Gazetari Kujtim Topuzi thotë se Gjykata Kushtetuese tashmë e ka një standard lidhur me shkarkimin e kryetarëve të bashkisë nga Këshilli i Ministrave.
I ftuar në “Repolitix” me Denis Mingën në Report Tv, për të diskutuar mbi seancën që do të mbahet të premten në Kushtetuese lidhur ankimimin e kryebashkiakut Erion Veliajt për shkarkimin e tij, Topuzi tha se vendimi i vitit 2021 i Gjykatës Kushtetuese për Zef Hilën – asokohe kryebashkiak i Vaut të Dejës – thotë qartë se kryetari i bashkisë nuk mund të shkarkohet pa u thirrur më parë në një dëgjesë.
“Pjesa e procesit të rregullt ligjor edhe për mua do të jetë pika kyçe në diskutim dhe në vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese, sepse vetë gjykata në jurisprudencën e saj ka një vendim të vitit 2021 për kryebashkiakun Zef Hila. Ka hedhur poshtë vendimin e kryeministrit me arsyetimin që nuk mund të shkarkohet një kryebashkiak pa e dëgjuar”,- tha Topuzi.
Më tej, për gazetarin Topuzi është e rëndësishme që Gjykata Kushtetuese të shfrytëzojë pozitivisht rastin e Veliajt për të qartësuar përfundimisht nenin 62 të ligjit për qeverisjen vendore, që u përdor nga Këshilli Bashkiak i Tiranës për shkarkimin e kryetarit.
“Do duhet të përfitojë nga kjo çështje Gjykata Kushtetuese që ta sqarojë njëherë mirë nenin 62 të ligjit. Vetë kryeministri Rama tha se ligji është i paqartë”,- tha Topuzi.
Lajmi kryesor:
RAPORTI i ‘Venecias’ që do përdorë Veliaj në Kushtetuese, Daci: Konvergon 100% me mbrojtjen tonë! Vendimi i gjykatës, jetik për autonominë e pushtetit vendor












