të gjitha procedurat për lidhjen e kontratave të diktuara nga situata emergjente e shkaktuar nga koronavirusi.
Institucionet, sipas vendimit, do të jenë Kryeministria, të gjitha ministritë e linjës si dhe institucionet e varësisë së Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, të deleguara me urdhër të ministrave përkatës. Në vendim theksohet se për procedurën e drejtpërdrejtë, diktuar nga interesat thelbësore të shtetit, nuk zbatohen dispozitat e parashikuara për ankimimin, me qellim për të mos vonuar në kohë pajisjen e me materiale të personelit mjekësor, i rreshtuar në vijë e parë të frontit të luftës me covid-19.
Ndërkaq, neni 6 i ligjit për prokurimin publik parashikon që ligji për prokurimet nuk zbatohet në përzgjedhjen e fituesve të kontratave publike, në rast se zbatimi i tyre kërkon masa të veçanta sigurie, ose në rast se një gjë e tillë diktohet nga interesat thelbësorë të shtetit. Nga ana tjetër, në vitin 2016, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar një ligj për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve ngjitëse.
Ligji parashikon të gjitha masat e mundshme që mund dhe duhet të ndërmerren për të parandaluar përhapjen e infeksioneve. Pika 2 e nenit 6 të këtij ligji, thekson se qeveria mund të ndërmarrë masa të tjera për mbrojtjen nga sëmundjet infektive. Të gjitha masat e ndërmarra deri më tani nga qeveria parashikohen shprehimisht në këtë ligj. Një ditë më parë, qeveria ndryshoi buxhetin e shtetit për vitin 2020, duke shkurtuar të ardhurat me 162 milionë euro, për të përballuar emergjencën që krijoi pandemia Covid-19.