Vendimi i Qeverisë, projektligj për moratorium gjuetie edhe për 5 vite të tjera! I treti që prej vitit 2014

Është zgjatur me 5 vite të tjera moratoriumi i gjuetisë. Lajmi u bë me dije nga Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro, pas mbledhjes së qeverisë.

Ky projektligj është vazhdim i dy ligjeve që i kishte mbaruar afati, ndërsa Kumbaro theksoi se vendimi për zgjatjen me 5 vite të moratoriumit u bë pasi janë parë efekte pozitive nga dy ligjet e mëparshme. Sipas ministres, është konstatuar një rritje e ndjeshme e numrit të shpendëve të egër dhe një ndërgjegjësim shumë më i madh i popullatës.

Ajo shtoi po ashtu se ky moratorium kufizon ndjeshëm edhe kërkesën për t'u pajisur me leje armësh gjahu.

"Projektligj i ri që është në vazhdim të dy ligjeve që i kishte mbaruar afati dhe është shpallja e moratoriumit të gjuetisë për 5 vitet në vijim. Ka pasur dy ligje më parë, një për vitin 2014-2016 dhe një tjetër në 2016-2021 që i mbaroi afati vitin e kaluar. Duke konstatuar efekte pozitive të masave të marra, në lidhej me faunën e egër, por sidomos me shpendët e egër, është konstatuar një rritje e ndjeshme e numrit të shpendëve të egër dhe një ndërgjegjësim shumë më i madh i popullatës. Në vitin 2016, në censusin e zhvilluar janë konstatuar rreth 60 mijë lloje shpendësh të egër në habitatet e ekosistemit shqiptarë, ndërsa në vitin 2021 jemi në rreth 140 mijë lloje të tilla. Shpallja e këtij moratoriumi kufizon ndjeshëm edhe kërkesën për t'u pajisur me leje armësh gjahu. Në vitet e para janë sekuestruar mbi 800 armë gjahu.", tha Kumbaro.

Kjo është hera e tretë që Qeveria kërkon një moratorium gjuetie në vend. Moratoriumi i parë 2-vjeçar i gjuetisë ishte për periudhën mars 2014-mars 2016. Për shkak se nga moratoriumi erdhën rezultate pozitive sa i përket shtimit të popullatave të faunës, të cilat për disa specie ishin në minimumin jetik, sipas specialistëve, ishte e domosdoshme shtyrja e afateve. Ndaj shtyrja u bë për 5 vite, 2017-2021.

Projektligji

SHPALLJEN E MORATORIUMIT TË GJUETISË NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Neni 1
Qëllimi

Qëllimi i këtij ligji është ndalimi i ushtrimit të aktivitetit të gjuetisë, me qëllim përmirësimin e gjendjes së llojeve të faunës së egër, objekt gjuetie.

Neni 2
Objekti dhe fusha e veprimit

Ky ligj përcakton rregullat që do të zbatohen gjatë ndalimit të ushtrimit të veprimtarisë së gjuetisë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

Neni 3
Pezullimi i përdorimit të zonave të gjuetisë dhe pezullimi i gjuetisë në zonat e mbarështimit të faunës së egër

1. Përdorimi i zonave të gjuetisë, të dhëna për këtë qëllim nëpërmjet ofertës publike, sipas legjislacionit në fuqi për gjuetinë, pezullohet.

2. Kontratat për mbarështimin e faunës së egër janë të vlefshme, por edhe në këto zona, ku mbarështohet fauna e egër, nuk mund të ushtrohet gjuetia deri në afatin e zbatimit të këtij ligji.

Neni 4
Përjashtim nga fusha e veprimit

1. Përjashtohen nga fusha e zbatimit të nenit 2, të këtij ligji:

a) gjuetia në rastet e konstatimit të mbipopullimit të një lloji të faunës së egër, në zonat e lejuara për gjueti dhe në rezervatet e mbarështimit, sipas legjislacionit në fuqi për gjuetinë;
b) gjuetia për qëllime kërkimore-shkencore.

2. Përjashtimi i përcaktuar në pikën 1, të këtij neni, bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për mjedisin.

Neni 5
Afati i zbatimit

Afati i zbatimit të këtij ligji është 5 (pesë) vjet nga data e hyrjes së tij në fuqi.

Neni 6
Organet e kontrollit

1. Organet që monitorojnë rregullat për ndalimin e ushtrimit të veprimtarisë së gjuetisë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë janë:

a) Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, nëpërmjet institucioneve të varësisë brenda fushës së përgjegjësisë që mbulon;
b) Ministria e Brendshme, nëpërmjet Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit dhe Policisë së Shtetit;
c) strukturat përgjegjëse kontrolluese/inspektuese në bashki.

2. Veprimtaria kontrolluese, sipas këtij neni, ushtrohet në përputhje me legjislacionin në fuqi për kundërvajtjet administrative.

3. Të drejtën e vendosjes së gjobës e kanë strukturat, që janë përcaktuar në pikën 1, të këtij neni.

4. Shqyrtimi e marrja e vendimit përfundimtar dhe ankimi ndaj tij bëhen në përputhje me Kodin e Procedurave Administrative, si dhe me legjislacionin në fuqi për kundërvajtjet administrative.

Neni 7
Sanksionet

1. Shkeljet e këtij ligji, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen, si më poshtë vijon:

a) Kur shkelja kryhet e organizuar nga operatorët e tureve të gjuetisë, shoqatat e gjuetarëve ose federatat e gjuetarëve, subjekti që e organizon dënohet me gjobë në masën 800 000 (tetëqind mijë) – 1 000 000 (një milion) lekë;
b) Kur shkelja kryhet nga një person ose personi është pjesëtar i subjekteve organizuese, sipas shkronjës “a”, të kësaj pike, personi dënohet me gjobë në masën 80 000 (tetëdhjetë mijë) – 100 000 (njëqind mijë) lekë.

2. Në rastet e përsëritjes së shkeljes nga subjektet e parashikuara në shkronjat “a” dhe “b”, të pikës 1, të këtij neni, përveç dënimit me gjobë, vendoset si dënim plotësues edhe heqja e lejes së gjuetisë, si dhe konfiskimi i armës së gjahut.

Neni 8
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

/M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë