Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për mos shkarkimin e Presidenti Meta, kanë ardhur reagimet e para nga mazhoranca.  Kryetari i Grupit Parlamentar Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka thënë se Gjykata Kushtetuese në vendimin e djeshëm për Ilir Metën tha se Presidenti e ka shkelur Kushtetutën por butë e jo rëndë. Sipas tij nuk ka shqiptar që nuk mendon se Meta duhej shkarkuar. Sipas tij asgjë nuk e zhbën figurën qesharake të tij në këtë detyrë.

Ministrja e Shtetit për Marrëdhënie me Parlamentin, Elisa Spiropali, në fjalën e saj në seancën e sotme plenare, edhe pse nuk e përmendi me emër ia dërgoi disa mesazhe Metës pas këtij vendimi.

Teksa po fliste për reformën në drejtësi dhe pavarësinë që po krijojnë çdo ditë e më shumë institucionet e reja gjyqësore, Spiropali tha se ndonjëherë, ndonjë prej këtyre institucioneve, intimidohet por po ndryshojnë, duke lënë të nënkuptohet një intimidim të mundshëm të Gjykatës Kushtetuese për këtë vendim që mori dje.

Një tjetër fjali si mesazh për këtë vendim Spiropali e kishte kur tha se pavarësisht se dikush që është në krye të shtetit mendon se do t'ia hedhë, drejtësi do të ketë për të gjithë.

"Nuk ia hedh dot sepse në fund gjykon sovrani.  Pavarësisht se sa komisione ngrihen ne do të presim me mençuri dhe me durim derisa i fundit të marrë atë që meriton. SPAK të shikojë mirë dosjet që flenë aty, t'i heqin pluhurin, t'i hapë ato. E mbani mend besoj ato hetimet për CEZ-DIA. Ne jemi të vendosur, drejtësi për të gjithë.", tha Spiropali. 

Për Lëvizjen Socialiste për Integrim vendimi i Gjykatës Kushtetuese tregoi se Ilir Meta ka mbrojtur demokracinë dhe interesin e vendit. Deputetja e LSI Erisa Xhixho shkruan se procesi i shkarkimit nga mazhoranca ishte politik. 

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe ka komentuar jashtë dyerve të Kuvendit, vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të mos shkarkuar Presidentin Ilir Meta. Braçe tha se vendimet duhen zbatuar dhe pret që sot Ilir Meta të dalë dhe të ‘lëpijë pështymën që ka hedhur në drejtim të gjyqtareve’. Ndërsa kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha nuk ka pranuar ta komentojë vendimin e Kushtetueses duke thënë se s;ka koment. 

Mbrëmjen e djeshme, Gjykata Kushtetuesi publikoi vendimin, duke arsyetuar se Meta nuk ka kryer “shkelje të rënda të Kushtetutës” dhe për këtë arsye nuk vendos për shkarkimin e tij. Pro shkarkimit të Metës votoi vetëm gjyqtari Altin Binaj, ndërsa 6 gjyqtarët e tjerë, Vitore Tusha, Elsa Toska, Marsida Xhaferllari, Fiona Papajorgji, Përparim Kalo dhe Sonila Bejtja, votuan kundër. Presidenca reagoi dje pas këtij vendimi, duke thënë se nuk ishte surprizë dhe se kjo çështje nuk duhet të kishte nisur që në fillim.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:50
Vendimi i Kushtetueses për Metën, LSI: Presidenti mbrojti demokracinë dhe i shërbeu vendit

1636792778_erisaxhixho1.png

Për Lëvizjen Socialiste për Integrim vendimi i Gjykatës Kushtetuese tregoi se Ilir Meta ka mbrojtur demokracinë dhe interesin e vendit. Deputetja e LSI Erisa Xhixho shkruan se procesi i shkarkimit nga mazhoranca ishte politik. 

"Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për shkarkimin e Presidentit dëshmoj se Presidenti ka zbatuar vetëm Kushtetutën ne ushtrimin e funksionit te tij në mbrojte të demokracisë , shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut. Si i vetmi institucion i pa kapur nga kjo maxhorancë, Kreu i shtetit i gjendur pa Gjykatë Kushtetuese dhe me një Parlament monist i shërbeu vendit në mbrojtje të Kushtetutës. Procesi i shkarkimit nga kjo maxhorancë tregoi qartë për gjithë opinionin publik se ishte thjesht një proces politik , hakmarrës kundër parimeve të demokracisë dhe shtetit të së drejtës", shkruan Xhixho. 

 

Ora 11:57
Vendimi  për Metën, Berisha e sulmon gjithsesi Kushtetuesen: Ka varësi nga politika, duhet ta kishte thënë qartë që Kuvendi shkeli ligjin

 

Edhe pse Gjykata Kushtetuese mori vendim pro aleatit të tij, Ilir Meta, ish-pKryeministri Sali Berisha sërish nuk është i kënaqur. Në një prononcim për mediat jashtë Kuvendit, Berisha tha se Gjykata ka treguar varësi të tmerrshme nga politika.

"Parlamenti synonte rikthimi e censurës. Gjykata Kushtetuese në vendimin kryesor duhej të kishte një pikë: dënoj parlamentin për vendimi e tij anti-kushtetues e anti-ligjor. Gjykata Kushtetuese, duke treguar varësinë e tmerrshme nga politika, nuk dënoi aktin e falsifikimit që parlamenti i bëri vendimeve të tij vetë, për t'i vendosur me falsifikim në procedurë dhe kohë. Nuk kam pasur asnjë dyshim se aty ka pasur krim kushtetues në qëndrimet e presidentit apo ka pasur shkelje serioze të kushtetutës, përkundrazi shkelje të kushtetutës ka bërë Parlamenti dhe Rama që kërkon të marrë të gjitha pushtete në këtë vend, përfshirë dhe të Presidentit", tha Berisha.

 

Ora 11:13
Balla: Kushtetuesja tha se Meta e shkeli Kushtetutën por butë dhe jo rëndë! Ne i qëndrojmë mendimit

 

Kryetari i Grupit Parlamentar Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka thënë se Gjykata Kushtetuese në vendimin e djeshëm për Ilir Metën tha se Presidenti e ka shkelur Kushtetutën por butë e jo rëndë.

"Duhet të tërhiqni mbrapsht të gjitha gjykata se këtu është kap drejtësia. Gjykata Kushtetuese ka pranuar se procedura e ndjekur nga Kuvendi ka qenë e gjitha sipas Kushtetutës dhe nuk ka shkelur asnjë aspekt. Më vjen mirë Lul që Gaz Bardhi po mbron Ilir Metën, qenke mirë Lul. Ti bën lloj lloj zhurmash. Gjykata Kushtetuese ka thënë që Presidenti e ka shkelur Kushtetuesen, pro e ka shkelur butë jo fort. Ne nuk ndryshojmë mendim, në vlerësimin tonë, Presidenti në largim, Ilir Meta e ka shkelur Kushtetutë dhe ditët e mbetura në detyrë nuk ja zhbëjnë figurën qesharake në këtë detyrë. Mirë do kishte qenë të ikte që sot. Më vjen mirë që opozita qenka bashkuar se ne ju duam të gjithë bashkë se nuk na shijojnë fitoret kështu me ju të ndarë", tha Balla.

Ora 10:39
Kushtetuesja s’e shkarkoi, Braçe me tone të ashpra për Metën: Të dalë tani dhe të lëpijë pështymën që ka hedhur në drejtim të gjyqtarëve

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe ka komentuar jashtë dyerve të Kuvendit, vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të mos shkarkuar Presidentin Ilir Meta.

Braçe tha se vendimet duhen zbatuar dhe pret që sot Ilir Meta të dalë dhe të ‘lëpijë pështymën që ka hedhur në drejtim të gjyqtareve’.

“Për t’u zbatuar, kur flet Gjykata nuk ka as fitues dhe as të humbur. Edhe njëherë vendimi i Gjykatës është për tu zbatuar deri në fund, unë pres që Ilir Meta të dalë sot dhe të lëpijë të gjithë pështymën që ka hedhur në drejtim të gjyqtarëve, edhe për etikë.”, u shpreh Braçe.

Ora 10:31
Kushtetuesja nuk shkarkoi Metën, Basha: Nuk e komentoj, mendjen e kemi te inceneratorët

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka qenë i pari që është pyetur në në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetueses për mos shkarkimin e Presidentit Meta.

 “Nuk kam asnjë komenton për vendimin e gjykatës Kushtetuese, sepse nuk është vendim i cili komentohet. Mund t’ju them se për ne theksi edhe sot edhe nesër, deri në zbardhjen e plotë të skandalit më të madh të këtyre 30 viteve, është prioriteti kryesor” tha Basha.