TIRANË-Ambasadori i Francës në Shqipëri, Bernard Fitoussi ka komentuar sot nga qyteti i Elbasanit, ku ishte për një vizitë, vendimin e UEFA-s që i dha fitoren 3-0 në tavolinë Serbisë, për ndeshjen e 14 tetorit në Beograd, Serbi - Shqipëri, të ndërprerë pas dhunës nga tifozët serbë.
Ambasadori Fitoussi ka deklaruar se është i kënaqur që nuk është ambasador i UEFA-s, pas vendimit të kësaj të fundit lidhur me ndeshjen Serbi-Shqipëri.
Fitoussi ka theksuar më tej se Shqipëria ka të drejtë të presë vendimin e apelit. "Futbolli është lojë serioze, nuk duhet t'i besohet politikës. Ka gjëra më të rëndësishme sesa kjo ndeshje. Më i rëndësishëm është bashkëpunimi midis shteteve", është shprehur ambasadori Fitoussi. /ATSH/