Ilir Meta do të vijojë të jetë president i vendit deri në përfundim të mandatit të tij më 24 korrik 2022. Gjykata Kushtuese ka vendosur mbrëmjen e të mërkurës që të mos pranojë kërkesën e Kuvendit për shkarkimin e Ilir Metës, duke thënë se Presidenti nuk ka kryer “shkelje të rënda të Kushtetutës” dhe për këtë arsye nuk vendos për shkarkimin e tij. Kështu vendosën 6 anëtarë të ‘Kushtetueses’ të cilët votuan kundër shkarkimit dhe vetëm një anëtar votoi pro, vetëm Altin Binaj. 

Një nga shkeljet e paraqitur nga Kuvendi për Ilir Metën ishte neni 86 i Kushtetutës që thotë se “Presidenti i Republikës është Kryetar i Shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit” dhe neni 88 “Për betimin e Presidentit”, ku sipas Gjykatës Kushtetuese “faktet e paraqitura si shkelje në këto dy nene nuk përbëjnë shkelje të rënda të Kushtetutës”.

Gjykata Kushtetuese gjithashtu u shpreh se “nuk shikon shkelje të rënda të Kushtetutës edhe në nenin 89" që parashikon se “Presidenti i Republikës nuk mund të mbajë asnjë detyrë tjetër publike, nuk mund të jetë anëtar partie dhe as të kryejë veprimtari tjetër private”. Parlamenti në vendimin e shkarkimit të Metës paraqiti faktet si shkelje të këtij neni deklaratat e Presidentit të bëra gjatë fushatës zgjedhore të 25 prillit 2021, ku Meta kërcënonte “me mprehje sfurqesh e prerje dore kush prek votën” si dhe përcjelljen e mesazheve përçarëse duke mbështetur opozitën e sulmuar mazhorancën.

Gjithashtu Gjykata Kushtetuese shprehet se "Kuvendi respektoi në përgjithësi procedurat Kushtetuese për shkarkimin e Presidentit".

Në argumentin e saj gjykata Kushtetuese shkruan se fakte e paraqitura nga kuvendi per shkeljet qe Ilir Meta ka kryer në rolin e tij si President që lidhen me marrëdhëniet me partnerët strategjikë, me procesin zgjedhor të 25 prillit dhe se ka shkelur rendin dhe sigurinë publike, nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës.

'Faktet që lidhen me të drejtat në procesin zgjedhor nuk përbëjnë shkelje të rënda të Kushtetutës.

Faktet që lidhen me marrëdhëniet me partnerët strategjikë nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës.

Faktet e paraqitura si shkelje që lidhen me pavarësinë e organeve publike nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës.

Faktet e paraqitura si shkelje të rendit dhe sigurisë publike nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës.

Faktet e paraqitura si shkelje të nenit 94 të Kushtetutës nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës", shkruan gjykata.

Nëse Gjykata Kushtetuese do të vendoste shkarkimin, Ilir Meta do të bëhej kështu Presidenti i parë i shkarkuar ndonjëherë në historinë e shtetit shqiptar. Më 9 qershor 2021 Kuvendi miratoi me 104 vota pro raportin e Komisionit hetimor ParlamentarNë seancën e 9 qershorit morën pjesë në total 114 deputetë dhe vetëm 7 prej tyre mungonin. Nga këto, 104 votuan pro shkarkimit të Metës, 7 votuan kundër si edhe 3 abstenuan.

Kjo ishte nisma e dytë përmes një komisioni të dytë hetimor që u ngrit për hetimet e shkeljeve kushtetuese për Ilir Metën brenda 2 viteve, ku mazhoranca kërkoi shkarkimin e tij nga detyra. Ngritja e këtij Komisionit Hetimor, nuk është njohur nga vetë Meta, i cili përmes zëdhënësit të tij u shpreh se "s'do tolerojë asnjë intimidim nga mafia lokale e ndërkombëtare" dhe se ky vendim ishte antikushtetues dhe antiligjor. Ndërkaq Meta ndonëse është thirrur nuk ka pranuar të shkojë në asnjë mbledhje të komisionit. Meta është zgjedhur President më 28 prill 2017 me 87 vota, me mbështetjen e Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, të cilën e drejtonte vetë Meta.

Njoftimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë mori në shqyrtim në seancat plenare publike të datave 01.02.2022, 03.02.2022 dhe 07.02.2022 vendimin nr. 55/2021, datë 09.06.2021 të Kuvendit të Shqipërisë “Për shkarkimin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë për shkelje të rënda të Kushtetutës”.

Në përfundim të shqyrtimit të kësaj çështjeje, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se:

Ajo ka juridiksion për shqyrtimin e kësaj çështjeje, në përputhje me parashikimet e neneve 90 dhe 131, pika 1, shkronja “dh” të Kushtetutës dhe brenda kufijve të shqyrtimit të saj hyjnë si verifikimi i procedurave të ndjekura nga Kuvendi, ashtu edhe përcaktimi i shkeljes së rëndë, si dhe provueshmëria e fakteve përkatëse.

Kuvendi ka legjitimitet për të qenë palë në këtë proces. Legjislatura X e Kuvendit, bazuar në parimin e vazhdimësisë institucionale, ka legjitimitet për të përfaqësuar Legjislaturën IX të tij.

Po ashtu, Legjislatura IX e Kuvendit, ka pasur legjitimitet substancial, në vlerësim të momentit të konstituimit të Kuvendit, zëvendësimit të deputetëve, numrit të përgjithshëm të deputetëve, mungesës së vendimeve të organeve kompetente për të deklaruar parregullsinë apo pavlefshmërinë e zëvendësimit të mandateve dhe mundësisë së kësaj Legjislature për të arritur kuorumet e nevojshme, si dhe tërësisë së ligjeve dhe vendimeve të miratuara.

Gjykata Kushtetuese, pasi verifikoi procedurën e ndjekur nga Kuvendi për ngritjen e komisionit hetimor, garantimin e së drejtës së Presidentit për t`u dëgjuar dhe për t`u mbrojtur dhe duke mbajtur në konsideratë pavarësinë organizative të Kuvendit, në tërësi konstatoi se nuk ka pasur shkelje kushtetuese gjatë kësaj procedure.

Në lidhje me shkaqet për të cilat Kuvendi ka vendosur shkarkimin e Presidentit, Gjykata Kushtetuese, pasi përcaktoi elementet objektive të “shkeljes së rëndë të Kushtetutës” të parashikuar në nenin 90, pika 2, të Kushtetutës, si dhe vlerësoi kërkesën e nenit 90, pika 3, të Kushtetutës për të vërtetuar fajësinë e Presidentit, arriti në përfundimin se:

1. Faktet e paraqitura si shkelje të nenit 86, pika 1, dhe nenit 89 të Kushtetutës, nuk përbëjnë shkelje të rënda të Kushtetutës.

2. Nuk ka shkelje të rëndë të nenit 88, pika 3, të Kushtetutës, pasi:

 - Faktet që lidhen me të drejtat në procesin zgjedhor nuk përbëjnë shkelje të rënda të Kushtetutës.

 - Faktet që lidhen me marrëdhëniet me partnerët strategjikë nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës.

 - Faktet e paraqitura si shkelje që lidhen me pavarësinë e organeve publike nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës.

 - Faktet e paraqitura si shkelje të rendit dhe sigurisë publike nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës.

3. Faktet e paraqitura si shkelje të nenit 94 të Kushtetutës nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës.

Për këto arsye, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, bazuar në nenet 90, pika 2 dhe 131, pika 1, shkronja “dh”, të Kushtetutës, si dhe nenin 63, pika 2, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë” të ndryshuar,

VENDOSI:

- Shfuqizimin e vendimit nr. 55/2021, datë 09.06.2021 të Kuvendit të Shqipërisë “Për shkarkimin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë për shkelje të rënda të Kushtetutës”.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për procedurat gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:20
Dalin votat, ja gjyqtari i Kushtetueses që votoi pro shkarkimit të Metës

1644227958_gjykatakushtetueseilirmeta770x434.jpg

Është publikuar mënyra se si votuan gjyqtarët e Kushtetueses për shkarkimin e Metës.

Votimi i gjyqtarëve

1- Vitore Tusha kundër shkarkimit

2- Elsa Toska kundër shkarkimit

3-Marsida Xhaferllari kundër shkarkimit

4- Fiona Papajorgji kundër shkarkimit

5- Përparim Kalo, kundër shkarkimit

6- Sonila Bejtja kundër shkarkimit

7- Altin Binaj Pro shkarkimit

Ora 09:08
Gjykata Kushtetuese nuk shkarkoi Metën si President, mësohet si votuan anëtarët

Report Tv mëson se si kanë votuar anëtarët e Gjykatës Kushtetuese për të mos shkarkuar presidentin Ilir Meta. 6 anëtarë të Kushtetueses votuan kundër shkarkimit dhe vetëm një anëtar votoi pro shkarkimit të tij. 

Ora 00:21
Vendimi i GJK për Metën reagon Tritan Shehu: U mbyll një kapitull i shëmtuar i jetës sonë politike

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Presidentin ka nxitur edhe reagimin e deputetit, Tritan Shehu ku sipas tij, Gjykata ka dhënë një vendim normal në përputhje me realitetin.

Nje vendim normal i Gjykatës Kushtetuese në përputhje me realitetin.

Një vendim ky qe zeroi kështu një precedencë të rrezikshme të krijuar nga ai Parlament 122-sh me 42 pupace në atë, për institucionin e Presidentit në përgjithësi.

U mbyll kështu së paku një kapitull i shëmtuar i jetës sonë politike. Megjithatë jemi akoma shumë larg normalitetit politik të vendit. , tha Shehu

Ora 00:11
Keshilltari ligjor i Metës pas vendimit të Kushtetueses: Kush qëndron me të vërtetën nuk rrëzohet

Zero surprize e quajti Presidenca vendimin e Gjykates Kushtuetuese. Në një reagim të parë të këshilltarit mediatik të Metës, Bledi Dervishaj thuhet se kushdo që qëndron i palëkundur me të vërtetën, nuk rrëzohet.

'Kush qëndron i palëkundur me të vërtetën kurrë nuk rrëzohet. E vërteta na çliron ne, shoqërinë tonë dhe krenon këdo që ecën në të.'

 

Ora 23:30
'Kushtetuesja' nuk shkarkon Metën, Presidenca: Zero Surprizë, kjo çështje as nuk duhej të kishte filluar

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të mos shkarkuar Ilir Metën, ka reaguar edhe zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi duke thënë se kjo çështje nuk duhet të kishte nisur që në fillim.

"ZERO SURPRIZË për Presidencën! Kjo çështje as nuk duhej të kishte filluar!", shkruan Blushi