/ATSH/.- Qeveria vendosi sot që t'i rikthejë industrisë fasone tatim-fitimin në masën
5 për qind. Zv/kryeministri Niko Peleshi duke bërë të ditur vendimin tha se ai stimulon zhvillimin ekonomik dhe rritjen e punësimit.
"Bëhet fjalë për një thellim të mëtejshëm të angazhimit tonë në mbështetje të industrisë fasone, përmes fuqizimit financiar të iniciativës së qeverisë në paketën për Mbështetjen e Industrisë Fasone duke i rikthyer kësaj industrie në formën e një fondi tatim-fitimin prej 5%. Fondi i krijuar përmes këtij vendimi dhe që do t'i kalojë buxhetit të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë është vlerësuar nga Ministria e Financave në masën 250 milionë lekë", sqaroi zv/kryeministri.
Sipas tij, ky është viti i parë që aplikohet kjo skemë dhe që do të përsëritet çdo vit. Fondi i krijuar nga tatim- fitimi i industrisë fasone do të planifikohet në programin e shpenzimeve buxhetore të MMSR, ndërsa shuma që do të derdhet në këtë fond do të përcaktohet në mënyrë vjetore nga Ministria e Financave.
Risia tjetër e kësaj skeme, sipas qeverisë, është se ajo do të shërbejë si boshti i një iniciative më të gjerë, pasi synimi është që atij t'i shtohen të gjitha linjat e financimit nga donatorë të brendshëm e të jashtëm që operojnë në fushën e nxitjes së punësimit dhe zhvillimit të aftësive profesionale.