Vendimi i Qeverisë, "falet"
Albpetroli për 95.4 mln euro

Vendimi i Qeverisë, Albpetroli për 95.4 mln euro">
TIRANE- Qeveria shqiptare ka kaluar çdo imagjinatë, me një çmim, të paktën katër herë më të ulët se ai i shpallur më parë, për shitjen e një pasurie kombëtare me vlera të pallogaritshme, si Albpetroli.

Gazeta Shqiptarja.com publikon sot Vendimin e Këshillit të Ministrave, që është marrë qysh më 1 shkurt 2012,  ku tregohet se vlera e aksioneve të kompanisë Albpetrol, që do të dalin në shitje 100% në tenderin ndërkombëtar të privatizimit të saj, është 13.36 miliardë lekë, ose afro 95.4 milionë euro.   Zbulimi Vendimit, i cili ka hyrë në fuqi menjëherë, bëhet pak ditë pasi pr/ligji për privatizimin e Albpetrol kaloi ne Kuvend vetëm me votat e mazhorancës.

Deri tani, ishte konsideruar, nga ekspertët dhe nga opozita, e ulët, madje, u konsiderua e ulet edhe shifra e përfolur si e llogaritur nga amerikanët-konsulentë të qeverisë, të Patton Boggs-it, që rrotullohej rreth 400-500 milionë dollarëve. Por, me më pak se 100 milionë euro, praktikisht mund të thuhet se qeveria shqiptare e fal këtë ndërmarrje për një copë bukë, duke luajtur me një shpresë të vakët, bllofiste, se do të ketë një konkurrencë të tillë në tender, sa që të sillte rritjen e shifrës.

QKR
Në faqen zyrtare të regjistrimit të Albpetrolit, në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit (QKR), kapitali prej 13.36 miliardë lekësh, ose 13.36 milionë aksionesh nuk gjendet kurrkund. Aty shifra e kapitalit të kompanisë është e fiksuar në 10.38 miliardë lekë, pra 21.5 milionë euro më pak. Kjo situatë shtron pyetjen: në se auditi qeveritar ka konstatuar rritje të kapitalit të kompanisë, pse kjo nuk është pasqyruar në QKR, por kjo pasqyrohet në një Vendim të Këshillit të Ministrave?
PLANI I BIZNESIT
Në VKM mungon një shifër për fondet e investimeve, që blerësi i kompanisë është i detyruar të zbatojë. Shumëkush mund të kujtojë se, kur është shitur ARMO, pak vite më parë, nga e njejta qeveri dhe në të njejtin sektor të rëndësishëm për ekonominë, kontrata është shoqëruar me një detyrim të përcaktuar qartë se sa duhej të investonte në vite të caktuara. Qeveria specifikon vetëm se plani 5-vjeçar i biznesit, për vitet 2012-2017, që duhet të paraqesin kompanitë në garë, duhet të përfshijë objektiva për riaktivizimin e puseve ekzistuese të Albpetrolit, me teknologji që mund të sjellin rritjen e prodhimit, planin për rehabilitimin e tubacionit të transportimit të naftës, plan-shpimi dhe zhvillimi që të përmbajë numrin e puseve, programimin e afatit kohor të shpimeve, metodologjinë dhe kostot e pritshme të shpimit, i hartuar edhe me qëllimin e identifikimit të zonave potencialisht të paeksploruara dhe pak të zhvilluara, planin për rigjenerimin e rezervave apo planin për përmirësimin e performancës mjedisore, etj.
Por, mungon pikërisht një shifër fondesh, duke ja lënë këtë dëshirës dhe mundësive të subjektit fitues.
KOMPANITE
Si asnjëherë tjetër, është paraqitur shumë e ulët kërkesa edhe për aftësitë financiare të kompanive, që do të marrin pjesë në garën për blerjen e 100 për qind të aksioneve të kompanisë. Ndërsa thuhet qartë se çdo ofertues duhet të jetë shoqëri e specializuar në fushat e kërkimit, zhvillimit, prodhimit dhe tregtimit të naftës dhe të gazit, e cila t'i ketë ushtruar këto veprimtari në nivel ndërkombëtar për jo më pak se pesë vjet - kërkesë që është përdorur edhe më parë - në aspektin financiar, kushtet janë shumë lehtësuese, aq sa mund të marrë pjesë në tender edhe një kompani çfarëdo. Subjekti, sipas Vendimit të qeverisë, mjafton të ketë një kapital tërësisht të paguar në shumën 80 milionë euro dhe asetet neto të konsoliduara të tij duhet të jenë të paktën 100 milionë euro. Nëse ofertat paraqiten nga në bashkim i përkohshëm i shoqërive/konsorcium, investitori strategjik duhet të zotërojë të paktën 30% të kapitalit dhe të drejtën e votës në shoqërinë e përbashkët/konsorcium.
AFATET
Sipas Vendimit, hapja e procedurave të konkurimit do të bëhet në fillim të muajit prill dhe do të mbyllet në muajin korrik, periudhë në të cilët kompanitë e interesuara duhet të kenë dorëzuar ofertën e tyre pranë ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Në rast se nuk do të ketë oferta të mjaftueshme për zhvillimin e garës, Vendimi lejon shtyrjen e mëtejshme të afatit për dorëzimin e ofertave. Kompania që do të rezultojë se ka dhënë ofertën më të mirë për blerjen e aseteve të kompanisë Albpetrol do të gëzojë të drejtën e shfrytëzimit të burimeve natyrore të naftës në Shqipëri dhe të drejta mbi çdo marrëveshje të mëparshme hidrokarbure me të tretë për 25 vite.
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Liverpool vuan dhe fiton 2-3 kundër vendit të fundit, 'arratiset' +8 nga Man. City

VIDEO/ Liverpool vuan dhe fiton 2-3 kundër vendit të fundit, 'arratiset' +8 nga Man. City