Debati që ka nisur në Kosovë pas dënimit në shkallë të parë të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit nuk duhet të kthehet në një mjet për pazare politike apo përfitime pushteti. Kështu u shpreh ish-deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, në emisionin “Studio Live” në Report TV, ndërsa kërkoi që Dhomat e Specializuara të rishikohen “në emër të drejtësisë”.

Sipas Berishës, çështja e Speciales nuk mund të trajtohet më vetëm si një përplasje mes atyre që e mbështesin dhe atyre që e kundërshtojnë, por duhet parë në raport me drejtësinë, përgjegjësinë shtetërore dhe detyrimet që Kosova ka marrë përsipër.

“Ajo që nuk do të duhej të ndodhte është që të mos lëshohemi në kushtëzime për përfitime pushteti në emër të kalimit ose jo të një ligji që do të synonte amendimin e përmbajtjes së tij, sa i përket zhvillimit të apelit në Hagë. Ajo që mendoj se duhet të provokojë energjinë e të gjithë deputetëve në vend, Dhomat Speciale duhet të rishikohen në emër të drejtësisë”, tha Berisha.

Ish-deputeti i PDK-së argumentoi se çdo nismë e Kuvendit për ndryshimin apo zhbërjen e bazës ligjore të Dhomave të Specializuara duhet të marrë parasysh mënyrën se si u ngrit ky mekanizëm.

“Nuk mund të trajtohen më vetëm si një çështje politike mes atyre që i mbështesin dhe kundërshtojnë. Ajo duhet trajtuar në rrafshin e së drejtës, përgjegjësisë shtetërore dhe parimeve që vetë Kosova ka ngritur në drejtësinë ndërkombëtare. Çdo nismë parlamentare për ndryshimin apo zhbërjen e kësaj baze ligjore të këtyre Dhomave Speciale duhet të na rikthejë në burimin juridik”, tha ai.

Dhomat e Specializuara u ngritën mbi bazën e një shkëmbimi letrash mes Kosovës dhe Bashkimit Europian në vitin 2014, marrëveshje që u ratifikua nga Kuvendi i Kosovës më 23 prill të atij viti. Më 3 gusht 2015, Kuvendi miratoi nenin 162 të Kushtetutës dhe ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Gjykata funksionon sipas ligjit të Kosovës, por e ka selinë në Hagë.

Berisha tha se Kosova i mori këto detyrime duke besuar te institucionet, ligjet dhe aleatët e saj, ndërsa pretendoi se mënyra se si ka funksionuar drejtësia e Dhomave të Specializuara ka kaluar përtej arsyes për të cilën ato u krijuan.

“Vërtet Kosova e ka futur këtë marrëveshje në strukturën e saj ligjore dhe mori detyrimin për të krijuar këtë mekanizëm, por ato u krijuan duke besuar në institucione, ligje dhe aleatë. Shkelja e këtyre parimeve nuk mund të konsiderohet e parëndësishme. Kjo drejtësi ka shkuar përtej arsyes së krijimit të këtyre Dhomave”, tha Berisha.

Deklarata e tij vjen një ditë pasi Kuvendi i Kosovës miratoi me 99 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim një deklaratë për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Dokumenti u harmonizua mes grupeve parlamentare të Vetëvendosjes, PDK-së, LDK-së, Aleancës dhe Grupit Multietnik.

Më 16 shtator, Dhomat e Specializuara shpallën fajtorë Thaçin, Veselin, Selimin dhe Krasniqin për krimet e luftës të ndalimit dhe arrestimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes. Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burg, Veseli me 18 vjet dhe Selimi me 13 vjet. Vendimi është i shkallës së parë.