Një vendim i ri i qeverisë synon t’i japë fund abuzimeve me mbetjet spitalore, duke shtuar përgjegjësinë jo vetëm tek institucionet shëndetësore por edhe tek vetë qytetarët. I miratuar më 1 prill nga Këshilli i Ministrave, vendimi sjell një qëndrim më të fortë dhe të detajuar për menaxhimin e këtyre mbetjeve, duke mos lënë hapësirë për keqpërdorim. Për herë të parë, edhe mbetjet që krijohen gjatë vetëmjekimit në shtëpi trajtohen si mbetje spitalore të mirëfillta dhe duhet të menaxhohen me kujdes.
Në VKM thuhet se qytetarët që përdorin barna apo kryejnë trajtime në banesë, do të duhet të ndajnë mbetjet e rrezikshme nga ato të zakonshme dhe t’i ruajnë në kontejnerë të posaçëm. Këto mund të sigurohen pranë farmacive apo institucioneve shëndetësore.
Në nenin 7, i cili nuk ishte parashikuar në vendimin e hedhur për konsultim publik që verën e kaluar, thuhet se mbetjet spitalore të rrezikshme, të krijuara nga individët gjatë vetëmjekimit në banesë, trajtohen si mbetje spitalore me origjinë shtëpiake.
Bashkitë në bashkëpunim me strukturat shëndetësore janë përgjegjës për të gjithë zinxhirin e mbledhjes dhe trajtimit, duke garantuar që këto mbetje të mos përfundojnë në koshat e zakonshëm.
Megjithatë, vendimi heq përgjegjësinë nga qytetari kur marrin shërbime mjekësore në banesë, si kujdesi për pacientët kronikë apo ndërhyrjet e urgjencës. Në këto raste, mbetjet trajtohen nga vetë ekipet mjekësore dhe transportohen në mënyrë të sigurt drejt institucioneve përkatëse.
Vendimi i ri prej 20 faqesh, që shfuqizoi atë të mëparshmin 15 faqe të vitit 2010, përcakton standarde më të rrepta për menaxhimin e këtyre mbetjeve të rrezikshme për shëndetin, në të gjithë vendin, sidomos nga prodhuesit e mëdhenj.
Çdo prodhues, institucion spitalor ose jo, duhet të hartojë një plan menaxhimi të mbetjeve, i cili do të përditësohet rregullisht përmes një regjistri të posaçëm. Risi e rëndësishme është detyrimi për regjistrimin e të dhënave të kontaktit, numrave të licencave dhe lejeve për subjektet që merren me trajtimin dhe asgjësimin e mbetjeve. Kjo, synon vendimi, që të garantojë një zinxhir menaxhimi më transparent dhe të kontrollueshëm.
Parashikohet që prodhuesit të kenë të drejtën të kontraktojnë subjekte të licencuara për menaxhimin e mbetjeve, por mbeten përgjegjës për përzgjedhjen dhe monitorimin e tyre. Subjekti i licencuar që merret me trajtimin duhet të sigurojë dokumentacion të plotë për trajtimin brenda 2 muajve.
Gjithashtu, vendimi përcakton standardet teknike për kontejnerët, vendet e ruajtjes, mënyrën e etiketimit dhe kushtet për ruajtjen frigoriferike të mbetjeve biomjekësore. Projekti përcakton me qartësi strukturat inspektuese në fushën e mjedisit dhe shëndetësisë, duke ndarë në mënyrë precize detyrat dhe përgjegjësitë e secilës.
Komente












Ambulancat dhe spitalet i hedhin mbetjet te kazanët e plerave këta flasin për ata që mjekohen në shtëpi,a u dhjefshi o idjotë.
Përgjigju